“Pa asnjë ndryshim pikë dhe presje do të votojmë Kodin Zgjedhor siç është votuar nga parlamenti me një shumicë që është kuptimplotë”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste.
Pas mbledhjes së shtabit elektoral të PS-së, Rama iu përgjigj interesimit të medies për dekretin e Presidentit Ilir Meta që riktheu për shqyrtim në Kuvend ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Kryeministri tha se Kodi do të votohet sa më shpejt, kur të caktohet seanca e votimit, pa asnjë ndryshim pikë dhe presje.
“Askush nuk mund të vëri në diskutim vullnetin e parlamentit për asnjë arsye, aq më pak Ilir Meta”, tha ai.