84-vjetori i Konferencës së Pezës, DPA eskpozon dokumente arkivore nga ngjarja historike
Me rastin e 84-vjetorit të mbajtjes së Konferencës së Pezës, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA), në bashkëpunim me Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit të Bashkisë Tiranë, organizoi një ekspozitë fotografike në fshatin Pezë.
Ekspozita, e vendosur në mjedis të hapur, solli për publikun fotografi dhe dëshmi arkivore nga Konferenca e Pezës, e mbajtur më 16 shtator 1942. Nëpërmjet materialeve të ekspozuara u paraqitën pjesëmarrës të mbledhjes, përfaqësues të rrymave të ndryshme politike, qytetarë të zakonshëm, si dhe banorë të Pezës.
Aktiviteti tërhoqi nxënës të shkollave të kryeqytetit, por edhe të qytetarëve e dashamirësve të historisë, të cilët patën mundësinë të njiheshin nga afër me dokumente dhe fotografi që dëshmojnë një prej ngjarjeve të rëndësishme të historisë së Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Sipas DPA-së, ekspozita është pjesë e angazhimit për promovimin dhe ruajtjen e pasurisë dokumentare të vendit, me synim afrimin e publikut me burimet arkivore dhe njohjen e së kaluarës historike.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të festivalit të përvitshëm “Peza n’Fest”, i cili këtë vit përfshin një sërë aktivitetesh për vizitorët, mes tyre lojëra për fëmijë, shfaqje cirku, këngë partizane, valle tradicionale dhe panaire me prodhime vendase.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.