Europa

KE për vizat: Shqipëria vazhdon të përmbushë kërkesat!

Zyra e shtypit e Komisionit Evropian ka mohuar të premten se po diskutohet mundësia e rikthimit të vizave për Shqipërinë, njofton ATSH.

Në një prononcim për një nga mediet në vend, zyra e shtypit e KE-së bën të ditur se vendet vazhdojnë të përmbushin kërkesat për liberalizimin e vizave dhe kanë bërë përparim në adresimin e rekomandimeve të vitit të kaluar.

“Pozicioni i Komisionit Evropian është shprehur shumë qartë në raportin që botuam, më 4 gusht. Raporti përfundon se të gjitha vendet vazhdojnë të përmbushin kërkesat për liberalizimin e vizave dhe kanë bërë përparim në adresimin e rekomandimeve të vitit të kaluar. Në të njëjtën kohë, raporti nxjerr në pah fushat ku nevojiten përpjekje të mëtejshme nga secili vend”, thuhet në prononcimin e KE-së.

Por, zyra e shtypit e KE-së thotë se Shqipëria, si dhe vendet e tjera që kanë përfituar nga liberalizimi i vizave do të mbahen në monitorim.

“Komisioni do të vazhdojë të monitorojë përmbushjen e kërkesave për liberalizimin e vizave. Përtej kësaj, ne nuk jemi në gjendje të komentojmë për ndonjë dokument (të supozuar) të rrjedhur ose për pozicionet e shteteve anëtare gjatë diskutimeve të nivelit teknik në Këshill”, thuhet në përgjigjen e zyrës së shtypit në KE.

Diskutimet mbi mundësinë e rikthimit të vizave erdhën pas një raporti të Këshillit të Bashkimit Evropian, publikuar më 27 shtator ku flitej mbi një shqetësim në rritje të abuzimeve me lëvizjen e lirë afatshkurtër në zonën Shengen nga shtetet e Partneritetit të Lindjes dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button