Opinion

50 hijet e reja te Markezi De Sade

MONIKA SHOSHORI STAFA

Monika Shoshori StafaNë kulmin e një manie të përbotshme që vinte përtej Atlantikut prej dy vitesh mbi atë çka linte pas legjenda urbane e një qyteti mbi trilogjinë “Pesëdhjetë hijet e Grey-it”, befasisht përfshihesh bashkë me ekuipazhin e skuadrës filmike teksa kamera përpiqet të grabisë këtë legjendë, e cila për ty para ekranit të madh, vjen si një stil jete e një çifti diku në bregun perëndimor të Kanadasë. Duket se dy kampe kundërshtarësh u përplasën nga filmi hit i fundjavës së dytë të shkurtit “Pesëdhjetë hijet e Grey”, i cili solli të ardhura bruto, afërsisht rreth 100 milionë dollarë. Dy kampet, njëri prej të cilëve quhet ndryshe tifozët e BDSM, ata të cilët ndjekin me kënaqësi lojën e një çrregullimi sadist seksual, e që pëlqejnë skllavërinë e njeriut nga njeriu, disiplinën si ndërvarësi, dominimin personal, nënshtrimin e tjetrit apo dhe sado-mazokizmin me praktikat e veta seksuale dhe kampi tjetër, i cili përbëhet nga radhët konservatore të kritikës kulturore të moralit të krishterë. Kjo, për atë pjesë të botës ku Perëndimi është një mendësi progresive sepse për shoqërinë shqiptare, pavarësisht mburrjeve e kanë parë apo jo filmin, përbuzjes për shkak të mangësisë “morale”, ai mbetet një film që më shumë e ka çorientuar botën feminile ende të pashkyçur shqiptare. Në vlerësimin e kampit të parë “Pesëdhjetë Hijet”, mbetet një përvetësim i disa prej temave, estetika apo dhe gjithçka ka të bëjë me eksitimin nëpërmjet dhunës çfarë është në thelbin e vet një marrëdhënie abuzive; ndërsa për të krishterët e shqetësuar, kjo është një shenjë e normalizimit të stilit të papërmbajtjes dhe dekadencës seksuale, një ogur i perversitetit që kthehet papritmas në një gjë të zakonshme. Por ka dhe nga ata, të cilët qëndrojnë neutralë e që janë ndier po aq të shqetësuar, me romanticizmin e dinamikave që kanë përfshirë këtë marrëdhënie abuzive, pavarësisht kontekstit të tyre seksual. Dhe këto padyshim mbeten të gjitha shqetësime të ndershme, kur vjen puna për ndikimin e jashtëzakonshëm në jetën reale të të dy gjinive, nga fenomeni që la pas “Pesëdhjetë Hijet”.

Por duke lënë mënjanë realitetin, “Pesëdhjetë Hijet” është cilësuar si shkatërrimtar i keq në mënyrat alternuese të stileve seksuale, veçanërisht ato që fokusohen në dinamikat e pasioneve që ndan pushteti,  gjithmonë në funksion të artit. Ata të kampit të parë që janë dhe të pasionuarit e rrymës BDSM (Skllavërimi, Disiplina, Nënshtrimi, praktikat sadomazokiste) nuk u shfaqën papandehur në një ditë të bukur Shën Valentini në nga banderolat e varura përbri kinemave më të zëshme në SHBA, por dhe në Europë. Paraardhësit e tyre shpirtërorë e kanë gjenezën në art e letërsi, tre shekuj më parë. Arti i tyre ekspozohej në fshehtësi të plotë mes vizatimeve në grafikë, romane, tregime të shkurtra apo dhe novela. Ai që do ta themelonte këtë lloj arti, do të ishte aristokrati francez, “i tmerrshmi” Markezi de Sade. Vepra e tij u cilësua pas vitesh më vonë, nga kritika moderne, si shumë interesante, mbi të gjitha për origjinalitetin e saj. Po sipas tyre, nisur nga biografia e tij jetësore dhe krijuese, Sade ishte një njeri që i peshonte mirë gjërat para se t’i vendoste një qëllim vetes kundrejt edhe pasioneve çkishtare të tij. Kjo e bënte atë të çuditshëm përballë një sjellje devijante në artin e tij. Ai ishte një filozof mbi të gjitha dhe më pas një kritik i ashpër i autoritetit dhe drejtësisë që, Kisha si institucionm kish në dorë. Aspak indiferent dukej të shfaqej ai dhe ndaj problemeve që kish të bënin me të drejtën civile. Jo konvencional, me sjellje veçanërisht transgresive seksuale, në të shumtën e herës ai e vinte veten në rolin e një makine eksperimentuese ndaj këtij arti të ri shfrenues dhe me patologji të çuditshme seksuale. Parë me kujdes vepra e tij, kuptohet qartë se Sade ndoshta mund të mos ketë qenë një njeri i mirekuilibruar, por krijimtaria e tij ka pasur një dimension politik brenda vetes që ishte po aq transgresive në risitë e veta si dhe elementet e tij erotike. Mëkatet e tij seksuale që ai me shumë gëzim u rrëfente dëgjuesve të ndryshëm pa dallim moshe dhe gjinie u përdorën për të ngritur pyetje interesante mbi pushtetin si nocion, kënaqësinë që vjen pas tij dhe ndjesinë po aq të kënaqshme që të sjell përvuajtja që i shkakton tjetrit, si dhe kontrolli që bëhet pas kësaj padashje dominant.

