28 vjet nga Masakra e Gollubovcit, Krasniqi: Dënohen çlirimtarët, serbët që kryen krime jetojnë të lirë
Sot u përkujtuan 28 civilët shqiptarë të vrarë më 26 shtator 1998, bashkë me tre dëshmorët Ilaz Javori, Rasim Maloku dhe Selman Deligashi.
Sot, më 26 shtator 2026, u shënua 28-vjetori i Masakrës së Gollubovcit, një nga ngjarjet më të rënda të vitit 1998 në Komunën e Malishevës. Më 26 shtator 1998, në këtë fshat u vranë 28 civilë shqiptarë, në një masakër që mbeti si dëshmi e tmerrshme e krimeve të kryera ndaj popullatës civile.
Në këtë datë përkujtimore u nderuan edhe tre dëshmorët e Komunës së Malishevës, të rënë në këtë ditë gjatë luftës çlirimtare: Ilaz Javori, Rasim Maloku dhe Selman Deligashi.
Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë familjarë të viktimave e dëshmorëve, qytetarë, si dhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi, së bashku me drejtorë të drejtorive komunale dhe përfaqësues të Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Malishevë.
Duke folur para të pranishmëve, Krasniqi tha se masakra dëshmon se krime kanë kryer serbët, e jo çlirimtarët. “Këto ngjarje janë dëshmia më e mirë se serbët kanë kryer krime, e jo çlirimtarët, ndërsa gjykatat vazhdojnë të dënojnë çlirimtarët, kurse autorët e këtyre krimeve jetojnë të lirë”, tha Krasniqi, duke kërkuar që autorët e krimit të dalin para drejtësisë.
Në emër të Familjeve të Dëshmorëve, Kastriot Berisha vlerësoi kontributin e dëshmorëve për lirinë e vendit. “Falë kësaj sakrifice, falë këtij gjaku të derdhur ndër shekuj, populli shqiptar jeton i lirë dhe ne sot ndërtojmë vendin”, tha Berisha.
Burimi: KosovaPress



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.