Policia e Shtetit, operacion i zgjeruar për parandalimin e ngjarjeve kriminale
Policia e Shtetit ka ndërmarrë mbrëmjen e djeshme një operacion të zgjeruar në disa qarqe të vendit për parandalimin e ngjarjeve kriminale.
Përmes një njoftimi për shtyp të Policisë së Shtetit bëhet e ditur se, në zbatim të masave të planit operacional “Për kontrollin e territorit në funksion të parandalimit të ngjarjeve kriminale”, forcat e Lëvizshme Operacionale në bashkëpunim me Drejtoritë e Policisë së Qarkut Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Elbasan, Shkodër e Lezhë, prej orës 19.00 të datës 09.01.2015 deri në orën 07.00 të datës 10.01.2014 kanë zhvilluar një sërë kontrollesh në akset rrugore, në lokalet e natës dhe në banesa.
Gjatë këtij operacioni janë arrestuar në flagrancë dhe ndaluar 12 autorë, nga të cilët 5 për armëmbajtje pa leje (armë zjarri), 2 për armë të ftohta (thikë) dhe 3 për shkelje rrugore, si dhe janë ndaluar 2 persona në kërkim për trafik të lëndëve narkotike, një në Tiranë dhe një në Elbasan.
Gjithashtu, në 3 raste janë kapur armë e municione pa leje, konkretisht në qytetin e Shkodrës ku është arrestuar 1 person, si dhe në Elbasan ku janë arrestuar 4 persona.
Gjithashtu, janë arrestuar 2 shtetas për armëmbajtje pa leje të armëve të ftohta (thikë), si dhe 3 të rinj për drejtim të automjetit pa leje drejtimi.
Janë kontrolluar gjithsej 235 ambjente kryesisht bare, lokale nate dhe të lojërave të fatit.
Janë kontrolluar 1345 automjete dhe janë bllokuar për mungesë dokumentacioni 10 automjete. Si dhe janë pezulluar 5 leje drejtimi automjetesh për shkelje rrugore si dhe janë marrë dhe masa administrative me gjobë.
Gjithashtu janë kontrolluar 938 persona për kontrollin e identitetit prej të cilëve janë shoqëruar 45 shtetas për mungesë të dokumentit të identifikimit.
Në këtë operacion përveç forcave të policive vendore kanë marrë pjesë dhe 31 grupe të reparteve të FNSH-së dhe Delta Forcë.
Ky operacion do të vazhdojë edhe në ditët në vijim edhe në qarqet e tjera.