A ka regjistrime të bisedave Trump-Comey?
Ligjvënës republikanë po i kërkojnë Shtëpisë së Bardhë të publikojë regjistrimet e bisedave kryesore që kanë patur Presidenti Donald Trump me drejtorin e shkarkuar të FBI-së James Comey, nëse ato eksiztojnë.
Në qoftë se ekzistojnë, kasetat me bisedat e regjistruara mund të sqarojnë çështjen nëse gjatë darkës në Shtëpinë e Bardhë në muajin shkurt, zoti Trump i ka kërkuar zotit Comey, i cili në atë kohë drejtonte hetimin e FBI-së për mundësinë e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale, të hiqte dorë nga hetimi ndaj Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare Michael Flynn.
Presidenti Trump e kishte shkarkuar zotin Flynn pasi doli se ai kishte gënjyer nënpresidentin Pence lidhur me kontaktet e tij me ambasadorin rus në Uashington.
Në një dëshmi dramatike para ligjvënësve javën e kaluar, zoti Comey tha se kishte ndjerë se Presidenti Trump i kishte sugjeruar të mos e vazhdonte hetimin ndaj zotit Flynn.
Zoti Comey po ashtu dëshmoi se presidenti Trump i kishte kërkuar të tregonte bensikëri ndaj tij, gjë që ish drejtori i FBI-së nuk pranoi ta bënte, si dhe të “largonte renë” e krijuar lidhur me hetimin ndaj ndërhyrjes ruse.
Ekspertët ligjorë thanë se rrjedhja e informacionit prej zotit Comey lidhur me bisedën që ai kishte patur më 14 shkurt me Presidentin, tek një mik i tij, i cili ia dha atë gazetës “The New York Times”, mund të mos ketë qenë diçka e paligjshme, pasi informacioni nuk ishte sekret.