Opinion

A është lodhur Amerika së humburi

Në dy vitet që kur presidenti amerikan Donald Trump braktisi Partneritetin Trans-Paqësor, Japonia dhe nënshkruesit e tjerë të TPP-së kanë vazhduara para me marrëveshje të reja tregtare. Si rezultat i kësaj, eksportuesit amerikanë po e ndiejnë gjithnjë e më shumë efektin e kësaj dhe me shumë gjasa po pyesin veten se ç‘ndodhi me “artin për të nënshkruar marrëveshje” të Trump.

Autor: Anne O.Krueger

Aspak e kënaqur me luftën e saj tregtare kundër Kinës, administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka hapur gjithashtu negociata tregtare dypalëshe me Japoninë. Megjithatë, çfarëdo që Trump shpreson të arrijë me Japoninë, do të jetë shumë më pak sesa ajo që ai hodhi tutje kur braktisi Partneritetin Trans-Paqësor (TPP) në fillim të vitit 2017.

Gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, Trump u premtoj amerikanëve se ai do të negocionte shumë marrëveshje të mëdha në emër të tyre, saqë ata “do të lodheshin duke fituar”. Tani që ai ka imponuar kosto të mëdha mbi fermerët, konsumatorët dhe ekonominë e përgjithshme amerikane nëpërmjet tarifave për importet kineze, amerikanët po lodhen vërtet shumë nga kjo gjë.

Tërheqja e Trump nga TPP është shembulli kanonik i pamaturisë së politikës së tij tregtare. I nënshkruar në vitin 2016 nga Shtetet e Bashkuara dhe 11 vende të tjera të Paqësorit, traktati do të qeveriste rreth 40% të Të gjithë tregtisë të mbuluar nga rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë. Ishte një “marrëveshje e shekullit XXI ” që përfshinte jo vetëm ulje të tarifave, por edhe dispozita për liberalizimin e shitjeve me pakicë, komunikacionin, argëtimin dhe shërbimet financiare. Ai do të kishte forcuar standardet e punës dhe mjedisit, do të kishte krijuar një mekanizëm të ri për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe një kornizë për menaxhimin e tregtisë elektronike, sigurinë kibernetike, të drejtat e pronësisë intelektuale, lëvizshmërinë e të dhënave dhe më shumë.

Kur Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga TPP, shumë vetë menduan se marrëveshja kishte marrë fund. Por nënshkruesit e mbetur, të udhëhequr nga kryeministri japonez Shinzo Abe, u pajtuan shpejt për një zëvendësim, Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse dhe Progresive për Partneritetin Trans-Paqësor, (CPTPP), e cila ruan rreth 200 nga 229 dispozitat e TPP-së. Ato 20 që nuk u përfshinë ishin dispozita që i kishin kërkuar Shtetet e Bashkuara dhe mund të rikthehen nëse vendi dëshiron t’i bashkohet paktit më vonë.

Tani që CPTPP-ja ka hyrë në fuqi, Australia, Brunei, Kanadaja, Kili, Japonia, Malajzia, Meksika, Zelanda e Re, Peruja, Singapori dhe Vietnami gëzojnë qasje preferenciale në tregjet e njëri-tjetrit. Ndërkohë që tarifat janë hequr, furnizuesit amerikanë në ato tregje po e gjejnë veten në një disavantazh në rritje. Ndërkohë që tarifa japoneze për importet e mishit nga Amerika ka mbetur në 38.5%, tarifa për mish viçi nga vendet e tjera të CPTPP ka rënë në 27.5% dhe përfundimisht do të arrijë vetëm 9%. Si rezultat, mishi amerikan i viçit (dhe gruri) që hyjnë në Japoni (ose ndonjë vend tjetër CPTPP) tani përballen me një tarifë më të lartë sesa tarifat për këto produkte nga Australia, Kanadaja apo Zelanda e Re.

Megjithatë, Abe ka punuar shumë për të mbajtur marrëdhënie të mira me SHBA-në, duke u përballur me shumë debate politike në vendin e tij për këtë gjë. Japonia ishte një nga partnerët e paktë të tregtisë amerikane që nuk u hakmor kur administrata Trump vendosi tarifa për çelikun dhe aluminin. Dhe ndërsa afirmoi preferencën e Japonisë për aranzhimet rajonale dhe shumëpalëshe, Abe megjithatë ka rënë dakord për marrëveshje bilaterale me SHBA-në.

