Kryeartikull

A mund të mposhtet varfëria?

Organizata e Kombeve të Bashkuara, në vendimet që mori në takimin e Asamblesë së saj të fundit në Nju Jork, ndër të tjera u zotua se deri në vitin 2030 nuk do të ketë më varfëri ekstreme. Kjo mund të jetë e mundshme, sipas analizës që ofron gazeta më e njohur gjermane, duke mbajtur parasysh opsionet që ajo ofron.

Pamjet që kanë mbizotëruar në lajmet e mediave muajt e javët e fundit, duhet të ishin një dush me ujë të ftohtë për këdo që ëndërron për një botë më të mirë: fëmijë që mbyten në det, kampe refugjatësh të tejmbushur, radhë të gjata njerëzish të dëshpëruar që i largohen luftës e urisë. Me drejtësinë në botë, siç duket, punët nuk duken aspak mirë.

E s’të shkon ndërmend shpejt të harrosh se kjo botë në dekadat që kanë kaluar, ka arritur në fakt mjaft rezultate mbresëlënëse: ajo është kujdesur, që më shumë se një miliard njerëz t’i largohen varfërisë në rang global. Para 25 viteve, ishin thuajse dy miliardë njerëz e kësisoj gjysma e popullsisë në vendet në zhvillim, ata që rronin me më pak se 1,25 dollarë në ditë, siç rezulton nga të dhënat zyrtare të Bankës Botërore për nivelin e varfërisë në botë. Sot, janë akoma 14 për qind apo e thënë ndryshe, më shumë se 800 milionë njerëz në botë, që rrojnë nën këtë nivel.

Kjo, natyrisht që nuk do të thotë se të gjithë ata, që zyrtarisht nuk janë ekstremisht të varfër, kanë arritur të krijojnë një jetesë pa ankesa e të sigurt. Edhe me 1,50 dollarë në ditë, jeta është sigurisht, sërish shumë e vështirë. Dhe tregues të tjerë të shkallës zhvillimore, siç janë për shembull vdekshmëria foshnjore apo ajo materne, nuk janë përmirësuar aq fort, sikurse niveli i të ardhurave të të varfërve.

Edhe Banka Botërore ka vendosur ta përshtatë kufirin e varfërisë, në mënyrë që të mbajë e përllogarisë si duhet kostot e ngritura të jetesës në vendet në zhvillim. Nga tetori, sipas saj, tashmë vlejnë si të varfër ata persona që arrijnë të kenë të ardhura më të vogla sesa 1,90 dollarë në ditë.

Mirëpo edhe shifrat që orientojnë nivelin aktual të varfërisë janë një arsye për t’u gëzuar. Ato tregojnë se jeta për një numër në rritje njerëzish sot është diçka më shumë sesa lufta e pastër për ekzistencë, siç është vepruar në fakt për shekuj.

Shumë madje po arrijnë të ngjisin shkallët e të renditen tashmë në shtresën e mesme: numri i atyre që kanë më shumë se katër dollarë në dispozicion në dorë dhe kësisoj, sipas kritereve të vendosura nga Banka Botërore, i përkasin shtresës së mesme, është trefishuar në 25 vitet e fundit.

Si i kanë shpëtuar varfërisë kaq shumë njerëz?

Si është arritur pra që në një kohë relativisht të shkurtër, të çlirohen nga varfëria kaq shumë njerëz? Dhe çfarë do të thotë kjo arritje për shanset që mund të kenë të varfrit e mbetur për të njohur rritje në harkun kohor të 15 viteve të ardhshme, sipas normave të përcaktuara nga Banka Botërore? Pasi ky është një ndër të shumtët synime zhvillimore, që u vendosën si prioritete në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së gjatë fundjavës që mbyllëm: pra, mposhtja përfundimtare e varfërisë ekstreme.

Më parë, ndoshta do të ishte mirë që të bënim një sqarim për atë se çfarë nuk duhej bërë: të mos orientohemi shumë nga kriteret e vendosura prej Bankës Botërore. Megjithëse kufijtë e varfërisë, si ai i 1,25 apo dhe ai i 1,90 dollarëve në ditë, nuk kanë kuptim – pasi sidoqoftë, në fund të ditës, duhet të matësh apo vëresh nëse diçka ka pësuar përmirësim – shtohen nga ana tjetër e bëhen mal edhe rreziqet.

Kërkuesit e fushës së luftës ndaj varfërisë, kanë paralajmëruar gjithnjë e më shumë se vendet e prekura prej saj, duhet të përqendrohen te resurset njerëzore që gjenden pak nën kufirin e varfërisë – e që e kanë edhe më të nevojshme ndihmën. Një “mosbesim i shëndetshëm” kundrejt sukseseve të shtyra e të ndikuara nga statistikat, duket pra i justifikuar.

