A dështoi Basha në negocimin me aleatët ?
Një pjese e kundërshtarëve të Lulzim Bashës në PD kanë filluar të flasin nën zë, për një dështim të kryetarit demokrat në raportet me aleatët. Sot nga fotografia (lart) e koalicionit të djeshëm opozitar, ka mbetur me zemër të thyer vetëm Fatmir Mediu. Në këtë fillim jave ka deklaruar largimin e tij drejt koalicionit të majtë edhe Nard Ndoka i PDK-së të cilin me sa duket të gjithë e marin me të qeshur përvec Ramës. Por gjithësesi përpos zgjedhjeve lokale Ndoka do të jetë një votë më shumë për koalicionin qeveritar edhe në kuvend, pasi sipas tij ai nuk mori bashkinë e lezhës që kërkonte për ish kryetarin e komunës së Shëngjinit, Salvador Kaçaj.
E njëjta gjë ndodhi edhe me Shpëtim Idrizin. Ai sikurse e ka zakon e grisi marëveshjen me koalicionin opozitar dhe përpos marëveshjes zgjedhore do i risë numrat e shumicës në parlament edhe me katër deputetë të tjerë (pasi Tahir Muhedini ka vendosur të qëndroje në opozitë).
E njejta gjë përpak ndodhi edhe me republikanët. Fillimisht ata pretendojnë se Basha ia kishte premtuar bashkinë e Durrësit Agron Dukës, por më pas i kish thënë se ishte Berisha që nuk e donte këtë gjë. Megjithëse edhe vetë Duka edhe Berisha e kanë përgënjeshtruar publikisht një version të tillë, fakti është që PD-ja përpak sa nuk kaloi në një krizë edhe me aleatët e saj tradicionalë republikanët.
Po ti shtosh këtyre fakteve edhe mungesën e një tentative për afrim apo një ftese për Bamir Topin në pamje të parë duket sikur Basha ka dështuar në negociatat për krijimin e një koalicioni serioz. Kjo e ka bërë një nga njohsit më të mirë të PD-së të dikurshme, Mero Baze ta quante këtë një koalicion me të vogël se ai PD-së në vitin ’97. Më i butë në konstatime ka qenë paraardhësim i Bashës në postin e kryetarit, Sali Berisha. Në konferencën e shtypit këtë të hënë ai i quajti këto tratativa një mundësi të pasardhësit të tij për të fituar eksperiencë në marëdhëniet me aleatët të cilët sa më të vegjël të jenë, aq më të mëdha i kanë kërkesat.
Por pavarësisht nga kritikat apo justifikimet një pyetje e madhe mbetet për këtë proces. A dështoi Lulzim Basha në eksperiencën e tij të parë si lideri i koalicionit opozitar? A ka përgjegjësi ai që në shtrat me armikun shkuan edhe Idrizi edhe Ndoka edhe Topi? A quhet dështim që i mbetën në krah vetëm Dashamir Shehi dhe Fatmir Mediu me zemër të thyer?
A është humbje për PD-në që përpos humbjes së aleatëve në zgjedhjet locale, iu larguan edhe pesë deputetë drejt shumicës parlamentare?
I gjithë ky bilanc i Bashës në sprovën e parë në krye të PD-së është dëshpërues për opozitën. i vetmi argument pro tij (dhe një argument jo i vogël) është se nga vatha e tij u larguan parti të vogla mercenare që kështu janë sjellë gjithmonë. Ato përsëritën një fenomen që ndodh shpesh me formacionet satellite në Shqipëri, që rendin pas thelave që u hedh pushteti.