Kronika

7 ligjet mbështetëse të reformës në drejtësi

Paketa me 7 ligjet mbështetëse, në funksion të zbatimit të reformës në drejtësi, pritet të miratohet në Kuvend me nisjen e sesionit të ri në muajin shtator.

Pr/ligjet, e përgatitura me mbështetjen e misioneve ndërkombëtare, EURALIUS dhe OPDAT, parashikojnë organizimin dhe funksionimin e disa prej organeve kryesore të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, pas miratimit të reformës kushtetuese.

Risitë e 7 pr/ligjeve

1. Projektligji “Për Gjykatën Kushtetuese” risi kryesore ka zgjedhjen e anëtarëve të këtij institucioni, përmes një formule të re. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, 3 prej tyre emërohen nga Presidenti i Republikës, 3 anëtarë zgjidhen nga Kuvendi i Shqipërisë, ndërsa 3 të tjerë nga Gjykata e Lartë. Institucioni i ri që krijohet nga reforma është Këshilli i Emërimeve, i cili, për të 9 anëtarët e Kushtetueses, bën renditjen e kandidatëve sipas meritave, ndërsa Presidenti, parlamenti apo Gjykata e Lartë janë të detyruar të zgjedhin ndërmjet 3 kandidaturave të para. Një tjetër risi e draftit janë dhe afatet që i vendosen Gjykatës Kushtetuese në shqyrtimin e çështjeve, qe duhet te përfundojne brenda 3 muajve nga paraqitja e kërkesës, ndersa vendimi përfundimtar shpallet i arsyetuar, jo më vonë se 1 muaj nga përfundimi i seancës.

2. Projektligji “Për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” (Vetingu) vlerëson përgatitjen e tyre profesionale, integritetin moral dhe zbulon shkallën e pavarësisë në punën e tyre, nga ndikimi i krimit të organizuar, korrupsionit dhe pushtetit politik. Procesi i rivlerësimit do të përfshijë kontrollin tërësor të gjyqtarëve dhe prokurorëve në 3 komponentë: pasuritë e tyre; zbulimin e lidhjeve të tyre me krimin e organizuar; vlerësimin e punës së kryer; si dhe aftësitë e tyre profesionale. Nëse subjekti merr vlerësim negativ, këto organe vendosin deri në largimin e tyre nga detyra. Rivlerësimi do të bëhet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili do të ketë një mandat të kufizuar për 5 vjet. Anëtarët e Komisionit do të jenë juristë, me përvojë të gjatë (të paktën 15 vjeçare). I gjithë procesi i rivlerësimit do të kryhet nën mbikëqyrjen e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (OMN), qe do të udhëhiqet nga BE. Vëzhguesi ndërkombëtar, mes të tjerash, i jep rekomandime Kuvendit lidhur me kualifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve për pozicionin e anëtarit të Komisionit, te gjyqtarit të Kolegjit të Apelimit dhe Komisionerit Publik.

3. Projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë” parashikon rregulla të rëndësishme për sa i përket kushteve ligjore, kritereve të vlerësimit dhe procedurës së zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm. Kreu i organit të akuzës zgjidhet me 2/3 e votave të anëtarëve të Kuvendit, ndërmjet tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë(KLP). Ai ka një mandat 7 vjeçar, pa të drejtë riemërimi. Nëse Kuvendi nuk e zgjedh Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve, kandidati i renditur në vendin e parë nga KLP konsiderohet i emëruar.

4. Projektligji “Për organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë” përcakton rregullat e funksionimit të katër organeve kushtetuese, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Këshillit të Emërimeve. Ligji i ri parashikon një ndryshim thelbësor të rolit të organit që qeveris gjyqësorin, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i emërtuar rishtas si Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ). Ndryshimet kryesore në funksionimin e këtij institucioni kanë të bëjnë me: numrin e anëtarëve, nga 15 që është aktualisht në 11; me procedurën e zgjedhjes së tyre; me suprimimin e tre anëtarëve në këtë organ (nga Presidenti i Republikës, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Ministri i Drejtësisë); me kryesimin e organit nga njëri prej anëtarëve jo gjyqtarë, duke ia hequr këtë të drejtë Presidentit të Republikës; suprimimin e funksionit kushtetues të zv/kryetarit të KLD-së; me zgjerimin e madh të kompetencave të cilat propozohet të përfshijnë pothuaj të gjitha aspektet e administrimit të gjyqësorit; kalimin nga anëtarësia me kohë të pjesshme në anëtarësi me kohë të plotë në funksion të efiçiencës dhe kolegjialitetit të organit, etj.

5. Projektligji “Për organizimin e pushtetit gjyqësor” synon të rregullojë organizimin dhe funksionimin e sistemit të gjykatave në vend. Disa nga risitë kryesore të këtij projekti është: parashikimi i rregullave të plota në lidhje me krijimin e hartës së gjykatave në vend, përfshirë edhe Gjykatën e Lartë, duke mundësuar akses për qytetarët; drejtësi profesionale, të specializuar; si dhe duke parashikuar një kompetencë të re për Këshillin e Lartë Gjyqësor në këtë proces; një organizim të ri të brendshëm në gjykata duke rritur aksesin dhe shërbimin ndaj publikut mes trajnimin efektiv të nëpunësve civile të gjykatave me qëllim rritjen e profesionalizmit të tyre në shërbimet ndaj qytetarëve.

6. Projektligji “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve” parashikon të drejtat dhe detyrimet e tyre, kriteret dhe procedurën për pranimin, emërimin, zhvillimin e karrierës, mbarimin e mandatit, etj. Me ligjin e ri gjyqtarët e prokurorë do të jenë të gjithë ata që do te kalojnë procesin e verifikimit të figurës (vetingun) dhe do të kenë një sërë garancish në pozicionin e tyre, për të qënë profesionistë, të pa ndikuar nga politika apo nga grupet kriminale. Një moment i spikatur i pr/ligjit janë pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve qe do të pësojnë një rritje të konsiderueshme, në mënyrë që edhe ata të kenë një trajtim me dinjitet, sipas standardeve europiane.

7. Pr/ligji “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” parashikon krijimin e një gjykate dhe prokurorie, të dedikuara vetëm hetimit, ndjekjes penale dhe gjykimit të korrupsionit e krimit të organizuar nga zyrtarët e lartë. Struktura e Posaçme AntiKorrupsion(SPAK), ku bëjnë pjesë Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit(BKH), do të hetojë dhe gjykojë aktet e korrupsionit, krimit të organizuar si dhe të gjitha veprat penale të zyrtarëve, të kaluar apo atyre aktualë, të nivelit të lartë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button