A na leverdis ekonomikisht integrimi në BE
KLODIAN MUÇO
Në vitet e fundit, në qendër të debatit politik dhe ekonomik të Shqipërisë janë reflektimet mbi rritjen e konkurrueshmërisë së Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare. Presioni fiskal, kostoja e punës shumë e ulët në tregun shqiptar dhe thithja e investimeve të huaja në këto vitet e fundit duket se nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme, jo vetëm për të qenë konkurrues në tregjet e huaja, por edhe qoftë për të prodhuar për tregun vendas dhe konsumin e brendshëm.
Kohët e fundit është folur shpesh për stimulimin e ndërmarrjeve të huaja për të spostuar një pjesë të prodhimit në vendin tonë. Ose më saktë, kemi kërkuar shpesh ndërmarrjet e huaja që operojnë në sektorë tradicionalë me kompartimente prodhimi që përdorin një punë intensive jo të specializuar.
Sipas teorive ekonomike moderne, kostoja e ulët e punës është një ndër faktorët primarë të spostimit të ndërmarrjeve jashtë kufijve nacionalë, ose më saktë të fragmentizmit ndërkombëtar të prodhimit.
Kur flasim për kosto të punës nuk duhet ngatërruar me rroga të ulëta, sepse jo gjithmonë një rrogë e ulët koincidon me një kosto të punës shumë të ulët.
Nëse shohim në vitet e fundit ecurinë e Italisë, e cila është partneri ynë primar si për sa u përket shkëmbimeve tregtare, si për sa u përket investimeve të huaja, vëmë re se në dhjetvjeçarin e fundit rreth 27 mijë ndërmarrje italiane kanë spostuar prodhimin në vende të tjera duke krijuar 1.5 milionë vende të reja pune jashtë, e duke i lënë shtetit italian një faturë prej 15 miliardësh euro për të paguar për asistencën sociale. Nga këto ndërmarrje, vetëm 10% janë spostuar në Azi, pjesa tjetër janë spostuar në vendet e Perëndimit si Austria, Zvicra apo Gjermania, apo në vendet e Ballkanit, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Këto vende po shfaqin një potencialitet të madh të rritjes si në aspektin ekonomik po ashtu edhe në atë institucional.
Këto vende edhe pse kanë karakteristika socio-ekonomike krejtësisht të ndryshme me vendet si Italia apo Gjermania, mirëpresin një numër të madh ndërmarrjesh të huaja. Për ta bërë më të qartë këtë mjafton fakti se GDP e Ballkanit në 2012 ishte 191 miliardë dollarë, ose sa rreth 1 e dhjeta e GDP të Italisë. E njëjta gjë ndodh edhe nga pikëpamja demografike, Ballkani ka rreth 40 milionë banorë, sa rreth 70% të popullsisë së Italisë. Por kjo s’ka penguar që rreth 17.700 ndërmarrje italiane të spostohen në Ballkan në 10-vjeçarin e fundit, ku vetëm në Rumani janë spostuar rreth 15700 dhe në Shqipëri janë aktualisht rreth 600 të tilla.
Vetëm në ndërmarrjet italiane në Ballkan punojnë rreth 900.000 veta, nga të cilët rreth 800 mijë vetëm në Rumani.
Me hyrjen e kësaj të fundit në BE vihet re një fenomen shumë interesant, pasi ky trend i spostimit të prodhimit në Rumani po ndryshon e në të njëjtën kohë vihet re një “emigrim” i ndërmarrjeve të huaja nga Rumania drejt vendeve të tjera të Ballkanit sidomos në Shqipëri.
Ky fenomen interesant të bën të reflektohet gjatë, pasi arrihet në përfundimin se kur një ndërmarrje nga vendet perëndimore sposton prodhimin në Ballkan nuk kërkuaka vetëm një kosto të ulët të forcës së punës e relativisht të specializuar, që ekziston akoma edhe në Rumani, por kërkojnë mbi të gjitha të punësojnë punëtorë “të pambrojtur”. Pra kërkojnë të kenë liri të punësojnë dhe të heqin nga puna kur të duan dhe si të duan, gjë kjo që në një vend të BE-së është relativisht jo shumë e thjeshtë.
Kur një ndërmarrje sposton prodhimin në një vend tjetër ajo ndjek pothuajse gjithmonë principin e maksimizimit të përfitimit me koston më të ulët të mundshme.
