A ka pakt me Serbinë? Mediet publikojnë draftin: E gjetëm në Facebook
Një portal nga Presheva publikoi, pa cituar burime, 22 pika, për të cilat thotë se janë pikat kyçe të draftmarrëveshjes së propozuar të “Traktatit të miqësisë dhe fqinjësisë së mirë” mes Serbisë dhe Kosovës, me ndërmjetësimin e SHBA-ve, Rusisë dhe Francës.
Lajmi u ripublikua nga shumë medie “online” në Kosovë dhe Serbi, duke krijuar një pështjellim të madh. Megjithatë, ky lajm “fake news” apo i vërtetë është përhapur me shpejtësi. Po çfarë thuhet në të dhe si është shpjeguar shkëmbimi i territoreve?
1. Palët në përfundim të miratimit të kësaj marrëveshje firmosin TRAKTATIN E MIQËSISË dhe FQINJËSISË së mirë!
2. Të dyja shtetet e reja me kufinjtë e rinj njihen mes veti dhe bëhen anëtare të OKB-së në të njëjtën kohë.
3. Kufiri perëndimorë mes dy shteteve është tërë vija gjatësore e Liqenit Ujman/Gazivod. Nga ana kosovare në linjën: Vitkovigje-Bërnjak-Rezallë- Kovaç -Zubin Potok.
Nga ana serbe pjesa mbi Zubin Potok deri në kufirin aktual.
4. Serbisë i kalon territori në linjën Zubin Potok-Zupçe-Zveçan-Zheronicë- Banjskë-Vuçe-Leposaviq-Zemanicë.
5. MITROVICA – bashkohet, merr statusin e “FREE CITY” me afat kohor prej 35 vjetësh jo më shumë se 99 vjeçare dhe përfshin rrethin me kufinjtë: Zemanicë-Dren-Ceraj-Maxhere-Stari Tërg-Bajgor-Kqik i Madh- Koshutovë -Zupçe.
Administratori/Kryetari i qytetit është me Presidium: një serb, një shqiptarë dhe një i caktuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së me
mandat 5 vjeçarë. Qyteti ka edhe KUVENDIN e vet me 50 asambleist, të ndarë përgjysëm dhe 5 të huaj të caktuar nga Administratori i huaj. Qyteti ka buxhetin, policinë, letërnjoftimet dhe pasaportat e veta, kurse ushtria NATO-së ruan sigurinë. Monedha që përdoret është EURO.
6. BUJANOCI merr statusin SPECIAL DISTRIKT për 35 vjet jo më shumë se 99 vite me këtë linjë rrethore: Bozhinjevc-Zhuzeljic-Srpska Kuca- Davidovac-Ristovac-Karadnik-Rakovac-Ternoc i Madhe-Konçul-Lluçan- Nesalcë-Borovac-Somolice. Qyteti ka Presidium prej 3 anëtarësh, Kuvendi me 30 anëtarë përgjysëm, 3 të huaj. Policia është e përzier prej 3 anëtarësh, buxheti financohet nga Serbia, Kosova dhe BE proporcionalisht. Monedhat e lejuara janë EURO dhe DINARI. Letërnjoftimet dhe Pasaportat janë me simbole të BE-së, por qytetarët zgjedhin edhe një tjetër në mes Serbisë dhe Kosovës si dokumente të dyta. Qyteti merr edhe statusin e “FREE TAX ZONE”.
7. Presheva hyn tërësisht në Kosovë me këtë linjë kufitare: Slavujevc- Ljanik-Svinjishte-Sebrat-Kustice-KLENIKE-Trejak-Bogdanovac-Somolicë- Letovicë.
8. Baza ushtarake “JUG” në CEPOTIN bëhet bazë e SHBA-ve, por e përzier, e cila do të ketë rreth 1700 ushtarë, prej tyre 50 për qind serb dhe 50 për qind shqiptarë me status civil mbikqyrës dhe këshillues.
