Nga Francis Fukuyama
“The Economist”
Imazhet rrëqethëse të afganëve të dëshpëruar që përpiqeshin të largoheshin me çdo mjet nga Kabuli këtë javë, pasi u rrëzua qeveria e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, kanë evokuar një moment të rëndësishëm në historinë botërore, asaj se çfarë ndodh kur Amerika u kthen shpinën problemeve që ka sot bota.
E vërteta është se fundi i epokës amerikane, kishte ardhur shumë më herët. Burimet afatgjata të dobësisë dhe rënies së Amerikës,janë më shumë vendase sesa ndërkombëtare. Ky vend do të mbetet një fuqi e madhe botërore për shumë vite, por se sa me ndikim do të jetë, kjo do të varet më shumë nga aftësia e tij për të rregulluar problemet e veta të brendshme, sesa nga politika e jashtme.
Periudha kulmore e hegjemonisë amerikane zgjati më pak se 20 vjet, nga rënia e Murit të Berlinit në 1989, deri në krizën financiare të viteve 2007-2009. Deri në atë kohë, SHBA-ja ishte dominuese në shumë fusha të pushtetit:ushtarake, ekonomike, politike dhe kulturore. Kulmi i krenarisë amerikane ishte pushtimi i Irakut në vitin 2003, kur shpresoi të ishte në gjendje të rimerrte kontrollin jo vetëm të Afganistanit (që ishte pushtuar 2 vjet më parë) dhe Irakun, por të gjithë Lindjen e Mesme.
Amerika e mbivlerësoi efektivitetin e fuqisë së vet ushtarake për të sjellë ndryshime themelore politike, edhe pse nga ana tjetër e nënvlerësoi ndikimin e modelit të tij ekonomik të tregut të lirë në financat globale.
Ajo dekadë përfundoi me trupat e saj të përfshira në 2 luftëra kundër rebelimeve të brendshme dhe me një krizë financiare ndërkombëtare, e cila nxori në pah pabarazitë e mëdha që kishte sjellë globalizimi i udhëhequr nga Amerika.
Shkalla e unipolaritetit në këtë periudhë ka qenë relativisht e rrallë në histori, dhe që atëherë bota është rikthyer në një gjendje më normale të multipolaritetit, me Kinën, Rusinë, Indinë, Evropën dhe qendra të tjera,që kanë fituar ndikim në krahasim me Amerikën.
Efekti përfundimtar i dështimit në Afganistan në gjeopolitikën globale, ka të ngjarë të jetë i vogël. Amerika i mbijetoi një disfate më të hershme poshtëruese kur u tërhoq nga Vietnami në vitin 1975, por shumë shpejt e rifitoi dominimin e saj brenda pak më shumë se një dekade.
Dhe sot SHBA-ja po punon me Vietnamin për të frenuar ekspansionizmin kinez. Amerika ka ende shumë përparësi ekonomike dhe kulturore, me të cilat mund të rivalizojnë pak vende. Sfida shumë më e madhe ndaj pozitës globale të Amerikës është e brendshme:shoqëria amerikane është shumë e polarizuar, dhe e ka pasur të vështirë të arrijë konsensusin për pothuajse çdo lloj gjëje.
Ky polarizim nisi me çështjet politike tradicionale si taksat dhe aborti. Por që atëherë ai është shndërruar në një luftë të ashpër mbi identitetin kulturor. Kërkesa për njohje nga ana e grupeve që mendojnë se janë margjinalizuar nga elitat, ishte diçka që e identifikova vetë 30 vjet më parë si ‘Thembrën e Akilit’ të demokracisë moderne.
Normalisht, një kërcënim i madh i jashtëm siç është një pandemi globale, duhet të jetë rasti kur qytetarët bëhen bashkë për një reagim të përbashkët. Kriza e shkaktuar nga Covid-19, shërbeu më shumë për të thelluar ndarjet e Amerikës, me distancimin social, mbajtjen e maskave dhe tani vaksinimet që nuk shihen si masa të shëndetit publik, por si simbole me ngarkesa politike të caktuara.
Dhe konflikte të tilla janë përhapur në të gjitha aspektet e jetës, nga sportet tek markat e produkteve të konsumit që blejnë amerikanët demokratë apo republikanë. Identiteti qytetar me te cilin krenohej dikur Amerika si një demokraci shumë-racore në epokën e të drejtave post-civile, është zëvendësuar nga narrativat ndërluftuese mbi “Projektin 1619” të demokratëve, përkundrejt projektit “1776” të republikanëve, pranë se vendi është themeluar mbi skllavërinë apo mbi luftën për liri.
Ky konflikt shtrihet edhe në realitetet e veçanta që beson se sheh secila palë, realitete në të cilat zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2020, ishin ose një nga proceset më të ndershme në historinë e Amerikës, ose në të kundërt një manipulim masiv, që ka çuar në krye të vendit një president të paligjshëm.
