Opinion

A është Edi Rama një mosmirënjohës me socialistët?

Nga Andrea Stefani

Në librin “Fillesat e Rendit Politik”, Francis Fukajama flet edhe për vështirësinë që ka ndeshur ngritja e institucioneve moderne në vendet e Melanezisë si Papua – Guineja e Re dhe Ishujt Solomon ku ekzistojnë shoqëri të organizuara me fise, ato që antropologët i emërojnë farefisni të ndërlidhura. Fiset, që mund të shkojnë nga disa duzina deri në disa mijëra anëtarë, kanë në krye një të parë.

Kur në vitet ’70 Australia i dha pavarësinë Papua-Guinesë së Re dhe Britania Ishujve Solomon, në këto vende u ngritën qeveri të tipit perëndimor ku qytetarët duhet të votojnë për anëtarët e Parlamentit në zgjedhje periodike pluraliste. Dhe pikërisht në këtë moment u shfaqën problemet që, sipas një tjetër studiuesi të shquar, Hantingtonit, lindin nga që demokracia, e drejta për të votuar apo barazia në pjesëmarrjen politike, ecën më shpejt sesa aftësia që kanë anëtarët e një shteti për t’u bashkëshoqëruar paqësisht. Melanezia ra në kaos të vërtetë! Sepse, sikundër shpjegon Fukajama, shumica e votuesve në Melanezi nuk votojnë për programet politike, por mbështesin të parin e fisit të tyre. Dhe nëse i pari i fisit arrin të zgjidhet në Parlament, ai do të ushtrojë ndikimin e tij politik për të shpënë të mira materiale ekskluzivisht te fisi i vet. Kjo është “Kontrata Sociale” në Melanezi. Politikanët që nuk e zbatojnë këtë kontratë, pra që ndjekin programet dhe politika që synojnë jo thjesht të mirën e fisit që i ka votuar, por të mirën e krejt shoqërisë dhe shtetit, rrezikojnë shumë të humbasin mbështetjen e votuesve të tyre. “Parlamentet e Papua – Guinesë dhe Ishujve Solomon, shkruan Fukajama, nuk kanë parti politike të mirëfillta. Ato janë të mbushura me prijës të shkëputur, secili prej të cilëve bën gjithçka për të sjellë sa më shumë përfitime për rrethin e ngushtë të mbështetësve të vet”.

***

Sa shtjelluam më sipër, më vijnë ndër mend përherë kur dëgjoj zëra nga elektorati i majtë, jo vetëm ish-deputetë, ish-ministra, deri edhe ish-presidentë që nuk janë më të tillë, por edhe socialistë dhe militantë të kësaj partie që shfaqen të zhgënjyer me Edi Ramën. Dikë se nuk e ka futur në listën e deputetit apo në kabinetin qeveritar, por më shumë të tjerë se nuk ju ka gjetur nga një vende pune në administratën publike. Dua t’i mirëkuptoj shumë prej tyre, përjashtuar ata që mllefin e vjellin për shkak se Rama u ka “rrënuar” karrierën politike, sepse e kuptoj që mund të kenë vite dhe vite pa punë. Prandaj i dëgjoj me trishtim kur rrëfejnë dedikimin e tyre për fitoren e “Rilindjes” dhe kur më në fund shtojnë: Të paktën Berisha i mbante të vetët ndërsa ky mban akoma njerëz të Berishës! Uroj që të gjejnë sa më shpejt një vend pune, por nuk mund t’ju jap të drejtë jo për hallin por për zhgënjimin që shfaqin ndaj kryeministrit Rama sepse, për shembull, nuk paska flakur të gjithë militantët e PD! Shumë mirë ka bërë nëse vërtet janë të aftë për ato vendet e punës që mbajnë! Shqetësim do të qe nëse kjo qeveri do kish vepruar ndryshe! Prandaj nuk mund t’ju jap të drejtë ca zërave të zhgënjyer me Ramën sepse më fanepset Melanezia me traditën e saj fisnore antishtet që është, një e vërtetë e hidhur kjo, edhe kanceri i administratës publike shqiptare në këto vite. Dhe jo vetëm Melanezia por edhe Zululandi i Konicës!

