Aeroporti i Vlorës, portë strategjike për turizmin
Komisioni Kuvendit miraton pr.ligjin që i hap rrugë negociatave të qeverisë me kompanitë ofertuese për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.
Komisioni Kuvendit miraton pr.ligjin që i hap rrugë negociatave të qeverisë me kompanitë ofertuese për ndërtimin e aeroportit të Vlorës që është një portë e rëndësishme në zhvillimin e turizmit në Shqipëri dhe do të gjenerojë impakt pozitiv në ekonominë e vendit, punësimin dhe tregtinë rajonale.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri u shpreh sot në komisionin e Kuvendit gjatë shqyrtimit të projektligjit “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës, ndërmjet shtetit shqiptar dhe shoqërive “Cengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction”, me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e aeroportit të qytetit të Vlorës”, se miratimi i këtij projektligji i hap rrugë diskutimit të detajeve dhe termave financiarë të kësaj kontrate, që sipas tij, “është një iniciativë shumë të rëndësishme private me rëndësi kombëtare”.
“Për herë të parë kemi një studim fizibiliteti të plotë që është paraqitur nga koncorciumi i tre kompanive turke, Cengiz Construction; Kalyon Construction dhe Kolin Construction. Oferta që ka ardhur për aeroportin e Vlorës është shumë serioze nga një konsorcium i kompanive më të mëdha turke, nga kompanitë më të mëdha në botë. Këto kompani sot po ndërtojnë aeroportin e Stambollit, aeroporti më i madh i botës. Është një ofertë që është tërësisht me investim privat, shteti merr vetëm garancitë minimale dhe kjo ofertë po studiohet dhe do të negociohet”, deklaroi Gjiknuri.
Sipas tij, projektligji vjen në mbështetje të ligjit për investimet strategjike dhe konform procedurave të ligjit dhe transparencës.
Në Aeroportin “Nënë Tereza” fluksi i pasagjerëve u rrit mesatarisht 10.5% çdo vit
Aeroporti i Vlorës është një aeroport që do t’i shërbejë jo vetëm rajonit jugor por të gjithë Shqipërisë. Ministri Gjiknuri shpjegoi se Aeroporti i Vlorës, synon të marrë një pjesë të madhe të pasagjerëve nga aeroporti kombëtar “Nënë Tereza” por edhe nga vendet e rajonit, duke u bërë një portë hyrëse e rëndësishme për turistët e vizitorët në Shqipëri.
Referuar statistikave, tha Gjiknuri, Shqipëria ka një rritje të konsoliduar të pasagjerëve që përdorin trafikun ajror .
Fluksi i pasagjerëve Në Aeroportin “Nënë Tereza”u rrit mesatarisht çdo vit me 10.5%. Ndërsa Aeroporti i Rinasit shënoi në fund të vitit 2017 numrin rekord të trafikut të lëvizshmërisë me rreth 2.7 milionë pasagjerë, gati po arrin limitet e kapacitetit të tij, tha Gjiknuri.
Në kontekstin e këtij zhvillimi, ministri theksoi se, edhe numri i çarterave që përdorin Aeroportin e Rinasit është rritur me 62%, krahasuar me vitin 2013.
Fluks i cili pritet të rritet më shumë gjatë sezonit të verës tha ai, duke njoftuar se, nga kontaktet e fundit ka kërkesa për të futur edhe linja të reja ajrore nga vende të ndryshme, pasi gama e turizmit po rrit.
Gjiknuri shpjegoi se ndërtimi i Aeroportit të Vlorës, vjen si një domosdoshmëri e zhvillimit dhe incentivave që po i jep qeveria zhvillimit të këtij sektori të rëndësishëm për ekonominë e vendit.
“Qeveria i ka kushtuar prioritet turizmit duke ndërmarrë dhe incentiva të rëndësishme në mbështetje të këtij sektori. Përmirësimi i infrastrukturës po i shërben rritje së shfrytëzimit të potencialeve turistike që ka vendi. Qasja jonë është përmirësimi i rrjeteve rrugore që të çojmë vizitorë në çdo skaj të vendit dhe investime në energjitikë e sisteme të ujësjellës-kanalizimeve në zonat turistike. Ky aeroport i ri është pjesë e strategjisë së zhvillimit që do t’i shërbejë fluksit në rritje të turistëve dhe vizitorëve”, theksoi Gjiknuri.
Investimi 100 milionë usd në aeroportin e Vlorës, impakt zinzhirit të zhvillimit
Aeroporti Kombëtari i Vlorës është një prej projekteve më të mëdha dhe ambicioze që do të ketë një impakt të drejtëpërdrejtë në punësim, rritjen e ekonomisë së rajonit të Jugut të vendit por edhe turizmit në vendin tonë.
Aeroporti do të ndërtohet në zonën e Akernisë të Novoselës 20 km larg qytetit të Vlorës. Aty ku ka qenë më parë një aeroport ushtarak që tashmë ka dalë jashtë interest të ministrisë së Mbrojtjes. Ajo është një zonë e pa banuar dhe nuk ka probleme shpronësimi, por që plotëson të gjitha kushtet për ndërtimin e këtij projekti që do të sjellë potenciale të reja zhvillimi duke krijuar një zinxhir vlerash ekonomike.
Ministri tha se, jo vetëm në fazën e ndërtimit do të hapen vende pune por një aeroport i këtyre përmasave me vlerë investimi rreth 100 milionë euro, do të krijojë punësim parment të 1000 personave. Që do të thotë krijimi i një serë shërbimesh që janë të lidhura në funksion të aeroportit.
Afrohet ardhja e turistëve dhe zhvillimi i zonës, infrastruktura, punësimi, tha Gjiknuri.