Letërsia është e mbushur me shembuj të tillë, ku marrëveshjet e pushtetit që bëhen qartazi përmes seksit, zbulojnë të tjera marrëveshje pushteti të nënkuptuara, të cilat në jetën e zakonshme konsiderohen shumë pak. Filmi ka përshtatur me sukses përdorimin e këtij lloj arti që vjen nga rryma BDSM ku gjendet i përfshirë dhe çështja e pushtetit. Kushdo e ka ndjekur filmin italian të Liliana Cavani-t, prodhim i vitit 1974, “The Night Porter” kujton qartazi një marrëdhënie seksuale abuzive të një oficeri nazist me një të burgosur në një kamp përqendrimi. Habitshëm më pas, kjo marrëdhënie kthehet në një marrëdhënie ndjesish të mira, nuk po themi dashurore, por mes një morie valësh që tërheqin dhe shtyjnë njëri-tjetrin pa u ndarë dot. Por në fakt kjo ndodh sapo lufta përfundon, kur oficeri dhe ish e burgosura takohen në kushte më të barabarta. Përdorimi i erotizmit të errët në film së bashku me krimet politike të së kaluarës dhe ajo çfarë ndodh në të vërtetë, që dhe regjisori vetë në të tilla raste ka pak për të shpjeguar, e fton publikun të ngrejë pikëpyetje mbi bashkëfajësinë e tyre në shembujt e pushtetit personal dhe atij politik. Nëse dikush arrin të marrë kënaqësi ndaj këtij lloj erotizmi kaq hapur abuzues të keqpërdorimit të pushtetit që ka deri diku ende tepër adhurues, a nuk është e mundur të mendojmë se është pushteti në këtë rast që tërheq më shumë dhe asgjë tjetër në mes? “Night Porter”, ashtu si vepra e Sade-s, rrit padyshim pasionin për pushtetin, mënyrat e ushtrimit të tij përmes rrymës artistike të themeluesit të BDSM, Markezit de Sade ku seksualiteti mbetet një lojë e mirë aftësish për njerëzimin, pashmangshmërisht nxit edhe krijimtarinë transgresive gjatë ushtrimit të tij.

Por “50 Hijet” ç’ka më shumë?  Kaq shumë i përfolur e kaq shumë gjoja i përbuzur për shkak të rregullave të shkelura për të një morali të larë kristian dhe jo vetëm? Problemi me të nuk është se ai është një film si u cilësua, budalla dhe i dobët, apo se injoron implikimet mbi keqpërdorimin e fuqisë, autoritetit, apo dhe dominimit gjatë erotizmit të tij. Problemi i tij në të vërtetë është se ai vjen me një fund të gabuar: ndërsa atje ku BDSM vjen si një rrymë e shkëlqyer ku ulëritet me forcë ndaj kryqëzimeve të pakëndshme të pushtetit në gjini, politikë, shtresa e kështu me radhë, “50 Hijet” i njohin dhe arrijnë të glorifikojnë format e dominimit/pushtetit, me të cilat ne të gjithë padiskutim jetojmë çdo ditë në realitetin tonë në një lloj forme të re të artit të zi të BDSM-së.

