A do të ketë Maqedonia stemë të re?
Qeveria e Maqedonisë ka miratuar njëzëri propozimin për stemën e re shtetërore, që duhet të zëvëndësojë stemën socialiste, që është aktualisht në fuqi.
Simbol kryesor i stemës së re është një luan i kuq i ngritur në këmbë, në sfond të verdhë. Mbi të qëndron një kurorë në formë të bedenave të kalasë me 5 shtylla, që sipas arsyetimit të qeverisë, simbolizon rregullimin republikan të shtetit. Ndonëse për nga pamja kjo stemë e propozuar është shumë e ngjashme me logon e partisë maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE, propozuesi këmbëngul në argumentimin se ky simbol përfaqëson të gjitha bashkësitë etnike në Maqedoni.
“Simbolet kombëtare, që kishte Maqedonia, ishin të lidhura me mënyrat e rregullimit shoqëror. Vlerësoj se është më mirë për çdo shtet, që simbolet kombëtare të mos lidhen me ngjarjet aktuale, por me vlera të përherëshme, përkatësisht në heraldikën”, thotë zëvëndëskryeministri, Vladimir Peshevski.
Simboli i luanit a është pjesë e historisë shqiptare?
Propozimin për stemën e re e kanë votuar edhe ministrat e partisë shqiptare në pushtet, BDI. Sipas ministrit të Drejtësisë, Adnan Jashari, stema e re përmban edhe elemente shqiptare:
“Sipas të dhënave, që posedojmë, në stemën e re ka elemente, që në njëfarë mënyre kanë të bëjnë me kulturat e të gjitë qytetarëve në Maqedoni, elemente të cilat në njëfarë mënyre po bashkojnë kulturat edhe nga aspekti historik. Përmbajtja e stemës simbolizon, pasqyron elemente, që në aspektin historik kanë qenë prezente në shumë qytete feudale shqiptare”, thotë Adnan Jashari, ministër i Drejtësisë.
Sipas tij propozimi nuk është final,, sepse ai po i nënshtrohet një debati publik. Idetë, propozimet, sygjerimet brenda kësaj faze, do të analizohen dhe varësisht nga sygjerimet, këto vërejtje do t’i dërgohen qeverisë, me qëllim që të arrihet deri te një stemë, që do të ketë elemente, me të cilat do të përjashtohen elementet e së kaluarës, thotë Jashari.
Pendarovski : Pa opozitën miratimi i stemës është jolegjitim
Vendimi i qeverisë së Maqedonisë për të ndryshuar stemën e shtetit ka ngjallur reagime të shumta, si te historianët, po ashtu edhe te partitë politike në opozitë. Stevo Pendarovski, nga Lidhja Socialdemokrate e Maqeondisë, konsideron se vendimi për të ndryshuar stemën shtetërore është i pakuptimtë në një periudhë, kur opozita nuk është e pranishme në Parlament e kur shteti ka probleme shumë më të mëdha, të cilat kërkojnë zgjidhje.
“Iniciativa për një stemë të re të shtetit është e gabuar për shumë arsye. Gabimi parësor në këtë drejtim ka të bëjë me faktin që opozita maqedonase është jashtë parlamentit, aty ku duhet të miratohen ndryshimet. E dyta ka të bëjë me prioritetet politike, është e palejueshme që në një moment, kur ka tensione ndëretnike dhe ngecje në aspektin e integrimeve, qeveria të fokusohet në ndryshimin e stemës”, vlerëson Stevo Pendarovski.
Historianët shqiptarë e kontestojnë luanin si simbol
Historianët shqiptarë thonë se simboli i luanit në stemën e re shtetërore, nuk ka të bëjë aspak me historinë e shqiptarëve. Edhe në ato raste, kur luani është përdorur në stema të ndryshme, ai nuk ka përfaqësuar elementin etnik shqiptar, shprehet historiani Muzafer Bislimi.
‘Nuk ka historian shqiptar, që mund të argumentojë se luani është përdorur ndonjëherë si element unifikues për të gjithë shqiptarët. Është e vërtetë se në stemën e Durrësit dhe Tiranës ka një simbol të luanit, por ai aty nuk është si element, që përfaqöson shqiptarët si komb, por ka domethënie lokale”, thotë Muzafer Bislimi.
Edhe profesori universitar Vebi Xhemaili, është i mendimit se simboli i luanit nuk ka të bëjë aspak me historinë e kombit shqiptar.
”Unë si historian nuk shoh asnjë element shqiptar në stemën e propozuar, dhe pse dikur fiset ilire e kanë përdorur luanin si simbol në stemat e tyre. Por sot ne nuk kemi asgjë të përbashkët me luanin, sidomos pas luftrave të Skëndërbeut, i cili mbrojti jo vetëm shqiptarët, por edhe popujt e tjerë të Ballkanit nën stemën me simbolin e shqiponjës dykrerëshe”, thotë Xhemaili.
Historiani maqedonas, Vllado Popovski, thotë se meqë është arritur ujdi mes partnerëve të koalicionit qeveritar, kjo periudhë paraqet moment më të mirë që Maqedonia ta ndryshojë stemën e vjetër me yllin pesëcepësh, i cili më nuk gjendet në asnjë stemë të shteteve evropiane me përjashtim të Bjellorusisë. “Maqedonia është shtet me subjektivitetin e saj, prandaj ka të drejtë të miratojë stemën e vet dhe vlerësoj se tani është momenti më i mirë që Maqedonia të ketë një stemë të re, kur dihet fakti, që është arritur marrëveshje mes dy komuniteteve më të mëdha, përkatësisht mes dy subjekteve politike, që i përfaqësojnë ata në qeveri”, shprehet Popovski.
Dialog i mirfilltë për stemën
Përveç partisë opozitare maqedonase ka reaguar edhe partia më e madhe opozitare shqiptare, PDSH. Kjo parti ka kërkuar nga qeveria, që urgjentisht ta tërheqë nga procedura propozimin për stemën e re dhe të hapë dialog të mirëfilltë, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për stemën, e cila do të përfshinte specifikat dhe kërkesat e dy popujve më të mëdhenj në vend, maqedonasve dhe shqiptarëve. Sipas deputetit të PDSH-së, Bekim Fazliu, partia shqiptare në pushtet BDI po mbështet të gjitha projektet antishqiptare të partnerit maqedonas në qeveri.
“Nënshtrimi i tërësishëm i BDI-së kundrejt VMRO-së arriti kulmin me propozimin për stemën e re shtetërore. Propozohet një simbol partiak dhe tërësisht një etnik për një simbol të rëndësishëm shtetëror, siç është stema dhe kjo aspak nuk i pengon partisë shqiptare në pushtet. Një veprim të tillë duhet ta parandalojmë, sepse nesër do të jetë vonë”, thotë Fazliu.
Ndryshimi i simboleve shtetërore, ku bën pjesë edhe stema, rregulohet me ligj të veçantë, për ndryshimin e të cilit janë të nevojshme 2/3 e votave dhe shumica e Badenterit. Në bazë të përbërjes aktuale të Parlamentit të Maqedonisë mungesa qoftë edhe e një deputeti të shumicës, do ta vinte në piköpyetje miratimin e stemës së re.