***

Shumë nga militantët e majtë që sot ankohen, shfaqin zhgënjim, madje dikush edhe mund ta akuzojë Ramën si bukëshkalë, do të kishin një qëndrim krejt tjetër sikur qeveria e Rilindjes të kish imituar qeverinë paraardhëse të Berishës që me fshesë të hekurt, që në muajt e parë, spastroi të gjithë administratën publike nga socialistët. Por kjo do të thoshte njëherazi, që Rilindja të vazhdonte të ecte në dhiaret e antishtetit, ndërsa premtimi i saj ishte krejt i kundërt, ishte që të rilindim shtetin duke ju larguar praktikave tribale që na kujtojnë Melanezinë. Do ta inkurajoja, qoftë edhe me anë të kritikës, qeverinë “Rama” që të përshpejtonte sa më shumë politikat e punësimit, jetike për njerëzit në këto kohë krize. Por nuk do të inkurajoja kurrë rikthimin te praktikat e partisë shtet, ku emërimet në administratë kalojnë vetëm me vulën e seksioneve të partisë. A nuk kritikonte PS në opozitë, dhe me plotësisht të drejtë, faktin që shumë emërime në shtet bëheshin me urdhër, ka pasur edhe dokumente shkresore për këtë, të seksioneve të ndryshme të PD? E si mund të kritikohet sot Edi Rama se refuzon të përsërisë një praktikë të tillë?

***

Nevoja e shumë njerëzve, të majtë e të djathtë, është për punë. Por nuk është aspak interesi i tyre, që këtë vend pune ta sigurojnë me anë të partisë, duke flakur një tjetër nga ai vend pune. Pikërisht kjo praktikë e fisit, ka mbi dy dekada që e ka shndërruar shtetin në një kurban të vetin dhe veçanërisht, administratën publike. Prandaj ajo është aq e prapambetur aq e ngathët, aq kaotike aq jo profesionale. Të plotësosh nevojat për punë të fisit politik, duke punësuar militantë në administratë dhe duke flakur të tjerë, mund të të mbajë për një kohë të gjatë kryetar fisi, por nuk të lejon kurrë të kontribuosh për shtetin, nuk të lejon të dalësh në misionin apo rolin e një burri shteti. Dhënia fund e politikave të punësimit që i japin përparësi jo meritës, por angazhimit politik, është një nga rrafshet më të rëndësishme të rilindjes së shtetit dhe administratës publike të gërryer nga politikat tribale të derisotme që mund të gjejnë shpjegim deri edhe justifikim në Melanezi, por jo në Shqipërinë që kërkon të integrohet në BE. Prandaj besoj dhe them se Rama nuk është bukëshkalë!

Related Articles

Comente

  1. Te pershendes Andrea! Kjo qe ke shkrujt i shkon per shtatfjalimit te djeshem ne Lezhe te shokut Edi.Ai ka vertet nevoje te konceptohet si kryetarai i fisit Socialist, bere fort mire me kete rast ,qe te kuptojme se keshilla e Blerit per Edin jane keto te viteve ’70-te ne ishujt e indogjeneve te Paqsorit.Bravo.Koicidence e lezeteshme kjo tendja me disa politikane ketu ne Ballkan rrotull nesh,qe thone se jemi indiane..Jo vetem kaq ,por ky joni shoku Edi na tha shqipetare popull dembel… Vertet bravo! Andrea besoj se je lodhur,por me ne fund ja dole te beshe lidhjen organike me te pa mundur.Per kete shqiptaret (ata punetoret) do te jene mirenjohes dhe do te vleresojne,Miku vazhdo keshtu se i duhesh Edit..

  2. Ne   gjendjen   qe  ka  trasheguar   dhe  esht  aktualisht   papunesia  dhe  varferia,  kjo  qeveri  ,  duhet   mbeshtetur  per  te  bere  shtet   demokratik,  ligjor  dhe  jo  rumpalle ,  sic  e bene Nanua  dhe  Berisha.   Pergezime  zoti  Stefani,  Ju   jini    gazetari  dhe  analisti  i  se  ardhesmes,  pamvaresisht  se  sot  per  shkak  te  problemeve  ekonomike,  mase  nuke  duan  tju  kuptojne  ato  qe  shkruani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button