Kina thuajse e ka mundur varfërinë

Në vend të saj, ia vlen të shohësh se ku është mposhtur varfëria më me sukses deri më tani. Sidomos një vend del më shumë në pah në këtë kontekst: Kina. Atje, në vitin 1990, sipas kritereve të përcaktuara ndërkombëtarisht, thuajse dy të tretat e popullsisë ishin akoma “ekstremisht të varfër”, ndërsa sot, numri i tyre është vetëm katër për qind e popullsisë. Shumë prej atyre të dikurshmëve “të varfër”, ia kanë dalë me sukses që të arrijë renditjen në shtresën e mesme. Nga një ndër vendet më të varfra të botës, sot Kina është bërë një vend ku varfëria thuajse është mposhtur. Nga njerëzit që në 25 vitet e fundit kanë arritur t’i shpëtojnë varfërisë, ka qenë një në çdo dy kinezë. Përse?

Kina ia ka dalë me sukses të bëjë atë që shumë vende në zhvillim – e para së gjithash këtu mund të përmendim Afrikën Subsahariane, që për arsye të ndryshme nuk ia ka dalë – nuk kanë mundur dot: integrimi në ekonominë globale. Reforma e tokës në vitet tetëdhjetë, e bëri bujqësinë kineze të aftë për të konkurruar ndërkombëtarisht.

Shndërrimi i ndërmarrjeve kolektive në sipërmarrje shtetërore konkurruese në ekonominë e tregut, si dhe investimet në prodhimin e të mirave materiale për tregun botëror dhe investimet në infrastrukturë, sollën ndërtimin e një industrie të suksesshme. Të mrekulluar nga sasitë e mëdha të kapitalit të huaj – që pas hapjes së vendit nga Ten Hsiao Pin, u ngritën e zonat ekonomike speciale, duke ia nisur nga fundi i viteve shtatëdhjetë, që siguruan potenciale në tregun e brendshëm kinez.

Falë këtyre masave, përqindjet e rritjes në Kinë, qysh prej dekadash tashmë, renditen te më të lartat në botë. Dhe kjo u vjen në ndihmë sigurisht, edhe kinezëve të varfër, pikësëpari. “Rritja ekonomike është në terma afatgjatë, kushti më i rëndësishëm për luftën ndaj varfërisë”, thotë eksperti i ekonomisë, Markus Loewe nga Instituti Gjerman për Politikat Zhvillimore. E rëndësishme gjithsesi është që – dhe për këtë duhet folur akoma – rritja të prekë e të shpërndahet edhe te të varfrit. Në veçanti pastaj, atëherë kur një vend nuk rritet dhe aq shpejt me ritme si ato të Kinës.

Pengesat në tregje bllokojnë zhvillimin

Ndërsa rritja ekonomike është edhe parakushti më i rëndësishëm për luftën ndaj varfërisë, pjesëmarrja në tregjet ndërkombëtare për një vend në zhvillim, është gjithashtu rruga më e shpejtë drejt rritjes. Ekonomistët vlerësojnë nxitjen e tregut të lirë në këtë mënyrë si metoda më e mirë për ndihmën për zhvillim.

Çdo dollar që investohet në liberalizimin e tregut, siç vlerësojnë së fundmi studiuesit e ekonomisë në “Consensus Center” në Kopenhagë, të grupuar rreth ekspertit, Björn Lomborg, do t’i sillte botës në tërësi një rritje të mirëqenies potenciale, prej 2100 dollarësh. Një vend në zhvillim do të përfitonte kësisoj madje edhe deri në 3400 dollarë.

Për krahasim: çdo dollar që rrjedh në duart e filantropëve si Bill Gates etj., në luftën kundër malaries, sipas Lomborg, sjell me vete 36 dollarë përfitime potenciale. Kush për shembull ekspozohet më së shumti në mposhtjen apo reduktimin e varfërisë ekstreme, ai pra duhej së pari të diskutonte një akses më të mirë në tregjet botërore. E aty ka akoma shumë për të bërë. “Le të marrim për shembull Tunizinë”, thotë ekonomisti gjerman, Loewe.

“Vendi në fjalë ka një bujqësi të aftë për konkurrencë në tregjet ndërkombëtare dhe në fakt mund të eksportojë pa doganë fruta e perime drejt Europës, por vetëm në muajt ku nuk ka korrje në vendet e BE-së”. Kjo nuk i sjell asgjë Tunizisë, pasi të korrat atje nisin e mbyllen në të njëjtën kohë si në vendet e Europës jugore.

Të tilla pengesa e handikapë në tregje janë një ndër arsyet se përse vende si Tunizia nuk i arrijnë dot shifrat e shpresuara të rritjes ekonomike, për të siguruar në terma afatgjatë mirëqenien. Heqja e të tilla kufizimeve mund të shpëtonte miliona njerëz nga kthetrat e varfërisë.

Si të shpërndahet pasuria njëtrajtshmërisht?