Me zgjedhjet parlamentare japoneze që do të mbahen këtë verë, bisedimet dypalëshe nuk kanë gjasa të mbahen deri më vonë këtë vit. Kur kjo gjë të ndodhë, Japonia do të përfitojë nga hyrja në një marrëveshje të tregtisë së lirë (MTL) me Bashkimin Europian. Që nga shkurti i kaluar, më shumë se 90% (së shpejti 97%) e eksporteve të BE-së në Japoni janë pa doganë; dhe, pas një periudhe të shkurtër shkëputjeje, e njëjta do të aplikohet edhe për 85% të produkteve bujqësore ushqimore. Ndërsa vera nga SHBA-ja përballet me një tarifë prej 15%, vera nga BE-ja, si dhe nga vendet e CPTPP si Kili – tani hyn në Japoni pa taksa, ashtu si makinat europiane, të cilat i nënshtrohen standardeve të përbashkëta të sigurisë. Jo më kot Abe e  shiti marrëveshjen e BE-së si një provë e “vullnetit të palëkundur politik të Japonisë dhe BE-së për të udhëhequr botën si kampionë të tregtisë së lirë në një kohë kur proteksionizmi është përhapur”.

Nga ana e saj, administrata Trump dëshiron që Japonia të heqë pengesat për eksportet bujqësore dhe të automobilave të SHBA-së dhe të reduktojë suficitin e saj tregtar dypalësh, i cili ishte në 58 miliard dollarë (në mallra) në vitin 2018. Por, ndërsa Trump shpesh ankohet se mallrat e Shteteve të Bashkuara përballen me diskriminimin gjatë tregtisë në Japoni, për këtë gjë ai mund të fajësojë vetëm veten e tij. Është e natyrshme që eksportuesit amerikanë të humbasin një pjesë të tregut në krahasim me homologët e tyre në Europë dhe në vendet e CPTPP-së. Tashmë me Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Japonisë, deficiti tregtar i SHBA-së me Japoninë ka gjasa të rritet akoma më shumë.

Dhe Trump që mburrej aq shumë për “artin e tij për të nënshkruar marrëveshje”. Negociatori gjasme i shkëlqyer i ka lënë eksportuesit amerikanë në një disavantazh të rëndë në tregjet që përfshijnë Unazën e Paqësorit dhe Europën. Më keq akoma, Kina tani po kërkon një Mega-MTL midis 16 vendeve nën Partneritetin Rajonal Gjithëpërfshirës Ekonomik (RCEP), negociatat për të cilin po vazhdojnë (edhe pse shumë ekspertë të Kinës nuk presin që një marrëveshje të arrihet së shpejti).

Këtu vlen të kujtojmë se TPP do ta kishte përjashtuar Kinën dhe do të kishte mbyllur për një afat të gjatë një bllok tregtie të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Azi. Asnjë marrëveshje që administrata e Trump bën me Japoninë nuk mund ta kompensojë atë që Shtetet e Bashkuara do të kishin arritur nën TPP-në. E shumta, Shtetet e Bashkuara do të rikuperojnë kushtet e TPP-së në lidhje vetëm me Japoninë, sesa me të 11 nënshkruesit fillestarë. Edhe pse Abe ka shprehur gatishmërinë e tij për të negociuar në mënyrë bilaterale me Trump, ai nuk mund t’i ofrojë Shteteve të Bashkuara kushte më të mira sesa ato që u jepen partnerëve të Japonisë në CPTPP.

E kemi parë edhe më parë këtë gjë. Me çdo negocim të Trump, Shtetet e Bashkuara parashtrojnë kërkesat e tyre, ofrojnë shumë pak në këmbim dhe kërcënojnë “ndëshkim” nëpërmjet tarifave nëse nuk bëhet si duan ato. Ashtu si hajduti që thotë “paratë ose jetën”, nuk ka ndonjë negociatë të vërtetë që mund të diskutohet. Duke u sjellë si një i fortë i pasigurt, Trump e ka lënë SHBA-në gjithnjë e më të izoluar në ekonominë globale. Prodhuesit dhe konsumatorët amerikanë po e paguajnë tashmë çmimin. Pyetja e vetme është se edhe sa “fitore” janë të gatshme të durojnë ata.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button