Padyshim pasi ke parë filmin që gjithkush nga ne që së pari e mendon si një kohë të humbur, duhet ta gjejë forcën për t’u përballur e për të kuptuar në fakt filozofinë e vërtetë të tij. Kush nuk e bën është thjesht jashtë çdo divergjence për të cilën bota ka nevojë. “50 Hijet”, është një pornografi, por një lloj pornografie e një stili tjetër jete.

Grey-in, ne e gjejmë, me një të kaluar të trazuar; ai është një djalë me zemër të thyer por mbetet i mirë në të tërën e tij, dhe duket se ka nevojë vetëm për një grua të zgjuar thjesht të ndihet rehat me shijet e tij, të pranojë mënyrën e tij të të dashuruarit dhe ndoshta ta shërojë atë. Dominimi Grey-i  ndaj  Anastasias, ai seksual dhe financiar gjarpërojnë së bashku pa i zgjidhur dot padyshim. Pyetja që shtrohet nuk është nëse ata do të vazhdojnë apo jo së bashku por se si Ana do të luftojë të shërojë çdo plagë që Grey-it i shkakton një përmbytje të tillë ndjesish pushteti dhe dominimi. Dhe ajo që të vjen ndër mend teksa sheh filmin është se natyrisht, fuqia mund të kontrollohet. Dominimi ka kuptim në nocionin e tij, por ai duhet të shpërndahet siç duhet dhe aty ku duhet, që ai të sjellë sa më pak vuajtje dhe shfrenime, duket të jetë në fund dhe ky mesazhi i filmit.

Ndryshe nga krijimet e Sade dhe Cavanit që ne përshkruam më lart, “50 Hijet” nuk përdorën elementet transgresive të artit të BDSM për të çuar shikuesit e saj drejt pikëpyetjeve mbi legjitimitetin e pushtetit dhe dominimit. Me qëllim apo jo, filmi duket se përdor BDSM për të çuar përpara idenë se dominimi ndaj varfërisë relative dhe të pambrojturve nga njerëz të pasur dhe të pushtetshëm, është diçka me të cilën çdokush një ditë mund të përballet, dhe nuk ka asgjë aty për t’i rezistuar apo për ta shkatërruar. Në fund të ditës, ajo që ka fituar është se “50 Hijet” mbetet një film pro-kapitalist, ku pabarazia e jashtëzakonshme në pushtet nuk është diçka që mund t’i rezistohet apo t’i shpallësh luftë, por është diçka që duhet pranuar dhe ajo thjesht duhet të menaxhohet. Në këtë kuptim, kjo është një humbje e plotë për mendjemëdhenjtë e BDSM-së të kësaj rryme artistike, ku realitetet e pushteteve dominantë mund të kthehen përmbys për të mos qenë gjithmonë skllevër të pushteteve okulte dhe pabarazive me të cilat jemi mësuar kaq shumë të përballemi.

Shumë aspekte të tij të bëjnë të jesh pjesë e filmit, por as shkopi dhe as kapelja magjike e Harry Potter nuk mund të të sjellë aq afër shpenzimeve cash në dorë sa mund të shihni të fluturojnë tek “50 Hijet”, bota në të cilën Grey dhe Ana jetojnë. Ajo që mbetet është të vijojmë jetën e të ulim kokën për ca të holla më shumë apo dhe për ca pasione të vogla, e ndoshta rrugës s’dihet nëse do të kemi kohë të mendojmë për t’i marrë ditës pak nga bota e Grey-it. Por kurrë nuk duhet ta dyshojmë se ndoshta diçka nuk po shkon me pabarazinë e dukshme ekonomike në botën qark, që ia vlen të jetë një kryevepër. Jo, aspak. E vetmja gjë që mund të bëjmë është të përfitojmë sa më shumë nga një lloj ekuilibri dhe mirëkuptimi që do duhet të pranojmë nga më të mirat gjëra që kemi por trupi shkruan markezi De Sade është më shumë se i implikuar në ato që kërkon sa dhe mendja dhe arsyeja, sipas tij, pse ndodh kjo duhet kërkuar  thellë, shumë thellë drejt impulseve të frikshme që natyra njerëzore dhe që secili nga ne i fsheh brenda atyre “50 Hijet e Grey-it”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button