Kosova

Chollet bisedon me Kurtin për zbatimin e menjëhershëm të Asociacionit

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se ka pasur një “bisedë shumë të mirë” me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me takimin e 2 majit mes tij dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Në një postim në Twitter, Chollet tha se kanë biseduar edhe “për rëndësinë e zbatimit të menjëhershëm” të marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Nga ana e kabinetit të Kurtit nuk ka ende ndonjë koment.
Kurti dhe Vuçiç do të takohen sot në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Pikë e parë e rendit të ditës pritet të jetë çështja e personave të zhdukur nga koha e luftës dhe më pas ajo e Asociacionit.
Pritjet janë që dy udhëheqësit të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, si dhe të diskutojnë për draft-statutin e Asociacionit, të krijuar nga i ashtuquajturi Ekip Menaxhues.
Kurti dhe Vuçiç u takuan për herë të fundit në Ohër, më 19 mars, kur edhe u pajtuan gojarisht për zbatimin e një marrëveshjeje të re, që shpie drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Kjo marrëveshje, e njohur më herët edhe si propozimi evropian, kërkon nga të dyja palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ka nisur qysh nga viti 2011.
Ajo nuk parasheh njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, por kërkon prej tyre që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.
Javën që shkoi, Chollet njoftoi se ka biseduar edhe me presidentin serb, Vuçiç, në lidhje me takimin e 2 majit. Ngjashëm tha se kanë folur për “nevojën urgjente” për të formuar Asociacionin.
Për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar kurrë.
Serbia vazhdimisht ka këmbëngulur në kompetenca të gjera për Asociacionin, ndërsa Kosova ka thënë se të tillat do ta rrezikonin funksionalitetin e shtetit.

Postimi i Chollet: 

Një ditë para takimit të nesërm të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të fasilituar nga Bashkimi Evropian, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nga Brukseli zhvilloi një bisedë telefonike me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Ata folën për agjendën e takimit të nesërm dhe pritjet nga ky takim dhe për, siç theksoi kryeministri Kurti, rëndësinë që Marrëveshja Bazë dhe Plani i Zbatimit të saj të zbatohet në tërësi dhe me mirëbesim.

Ai falënderoi z. Chollet për rolin dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës në kalimin e fazës së parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës javën e kaluar, dhe për angazhimin e tyre në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.​

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button