A ia mban Blushit të bëhet Hasan?
Nga Andrea Stefani
Deputeti i PS, Ben Blushi, e ka kritikuar përsëri “Rilindjen” sepse, sipas tij, paska bërë një tradhti që ka kandiduar për kryetar bashkie në Kukës, Hasan Halilajn, kryebashkiakun aktual që e ka marrë atë post zgjedhjeve të mëparshme nën flamurin e PD. Pse zgjodhi “Rilindja” Hasanin? – pyet Blushi duke vazhduar retorikisht: Se qe demokrat, se kish vota, miq, para, se kish punuar shumë mirë, se qe i pavarur, apo se u përpoq gjithë këto vite të ndryshonte qeverisjen e PD?! Përgjigjja për Blushin është: E kanë zgjedhur për një pjesë të këtyre që thua! Gjithsesi, duke marrë shkas nga ky rast, Blushi denoncon me alarm për atë që e quan “hasanizimi i Rilindjes” dhe i Shqipërisë. Dhe në këtë moment, shfaqen problemet që ai ka, jo thjesht me “Rilindjen”, por edhe me të vërtetën. Kjo është thembra e Akilit e gjithçkaje që shkruan Blushi. Duke mos e pasur aleat të vërtetën, ai e merr atë, e spërdredh duke e shndërruar në një gënjeshtër për të shfrytëzuar vetëm dukjen, si shfaqje e rreme e së vërtetës. Prandaj merret më shumë me dukjen, se thelbin e gjërave, me perceptimet e realitetit dhe jo me realitetin e perceptimeve.
***
Blushi ka një hall: E ka shpallur Rilindjen të vdekur ndaj është vënë në kërkim të fakteve të kalbëzimit të kufomës. Dhe nxiton ta gjejë një të tillë në rastin e Hasan Halilajt që, gjithsesi, është vetëm një rast ndaj edhe e nxituar ta përgjithësosh. Por, për më tepër, është rasti i gabuar që Blushi megjithatë, nuk ngurron ta tentojë si kauzë, sepse nuk i bëhet vonë për të vërtetën. Por e vërteta është se Hasani nuk është “hasan” në kuptimin që e përdor Blushi. Pra, “pa din e pa iman”, “pa kurajë, guxim dhe pa nishan”. Sepse Hasani ka guxuar t’i thotë JO kryetarit të partisë së vet, Sali Berishës, kur ai ishte edhe Kryeministër pra, njeriu më i pushtetshëm në vend. I ka thënë JO, përveç të tjerave, se kanë dashur ta detyrojnë të firmosë për një projekt të korruptuar dhe të dështuar si ai i ujësjellësit të Kukësit. I kanë bërë presion ministra të qeverisë së kaluar që të firmosë marrjen në dorëzim të projektit 4 milionësh edhe pse uji nuk u shkonte kuksianëve në shtëpi. I kanë thënë të bëhet me kuçedrën e korrupsionit që ka bllokuar ujin e Kukësit. Por Hasani ka dalë kundër partisë, ka dalë kundër qeverisë së tij dhe ka marrë anën e interesit të qytetarëve. I ka thënë JO atij që shumë të tjerë i thoshin PO edhe kur mendonin JO, atij që edhe kur deklaron se ikën nga kreu i partisë, vazhdon të rrijë në krye dhe të gjithë, si në përrallën e Andersenit, thonë se “ka ikur” se nuk e shohin kurrkund kur e shohin, e dëgjojnë dhe e duartrokasin gjithkund. Shkurt, Hasani, në rastin në fjalë, ka treguar një integritet që pak e kanë demonstruar në këto dekada. Nëse ky është “hasanizmi”, atëherë e them me plot gojë se një hasanizim i tillë i duhet Shqipërisë dhe se është shumë keq që nuk kemi ca më shumë “hasanë”. Ndaj them se Blushi i ka rënë kot më qafë Hasanit dhe i detyrohet një ndjesë publike. Divorcimi me atë që e mendon si alternativë e keqe qenka të jesh “pa din e pa iman”?! Mos vallë politikanë si Gjergj Bojaxhi, që i kanë kthyer shpinën PD-së, sepse nuk janë dakord me politikën e saj, janë “pa din e pa iman”? Është krejt e kundërta. Një divorc i tillë është provë e integritetit dhe e lirisë së njeriut.
***
Mendoj që nuk ka asgjë të keqe që, kur është fjala për pushtetin lokal, të mbështesësh edhe një kandidat që megjithëse nuk ka qenë i kampit tënd, premton të mbrojë interesat e qytetarëve. Edhe unë, si dhe Blushi, nuk e njoh Hasanin apo bilancin e punës së tij, por episodi i mësipërm i përket një rasti që tregon se “ka bythë” të qëndrojë para diktatit të klanit në pushtet në mbrojtje të një interesi publik. Dhe kjo është rrënja premtuese e një qeverisjeje të mirë. Por edhe nëse Rilindja e ka zgjedhur Hasanin edhe se “ka vota” mirë ka bërë. Kjo quhet realpolitikë.
