Kosova

A po rrezikohet buxheti?

a-po-rrezikohet-buxheti_hdProjektet e planifikuara për këtë vit, rritja e pagave dhe disa vendime të tjera të marra nga Qeveria e Kosovës, nuk rrezikojnë buxhetin e Kosovës, thonë zyrtarë qeveritarë, përderisa ekspertë për çështje ekonomike thonë se qeveria e ardhshme duhet të jetë shumë e kujdesshme në shpenzimet buxhetore.

Një nga projektet më të mëdha në vend për këtë vit është fillimi i ndërtimit të Autostradës Prishtinë – Hani i Elezit, e quajtur “Arbën Xhaferi”, e cila kushton rreth 600 milionë euro, kurse nga buxheti i këtij viti janë ndarë vetëm 30 milionë euro.

Përveç kësaj, ekspertët e çështjeve ekonomike konsiderojnë se edhe vendimi për rritjen e pagave deri 25 për qind për të gjitha kategoritë e të punësuarve publik në Kosovë, dhe disa vendime tjera mund të paraqesin probleme në sistemin buxhetor.

Eksperti i ekonomisë Muhamet Sadiku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë çdo shpenzim buxhetor duhet të jetë i matur dhe i analizuar mirë nga qeveria e ardhshme, sepse problemet buxhetore mund të jenë evidente.

“Këto situata më tepër i quaj ‘aksidente fiskale’ dhe duhet të jemi të kujdesshëm në mënyrë që nëse deri më tani kemi pasur një stabilitet fiskal, në një periudhë të ardhshme mos të futemi në situata të palakmueshme. Mund të futemi në deficit buxhetor dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar gjithnjë ka ngritur këto shqetësime fiskale, prandaj kërkohet një kujdes jashtëzakonisht i madh”, shprehet Sadiku.

Profesori në Kolegjin “Riinvest”, Alban Hashani, ndërkaq thekson se projektet dhe vendimet e përmendura rrezikojnë qëndrueshmërinë brenda limiteve buxhetore.

Qeveria e Kosovës, thotë ai, duhet t’i balancojë burimet me obligimet materiale.

“Kosova jo se do të ketë probleme me deficitin buxhetor, për shkak se kjo kufizohet me rregullat fiskale të buxhetit, mirëpo buxheti nuk është alokuar në mënyrën më të drejtë për arsye se vendimmarrja është bërë kryesisht për qëllime elektorale”, shprehet Hashani.

Në anën tjetër, zyrtarë të qeverisë thonë se nuk do të ketë ndonjë krizë apo probleme në sistemin buxhetor, pasi të gjitha projektet dhe vendimet kanë qenë të planifikuara.

Muharrem Shahini zëdhënës në Ministrinë e Financave, lidhur më këtë thotë se vendimet e marra nuk e rrezikojnë buxhetin.

“Ngritja e pagave dhe vendimet tjera të ndërmarra nga kryeministri Hashim Thaçi dhe Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e rrezikojnë buxhetin, sepse edhe ashtu projekti për ndërtimin e autostradës ka qenë i paraparë të fillojë këtë vit. Ndërsa, shpenzimet e reja si ato për paga planifikohet të mbulohen në rend të parë nga kontigjenca e ndarë për rritje të pagave sipas Ligjit të Buxhetit për vitin 2014, nga shkurtimet në kategorinë mallra dhe shërbime sipas vendimit të Qeverisë si dhe nga kursime tjera”, thotë Shahini për Radion Evropa e Lirë.

Shahini ndërkaq shprehet se edhe institucionet që janë përgjegjëse për mbledhjen e të hyrave buxhetore, siç është Administrata Tatimore e Kosovës dhe Dogana e Kosovës, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti kanë realizuar planet e tyre sa i përket të hyrave.

Nga 1 miliard e 590 milionë euro sa parashihen si të hyra të përgjithshme për këtë vit, sipas parashikimeve, këto institucione për vitin 2014 duhet të grumbullojnë mbi 1 miliard euro.

Vetëm Dogana e Kosovës duhet të grumbullojë rreth 930 milionë euro.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në këtë institucion, thotë se deri më 3 korrik, Dogana ka mbledhur 470 milionë euro.

“Gjashtëmujori i parë i vitit 2014 nëse krahasohet me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kemi një rënie të importit në aspektin e sasisë, një zvogëlim të importit rreth 5 për qind. Kurse inkasimi i të hyrave ka qenë 6 për qind më shumë. Nëse përkthehet në të hyra faktike nënkupton se kemi qenë afër 21 milionë euro më shumë se vitin e kaluar. Edhe përkundër rënies së sasisë së importit, Dogana ka arritur të realizojë 95 për qind të planit që është parashikuar për gjashtë mujorin e parë”, thekson Stavileci.

Kurse, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) për këtë vit duhet të mbledhë 367 milionë euro.

Shuma mjeteve të grumbulluara për periudhën janar-korrik është 182.2 milionë euro, që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, administrata ka mbledhur 1 për qind më pak të hyra, thotë Valentina Sefa – Bytyçi, zëdhënëse në Administratën Tatimore të Kosovës.

“ATK, krahasuar më periudhat e tjera për këtë vit ka trend pozitiv dhe përkundër trendëve aktuale ekonomike si një e arritur e madhe falë përmbushjes se deklarimit të vetë tatimpaguesve dhe falë ofrimit të shërbimeve elektronike dhe një plani detal të veprimit dhe trajtimit të rrezikut”, shprehet Bytyqi.

Sidoqoftë, deficiti i përgjithshëm i planifikuar, sipas rregullës fiskale për vitin 2014 është 111 milionë euro.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button