9. Korridori 10 për 15 vite është i mbrojtur nga NATO dhe lëvizin lirshëm gjitha palët.
10. Serbia me financim të BE-së ndërton Korridorin e ri që ndjek linjën Davidovac-Ristovac-Krsevice-Klinoc-Sv.Petka-Klenike-Starac dhe del në Pelince (MKD).
11. Medvegja si qytet mbetet nën Serbi me ca fshatra. Në Kosovë kalojnë : Vrapce, Svirce, Sijarina, Stara Banja, Marovc, Tupalle, Kapiti. Janë në negocim me Banjën e Sijarines dhe Retkocerin.
12. Palët nuk kanë pretendime për reparacione lufte.
13. TREPÇA merr STATUS SPECIAL, me krijimin e Konzorciumit të përbashkët nga kapitali amerikan-francez-rus-kinez, për 99 vite në shfrytëzim. Nga kontributet 15% i ndahen Mitrovicës, 35% për Serbinë dhe 50% për Buxhetin e Kosovës.
14. Ujmani/Gazivoda bëhet pronë e përbashkët serbo-shqiptare me administrim sipas konventave ndërkombëtare. Investimet dhe administrimi teknik i jepet një Kompanie angleze dhe gjermane për 99 vite.
15. Elektroenergjetika ndahet në proporcion 75% për Kosovën dhe 25% për Serbinë, për shkak të DAB-eve dhe Interkonjeksioneve. Administrimi amerikan, austriak dhe gjerman. Modalitetet tjera akoma të pazgjidhura.
16. Patriarkana e Pejës dhe Kisha e Deçanit marrin status EKSTRATERRITOR(EX-PATRIA). Kisha e Prizrenit dhe Manastiri i Graçanicës merr status Ekstraterritorial në territor të Kosovës. Kishat e tjera mbesin pa status. Formohet Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë pa fuqi ekzekutive, por vetëm si KËSHILL NACIONAL për të adresuar problemet në qeveri.
17. Të gjitha pikat kufitare mes dy shteteve do të jenë TË INTEGRUARA me një kalim.
18. Serbia merr statusin shtet anëtarë i BE-së brenda vitit 2021-2022, kurse Kosova brenda vitit 2030.
19. Serbia përfiton Një Plan Marshall me investime prej 3.5 miliardë euro për infrastrukturë moderne dhe investime strategjike. Kosova përfiton nga ky Plan investiv prej 1.2 miliardë euro.
20. Të dyja shtetet brenda 10 viteve obligohen të heqin nga tekstet shkollore terminologjitë raciste dhe denigruese për njëri- tjetrin.
21. Njihen pensionet dhe sigurimet ndërmjet dy palëve, qytetarët pavarësisht gezojnë të drejtat respektive në të dyja shtetet.
22. Kjo marrëveshje garantohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, BE-ja dhe NATO-ja.
Në negocim janë edhe tri çështje tjera:
1. Serbia kërkon që të njoh Kosovën në emrin e saj kishtarë si Kosova e Metohija për nevoja të saj lokale, kurse në OKB do ta njoh si Kosovo, pra don ta regjistroj me dy emra.
2. Asnjë shtet nuk ka drejtë të bashkohet me shtetin tjetër, apo territorin tjetër për 99 vjet
(zgjidhet kriza në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Maqedoni).
3. Palët obligohen që të kenë votë unanime në OKB për çështjet e caktuara (për çështjet teknikisht ende të hapura).
Të gjitha pikat e marrëveshjes duhet të mbarojnë deri në datën 15 Maj 2019.
Marrëveshja finale firmoset nga data 28 qershor deri 13 korrik 2019.
Deri në fund të tetorit 2019, parlamentet e të dyja shteteve e bëjnë ratifikimin dhe i ndryshojnë Kushtetutat e tyre.
Zbatimi i plotë i kësaj marrëveshje fillon më 01 Nëntorë 2019.
Ky lajm ka prodhuar reagime të menjëhershme. Njëri prej udhëheqësve kryesorë të UÇK-së, Bardhyl Mahmuti ka thënë se dikush po manipulon me një hartë, në të cilin pretendohet se Kosova fiton më shumë në një shkëmbim të mundshëm territoresh me Serbinë.