Edhe më e rëndësishme sesa rritja absolute është sidoqoftë, fakti që banorët e një vendi të përfitojnë sa më shumë prej saj në mënyrë të njëtrajtshme. Në shumë prej vendeve në zhvillim me rritje të lartë ekonomike, ky fenomen nuk ndodh, sidomos kur mirëqenia vjen vetëm nga një burim i vetëm, siç janë burimet natyrore.

Kështu për shembull, një vend i vogël si Guineja Ekuatoriale, falë rezervave të saj natyrore dhe eksporteve të lëndëve të para, po përjeton shifra të larta rritjeje ekonomike. Por prej tyre po përfiton vetëm një elitë, që paratë e fituara prej kësaj veprimtarie, i dërgon menjëherë jashtë vendit.

Si mund të sigurohemi pra që të përfitojnë të gjithë nga një rritje ekonomike nacionale? “Më e rëndësishmja është të forcosh aksesin e të varfërve në arsim dhe shëndetësi”, thotë Loewe. Iniciativat private, si për shembull, Programi kundër Malaries i fondacionit “Gates”, mund të ndihmojë që në terma afatgjatë, një vend të ndërtojë një infrastrukturë funksionale shtetërore.

Sa të qëndrueshme janë synimet e reja të OKB-së?

Këtu bën pjesë edhe ndërtimi i linjave të transportit, në mënyrë që njerëzit nga rajonet e izoluara, të arrijnë të kenë akses në qendrat ekonomike me potencial punësimi, si dhe çmontimi i rregullave që kufizojnë mobilitetin e njerëzve – siç është për shembull, rregulli që arritje të caktuara sociale, t’u paguhen vetëm atyre shtetasve që qëndrojnë në fshatrat e tyre të lindjes.

Mobiliteti në rritje është edhe në rrafsh global një ndër rrugët më të mira për të arritur mirëqenien: thuajse asnjë vendim nuk i ofron një njeriu ambicioz në një vend në zhvillim në rritje, kaq norma të larta përfitimesh në mirëqenie, si ata që e provojnë fatin e tyre në një vend më të pasur.

Lufta dhe shkatërrimi e kthejnë zhvillimin me dekada pas

Për njerëzit shumë të varfër, kjo sigurisht që nuk është fare një opsion. Ata kanë nevojë së pari për shanse që zhvillohen në një terren më direkt. Ekonomistët zhvillimorë kërkojnë kësisoj së pari mbështetjen e sipërmarrjeve të vogla e të mesme. Koncernet globale, sigurisht se ofrojnë shpesh vendet më të mira të punës. Sidoqoftë, vetëm për punëmarrës shumë të kualifikuar, që në shumicën e vendeve të zhvilluara janë në pakicë.

Dhe po ashtu, edhe mikrosipërmarrjet e shumëlëvduara shërbejnë mirë si “fotomotiv”, por shpesh ofrojnë vetëm rroga sa për të mbajtur barkun me bukë dhe kanë shanse minimale për rritje. “Shumica e vendeve të punës krijohen nga shtresa e mesme”, thotë ekonomisti Loewe. “E në Afrikë nuk është ndryshe nga këtu te ne”, thotë ai.

Një pjesë e madhe e këtyre masave shpalos ndikimin e saj vetëm në terma afatgjatë. Për të zbutur varfërinë në terma afatshkurtër, ofrohen edhe forma joburokratike apo ndihma direkte, si për shembull, shuma të vogla parash, të cilat u paguhen në dorë direkt atyre më të varfërve. Njerëzit shumë të varfër e dinë tek e fundit zakonisht se cilat janë problemet e tyre më urgjente.

Donacionet direkte kësisoj janë më efektive sesa ndihma për zhvillim, që rrjedh në shtet e shpesh nuk arrin fare të prekë direkt të varfrit e kontingjentet e parashikuara.

Të gjitha këto strategji së bashku ofrojnë, sipas pikëpamjes së ekspertëve të ekonomisë, plotësisht shansin për ta mposhtur varfërinë në vitet në vijim. Një problem megjithatë mbetet ai kundër të cilit asnjëra nga strategjitë nuk mund të bëjë dot shumë.

Shumë njerëz ekstremisht të varfër jetojnë në vende që janë kapluar nga luftërat apo që janë në vetvete shtete të rrënuara. Disa vite luftë civile si në Siri, mund ta kthejnë zhvillimin ekonomik, sigurisht, shumë dekada pas. Firmat e huaja nuk kanë më besim të investojnë atje e të paktët të pasur vendas, i dërgojnë paratë e tyre më mirë jashtë vendit. Parakushti më i rëndësishëm për luftimin e varfërisë atje, është njëkohësisht edhe më i vështiri për t’u arritur: paqja.

Burimi: Frankfurter Allgemeine Zeitung

Përshtati në shqip: Armand Plaka

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button