***
Pak ditë më parë, Rexhep Meidani, në një intervistë, nënkuptonte se në rastin e zgjedhjeve vendore më shumë se orientimi partiak, ka vlerë ndër të tjera, integriteti i kandidatit. Mejdani mbështeste disa nga kritikat e Blushit për Rilindjen dhe është ironike të shohësh sesi Blushi kritikon Rilindjen pikërisht sepse ka bërë atë që këshillon edhe mbështetësi i tij, Meidani, ka preferuar integritetin para orientimit partiak. Blushi e akuzon Rilindjen se ka bërë tradhti që ka zgjedhur Hasanin, se kjo qenka provë e humbjes prej saj të virtyteve. Blushi e mendon si degradim të Rilindjes faktin se që të jesh pjesë e qeverisjes së saj “nuk është e thënë të jesh socialist”, “nuk është kusht të jesh i majtë”! Po, është e vërtetë, nuk është kusht. Por ky nuk është degradim, ky është emancipim! “Rilindja” ka gjykuar më liberalisht. Ten Siao Pini thoshte: Nuk ka rëndësi nëse macja është e zezë apo e bardhë sa kohë që kap minj! Enveri e shpalli Tenin revizionist, d.m.th. tradhtar!
***
Po Blushi që kritikon Ramën tani që është edhe Kryeministër, nuk është edhe ai një “hasan”? Druaj se jo. Sepse mund ta kritikosh kryetarin e partisë apo Kryeministrin, por varet se nga ç’pozita dhe pse? Në këtë botë ka jo pak gjëra me dukje të njëjtë, por me thelb të ndryshëm. Për shembull, Pjetri i Madh i Rusisë, ua qethte flokët dhe mjekrat muzhikëve që të bëheshin europianë, ndërsa Enver Hoxha ua qethte flokët shqiptarëve që të mos bëheshin europianë! Dua të them, se është ndryshe ta sulmosh Kryeministrin edhe pasi ke marrë një post, dhe ndryshe është ta sulmosh, pasi nuk ke marrë një post. Hasani u divorcua me PD dhe Berishën kur “ia kishin dhënë” kolltukun. Sot ka më shumë se kurrë kolltukofagë të tranzicionit që lënia pa kolltuk u duket padrejtësia më e madhe në botë, sepse kanë për kolltukun, po atë pretendim që mund të ketë një breshkë për zhguallin e saj! Ndaj e sulmojnë Ramën dhe “Rilindjen”, shfaqin pakënaqësi, më së shumti, nga se nuk janë më në listat e deputetëve, se nuk janë më ministra, se nuk janë më presidentë, se nuk kanë më kolltuk. Nuk them me siguri se Blushi është një nga këta, por duart në zjarr nuk i vë dot. Dhe, për të mbetur i sinqertë deri në fund, nisur dhe nga përvoja e kaluar kur Blushi ka qenë ministër, nuk besoj se do ta ngrinte sot zërin kundër “Rilindjes” nëse do kishte marrë ndonjë post pra, nuk besoj se do ngrihej dot deri në nivelin e Hasanit! Pra, çështja shtrohet: A bëhet dot Blushi Hasan? Nuk është çështje dijesh apo fame. Është çështje karakteri.
***
Edhe kur flet për hasanizimin si dukuri ekskluzive e Rilindjes, Blushi e shtrembëron të vërtetën. Sepse “hasanizimi” i Shqipërisë (në kuptimin pezhorativ që i jep këtij apelacioni Blushi), nuk ka nisur sot, me “Rilindjen”, por 20 e kusur vite më parë e në vazhdim me mjaft deputetë që kalonin nga njëra parti në tjetrën, nga një kamp në tjetrin, për nevoja krejt banale. Madje ka parti që kanë ndërruar krahun në minutën e fundit si për shembull, ajo e Lufter Xhuvelit. Dhe Xhuvelizmi, në mos gaboj, ishte rasti i parë i kalimit të paparimtë të ylberit nga një parti politike. Më pas kanë ndodhur shumë kërcime të tjera që, duke u nisur nga emrat e kryetarëve të partive, mund të pagëzoheshin si ndokizëm, duleizëm, metizëm, cekizëm etj. Veç, për të mos rënë në gabimin e mashtrimit nga dukja e njëjtë që përmendëm më lart, në të gjithë këto raste duhet parë se sa i kanë shërbyer interesit publik apo gjakimeve klanore. Se jo të gjitha kalimet në kampin tjetër janë kundër interesit publik, jo të dobishme, të këqija, tradhti.