3 kompani fituese për kërkimin e naftës, nisin negociatat për marrëveshjen
Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka përzgjedhur kompanitë që fitojnë të drejtën e kërkimit për naftë në Bllokun ‘4’ dhe atë të ‘Dumresë’.
Burime konfidenciale i thanë Top Channel se pas shqyrtimit të ofertave zyrtare të përcjella nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, për Bllokun ‘4’ fitues është aplikimi i kompanive “SHELL” dhe “Petromanas”. Ndërsa për Bllokun e kërkimit të Dumresë, kompania e përzgjedhur është izrelitja “Navitas”.
Shumëkombëshja “SHELL” është ndër shtatë kompanitë më të mëdha në botë në fushën e kërkimit të naftës dhe gazit, me operacione në 90 vende të botës, përfshirë Shqipërinë, ku aktualisht është në fazë kërkimi së bashku me “Petromanas” në zonën e Shpiragut.
Ndërsa kompania “Navitas”, pjesë e “Delek Group”, e listuar në bursën e Tel Avivit ka një vlerë tregu prej më shumë se 5 miliardë dollarësh dhe aktivitet të përqëndruar në Mesdheun Lindor.
Top Channel ka mësuar se ministria ka autorizuar AKBN-në të fillojë negociatat me kompanitë për termat dhe kushtet kryesore të Marrëveshjes Hidrokarbure, bazuar në aplikimin e paraqitur nga subjektet fituese.
Pasi të arrihet dakordësia, dokumenti nënshkruhet nga të dyja palët dhe i përcillet ministrisë për miratim, duke i hapur rrugë nisjes së procedurave për negocimin e “Marrëveshjes Hidrokarbure”.
Vlerësimi dhe shpallja e fituesve është bërë bazuar mbi programin e investimit të paraqitur prej aplikuesve, por edhe historikut të kompanive dhe qëllimit për diversifikimin e investitorëve.
Qeveria thotë se e konsideron të suksesshëm këtë raund të parë të hedhjes së blloqeve në garë, pasi po afrohen kompani gjigande në fushën e kërkimit të naftës, pavarësisht se çmimi i arit të zi në tregun botëror ka rënë.
Qeveria po ashtu synon që në muajin tetor të mbyllë raundin e dytë për tre blloqe në tokë: Bllokun ‘C’, Bllokun ‘5’ dhe Bllokun ‘Panaja’, për të cilët thotë se interesimi nga kompani të mëdha nuk ka munguar.