Gjatë Luftës së Ftohtë dhe në fillim të viteve 2000, ka pasur një konsensus të fortë në gjirin e elitës së Amerikës, në favor të ruajtjes së një pozicioni drejtues në politikën botërore. Luftërat e ashpra dhe në dukje të pafundme në Afganistan dhe Irak,e vështirësuan punën e shumë amerikanëve jo vetëm në terrene të vështira si Lindja e Mesme, por edhe në angazhimin e tyre ndërkombëtar në përgjithësi.
Polarizimi ka ndikuar drejtpërsëdrejti në politikën e jashtme. Gjatë viteve të presidentit Barack Obama, republikanët morën një qëndrim të ashpër dhe i kritikuan demokratët për“rivendosjen” e raporteve të afërta me Rusinë, dhe naivitetin e pretenduar të tyre në lidhje me presidentin rus Vladimir Putin.
Ish-presidenti Donald Trump shkoi më tej duke e përqafuar hapur Putinin, dhe sot afro gjysma e republikanëve besojnë se demokratët përbëjnë një kërcënim më të madh për mënyrën e jetesës amerikane sesa Rusia. Një gazetar konservator si Tucker Carlson, shkoi në Budapest për të përgëzuar kryeministrin autoritar të Hungarisë, Viktor Orban.
Mbi Kinën ekziston një konsensus më i dukshëm:si republikanët ashtu edhe demokratët, bien dakord se Pekini përbën një kërcënim për vlerat demokratike. Por vetëm kjo mban deri më tani të bashkuar Amerikën. Një test shumë më i madh për politikën e jashtme amerikane sesa Afganistani do të jetë Tajvani, në rast se ai sulmohet direkt nga Kina.
A do të jenë të gatshme Shtetet e Bashkuara të sakrifikojnë djemtë dhe vajzat e tyre në emër të pavarësisë së atij ishulli? Apo a do të rrezikonin Shtetet e Bashkuara një konflikt ushtarak me Rusinë, nëse kjo e fundit do të vendoste të pushtonte gjithë Ukrainën?
Këto janë pyetje serioze,të cilat nuk kanë përgjigje të lehta. Por një debat i arsyeshëm në lidhje me interesin kombëtar amerikan, mund të zhvillohet kryesisht përmes lenteve se si ndikon kjo në luftën e brendshme politike.
Polarizimi i skajshëm e ka dëmtuar tashmë ndikimin global të Amerikës, shumë më pak se sa testet e ardhshme si këto që përmenda më lart. Ky ndikim varej nga ajo që Joseph Nye, një studiues i politikës së jashtme të SHBA-së, e etiketoi si “fuqia e butë”, pra joshja ndaj institucioneve dhe shoqërisë amerikane nga njerëzit në të gjithë botën.
Kjo joshje është zbehur shumë:është e vështirë për cilindo që të thotë se institucionet demokratike amerikane kanë funksionuar mirë vitet e fundit, apo se çdo vend duhet të imitojë tribalizmin dhe mosfunksionimin politik të Amerikës.
Shenja dalluese e një demokracie të pjekur, është aftësia e saj për të kryer transferime paqësore të pushtetit pas zgjedhjeve, një test në të cilin vendi ynë dështoi në mënyrë spektakolare më 6 janar2021 me sulmin e një turme njerëzish mbi Capitol Hill.
Dështimi më i madh politik nga administrata e presidentit Joe Biden në 7 muajt e tij të parë në detyrë, ka qenë paaftësia e saj për të planifikuar në mënyrën e duhur kolapsin e shpejtë të Afganistanit dhe dorëzimin e tij në duart e talebanëve.
Sado që duket shumë i pagjasë si skenar, kjo nuk tregon mençurinë e vendimit bazë për t’u tërhequr nga Afganistani, i cili në fund mund të provojë të jetë ai i duhuri. Zoti Biden ka sugjeruar se tërheqja ishte e nevojshme, për t’u përqendruar në përballimin e sfidave më të mëdha nga Rusia dhe Kina.
Unë shpresoj se ai ta ketë seriozisht këtë që thotë. Barack Obama nuk ishte kurrë i suksesshëm në kthimin e vëmendjes kryesore tek Azia, pasi Amerika mbeti e fokusuar në luftën kundër kryengritjeve lokale në Lindjen e Mesme.
Administrata aktuale duhet të rishpërndajë burimet dhe vëmendjen e politikë-bërësve tek vendete tjera, në mënyrë që t’i pengojë rivalët gjeopolitikë në synimet e tyre, dhe të angazhohet me aleatët. Shtetet e Bashkuara nuk ka të ngjarë që të rifitojnë statusin e mëparshëm hegjemonist, dhe as nuk duhet që ta aspirojnë këtë gjë.
Ajo që mund të shpresojë është të ruajë, së bashku me vendet me të cilat ndan të njëjta vlera, një rend botëror miqësor ndaj vlerave demokratike. Nëse do të mundet që ta bëjë këtë, kjo do të varet jo nga veprimet afatshkurtra në Kabul, por nga rikuperimi i ndjenjës së identitetit dhe qëllimit kombëtar brenda SHBA-së.
Shënim: Francis Fukuyama, është një politolog i njohur amerikan, anëtar i Institutit“Freeman Spogli” për Studime Ndërkombëtare në Universitetin e Stenfordit, SHBA.