77 vjet nga themelimit i Teatrit “Migjeni” në Shkodër
Teatri “Migjeni” i qytetit të Shkodrës feston sot 77-vjetorin e krijimit.
Një nga institucionet më të rëndësishme kulturore të Shkodrës dhe ndër teatrot më të vjetra në vend, sot “Migjeni” mban titullin “ Nderi i Kombit”. Ai u krijua më 24 nëntor të vitit 1949 duke u bërë i dyti teatër profesionist pas në vend, pas Teatrit Kombëtar.
Trupa profesioniste e teatrit “Migjeni” u formua në zbatim të vendimit nr. 572 të Këshillit të Ministrave të asaj kohe. Trupa përbëhej nga regjisori Andre Skanjeti si dhe tetë aktorë profesionistë: Çezarina Çiftja, Antonjeta Fishta, Vitore Nino, Adem Kastrati, Ndoc Deda, Ndrek Prela, Paulin Lacaj dhe Tef Krroqi. Përveç tyre interpretonin edhe 12 aktorë amatorë: Tinka Kurti, Bahrije Mani, Fadile Mustafa, Zef Jubani, Lin Gjoni, Enrik Prendushi, Gjovalin Çarkashija, Halim Kali, Kolec Tarfuku, Çesk Vuksani, Muhamet Ulqinaku.
Teatri “Migjeni” i sapoformuar kishte edhe 1 inspektor skene, 1 sufler, skenografin Pjetër Deda etj.
Premierën e parë ky teatër e shfaqi më 26 maj të vitit 1950.
Ndërtesa ku gjendet sot ky teatër, është ndërtuar në 1958. Ajo ka arkitekturë neoklasike dhe është restauruar, duke ruajtur elegancën historike dhe duke integruar teknologji moderne për ndriçim, akustikë dhe skenografi, që e bëjnë të përshtatshme për prodhime teatrale, muzikore dhe artistike të nivelit të lartë. Atmosfera dhe akustika e përkryer e sallës e kthejnë atë në një hapësirë ideale për përjetime artistike.
Shkodra ka një traditë të gjatë teatrore, me shfaqje që datojnë që nga viti 1879, ndërsa gjatë periudhës socialiste Teatri “Migjeni” u shndërrua në qendër të rëndësishme të jetës kulturore, duke sjellë në skenë vepra me tema shoqërore e politike, përfshirë edhe autorë si Bertolt Brecht.
Sot, teatri vazhdon të jetë skena kryesore e artit dramatik në veri të vendit, duke mirëpritur shfaqje kombëtare, ndërkombëtare dhe festivale artistike, që e mbajnë gjallë traditën kulturore të Shkodrës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.