Shpesh më ka rënë rasti të flas me sipërmarrës italianë, të cilët kanë spostuar prodhimin në Shqipëri. Ata më afirmojnë se në shumicën e rasteve në Shqipëri kanë spostuar një pjesë të prodhimit, i cili nuk kërkon kompetenca profesionale të larta, atë që kërkon punë cilësore shpesh ata preferojnë ta mbajnë në vendin e origjinës.
Në Shqipëri mbi të gjitha vijnë për të shfrytëzuar koston e ulët të punës; afërsinë gjeografike, e cila ndikon jo vetëm në kosto, por edhe në kohë. Produkti i prodhuar në Shqipëri në shumicën rasteve nuk shkon për konsumin vendas, duke mos pasur kështu asnjë impakt në uljen e importeve dhe në përmirësimin e balancës tregtare. Sipërmarrësit italianë shpesh më afirmonin gjithashtu se kishin spostuar prodhimin në Shqipëri apo në vendet afër saj jo vetëm për të shfrytëzuar koston e ulët të forcës punëtore, por edhe për të shfrytëzuar impiantin normativ të vendit, i cili edhe pse është në të njëjtën linjë me atë të shumë vendeve perëndimore, aplikimi efektiv i ligjit në këto vende është i “infektuar” nga ineficienca e nga fenomene korrupsioni, kjo sipas tyre edhe pse duket paradoksale ta mendosh, u lejon atyre të punojnë në një “liri” të plotë për të krijuar përfitime të rëndësishme në një kohë të shkurtër. Ata shtojnë se vendet e Ballkanit që nuk bëjnë pjesë në BE janë një realitet në ekspansion e me potencialitet të lartë sidomos për sektorët labor intensive siç mund të jetë ai fason apo call-center. Për këtë potencialitet ata janë të sigurt deri në momentin që ata bëhen pjesë e BE-së. Më vonë, sipas tyre, është vështirë të punosh në këto vende.
Problemi i këtyre sipërmarrësve është fakti se ata edhe pse spostojnë prodhimin në vende si Shqipëria, nuk krijojnë një raport bashkëpunimi të gjatë me vendet ku spostojnë prodhimin. Kjo konfirmohet qartë me çfarë po ndodh vitet e fundit në Rumani ku ndërmarrjet italiane që kishin impiante prodhuese aty po i spostojnë tashmë në Shqipëri apo gjetkë në Ballkan, apo siç ndodhi me ndërmarrjet e sektorit fason të cilat fillimisht ishin përqendruar në Madagaskar e më vonë u spostuan në Marok e Kenia. Pra mund të them se këto ndërmarrje përveç punësimit nuk sjellin vlerë të shtuar në zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm e nuk shkaktojnë atë që Hirschman e përcaktonte si zhvillim të dizekulibruar ku një punësim në një sektor duhet të shkaktonte një efekt domino në investime dhe punësim në sektor të ngjashëm me atë fillestarin.
Gjithashtu vërehet se globalizimi ekonomik për vendet e Ballkanit në tërësi e në Shqipëri në veçanti nuk po sjell një zhvillim të qëndrueshëm në kohë, por mbetet vetëm një zgjidhje e përkohshme deri në momentin që të dalë diçka më e mirë, pa një vizion të qartë për të ardhmen.
Për të pasur zhvillim ekonomik, i cili nuk është sinonim i pastër i rritjes ekonomike nga një anë nevojitet një analizë e mirëfilltë e konsumit të brendshëm për të orientuar investimet, nga ana tjetër duhet nxitur ato investime apo ata sipërmarrës të huaj që kërkojnë të krijojnë një raport afatgjatë me vendin tonë, duke bërë investime serioze dhe jo zgjedhje të momentit. E gjitha kjo duke respektuar të drejtat e punëtorëve dhe të drejtat e të varfërve për t’u mundësuar atyre një jetë më dinjitoze, e mbi të gjitha duke respektuar ambientin ku jetojmë dhe jo duke shfrytëzuar barbarisht natyrën. Dua të saktësoj këtu se edhe unë shpresoj që Shqipëria të bëhet sa më shpejt pjesë e BE-së, por zhvillimin ekonomik të saj duhet ta kërkojmë brenda vendit dhe jo të varim të gjitha shpresat tek integrimi në BE.