25-vjetori i PS-së, Rama: E ardhmja është në dorën tonë
Partia Socialiste organizoi sot festën e 25 vjetorit të themelimit të saj. Mes rreth 1500 të ftuarve në ceremoninë festive të themelimit të PS-së, që mbahet në selinë Rozë, ishin themelues, drejtues të strukturave, deputetë dhe ish-deputetë. Gjithashtu të pranishëm në festën e PS ishin edhe kryetarë nga partitë aleate si Spartak Braho (LSI), Shpetim Idrizi (PDNJ), Spartak Ngjela, edhe Tritan Shehu si përfaqësues i PD.
Në fjalën e tij kryeministri Rama u shpreh se, “PS është një shkollë e ngritur mbi parimin se askush s’mund të ketë të drejtë më shumë se askush tjetër dhe asgjë s’mund ta arrish vetëm dhe ajo që mund të arrish është një e mirë e përbashkët.
“Këtu kam mësuar se kur rruga për ndryshim është e qartë kjo i inatos njerëzit dhe s’ka mundësi t’i ndalosh për t’i qetësuar se rrezikon të humbasësh rrugën. Kam mësuar se Kryeministër nuk të bën karrigia. Duhet të rrish në karrigen e Kryeministrit si një stacion i përkohëshm dhe të rrish mes halleve të njerëzve si një stacion i përhershëm”, tha Rama.
“Kam mësuar se ndyshimet i bëjmë kur jemi të vendsosur ti bëjmë. Gabojmë përgjithësisht kur mund t’ia dalim suksesit”, theksoi Rama. Kreu i qeverisë edhe njëherë shprehu nevojën jetike për miratimin e reformës në drejtësi.
“Njerëzit e kuptojnë ende më mirë se 3 vjet më parë se ndryshimin mund ta sjellë vetëm forca jonë. Asnjë forcë politike nuk e ka pasur konseguencën e kësaj partie në mbrojtjen e interesit kombëtar”, tha Rama.
“Nga njëra anë njerëzit më shohin në një Samit apo tribunë të kampionatit evropian dhe mendojnë a ka dëshirë ky njeri të punojë për hallet tona, socialistët në veçanti që më ndjekin nga larg, ndërsa gjendja nuk ecën siç duan ata. Nuk i vë faj askujt që mendon se prej meje s’ndihet mirë apo s’ka punën që i takon. Por unë nuk e harroj se për kë punoj, kujt i shërbej dhe se reformat nuk mund të kthehen mbrapa”, u shpreh Kryeministri Rama. Kreu i ekzekutivit theksoi se, “politika në nivelin e lartë nuk rrjedh fjollë, madje sa më lart të ngjitesh aq më pak rrjedh. Nuk mund t’i kënaqësh të gjithë gjatë gjithë kohës. Prioriteti ynë është puna për qytetarin”.
Rama më tej falenderoi të gjithë deputetët që sipas tij, “janë në lartësinë e këtij prioriteti dhe përfaqësuesit tanë në rrethe”, por shtoi ai, “ndonjëherë ndonjë e ka harruar këtë prioritet”.
“Ndryshimi është baza që përmes reformave po hedhim për të bërë shtet, por është vetëm një bazë, jo vetë shteti, vetë qëndrueshmëria. Ka ende shumë për të bërë. S’jemi të përsosur. Kemi bërë gabimet tona. Por në shumë drejtime falë nesh ky vend po ndryshon për mirë”, tha Rama.
“Ka pasur gjithnjë në këtë parti, njerëz që bëjnë të mërziturin në mënyrë të veçantë kur janë respektuar nga kjo parti më shumë se të tjerë. Dua t’u them atyre se në poltikë nuk votohet për përsosmëri. Kush voton me këtë mendje është i ftuar të mërzitet që të nesërmen. Votohet për garë mes partish dhe njerëzish që punojnë për një vend më të mirë. Të mërziturve u them se PS ka vend për të gjithë, por seicili duhet ta meritojë dhe jo ta harrojë vendin që ka”, u shpreh Rama.
“25 vjet janë shumë, por e ardhmja jone do jetë e ndritur nëse mësojmë nga e shkuara. Di që kam mësuar shumë dhe për të ardhmen nëse më pyesni mund të them se është e gjitha në dorën tonë. Mjafton të jemi të qartë dhe të vendosur t’i bëjmë detyrat që na imponon e ardhmja”, tha Rama perpara te ftuarve ne Selinë e Partisë Socialiste në këtë 25 vjetor të saj.