7 kg kokainë në çantë shpine, 44-vjeçari shqiptar kapet me drogë gjatë një kontrolli rutinë në Itali
Një 44-vjeçar shqiptar u arrestua të shtunën në Itali pasi gjatë një kontrolli rutinë policor u kap me 7 kilogramë kokainë të fshehura në një çantë shpine.
Ngjarja ka ndodhur në San Trovaso, në zonën e Trevisos, ku policia ndaloi makinën e tij për verifikime të zakonshme.Por sjellja e tij e nervozuar dhe përgjigjet kontradiktore ngritën menjëherë dyshime te efektivët e policisë.
Gjatë kontrollit të mjetit, policia gjeti një çantë shpine të vendosur mes sediljeve, brenda së cilës ndodheshin 14 pako me kokainë të pastër, secila rreth gjysmë kilogrami.
“Nuk ishte një hetim i gjatë që e tërhoqi vëmendjen e korrierit, por syri klinik i një makine patrullimi. I ndaluar për një kontroll rutinë të trafikut, dyzet e katër vjeçari shfaqi nervozizëm të tepruar dhe të pajustifikuar, duke dhënë përgjigje kontradiktore që i shtynë oficerët të inspektonin më tej automjetin”, informon media italiane që raportoi lajmin.
Testet e para konfirmuan se bëhej fjalë për kokainë me cilësi të lartë, e destinuar për tregun lokal, kryesisht për festat e fundjavës.
Sipas autoriteteve, sasia e sekuestruar, pasi të ndahej në doza për shitje, do të sillte fitime që arrijnë në qindra mijëra euro.
Policia ka sekuestruar edhe telefonin e të arrestuarit, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar rrjetin e furnizimit dhe shpërndarjes.
Ky konsiderohet një nga sekuestrimet më të mëdha të kryera nga policia në Treviso, duke goditur rëndë trafikun e drogës në zonë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.