Aeroporti në Donetsk: Rrënoja strategjike me fuqi simbolike
Aeroporti i Donetskut është vendi i luftimeve më të ashpra në Ukrainën lindore. Separatistët prorusë përpiqen ta pushtojnë që prej prillit 2014. Ai është lidhja kyçe me qytetin.
“S’ka luftë, që ka fitues.” Ky është një rresht i këngës “Russians”, që muzikanti britanik i rokut Sting publikoi në vitin 1985. Ai ka përpunuar në të muzikën e kompozitorit sovjetik Sergej Prokofjev. 30 vjet më vonë emri i Prokofjevit përmendet në lidhje me një luftë tjetër. Aeroporti i Donetskut në Ukrainën lindore, që mban emrin e tij, është fushë beteje e separatistëve prorusë dhe ushtrisë ukrainase. Bilanci i deritanishëm: qindra të vdekur në të dyja palët, infrastruktura e shkatërruar dhe pa fitues të qartë. Që nga mesi i janarit atje zhvillohen luftime të ashpra. Dhjetëra tanke dhe artileria e rëndë janë në veprim
Terreni i aeroportit të kujton skena apokaliptike nga lojrat kompjuterike: pjesë godinash të rrëzuara, rrënoja të ngjyrosura në gri në të zezë nga djegia, konstruksione çeliku të lakuara. Të hënën (19.01.2015) separatistët arritën të hedhin në erë pjesë të katit të parë të terminalit të ri. Një javë më parë u shëmb pas goditjesh shumë të forta kulla e kontrollit.
Dy fshatra vendimtarë
Në faqen e internetit të aeroportit nuk vihet re asgjë nga kjo. Atje duket sikur koha ka mbetur në vend. Në rubrikën “Aeroporti sot” sheh terminalin e ri me fasadën e tij gjigande prej xhami, të hapur me rastin e kampionatit evropian të futbollit. Një shënim i shkurtër nga fundi i majit informon, se nuk ka më fluturime dhe se aeroporti është nën kontrollin e ushtrisë ukrainase. Ajo po kryen atje një “operacion antiterror”.
Qeveria ukrainase në Kiev thotë se kështu është edhe sot. Por separatistët pro rusë kundërshtojnë. “Ne e kemi aeroportin 95 për qind nën kontrollin tonë”, tha Alexander Saharçenko, udhëheqës i Republikës së vetëshpallur Popullore të Donetskut. Njoftime të tilla fitoreje ai ka bërë edhe më parë. Por që dilnin se ishin të parakohshme.
Kësaj radhe duket ndryshe. Separatistët kohët e fundit i kanë intensifikuar dukshëm sulmet kundër aeroportit duke arritur me sa duket suksese. Ushtria ukrainase reagoi me një kundërofensivë. Fundi nuk dihet akoma. Luftëtarët ukrainas deri tani kanë mundur të përballojnë goditjet e forta, sidomos në objektet nëntokësore Luftime të ashpra zhvillohen edhe në dy fshatrat pranë, Piski dhe Avdijivka, të cilat deri tani mbaheshin si rrugë furnizimi nga ushtria ukrainase. Në to vendoset me sa duket fati i aeroportit.
Pozicion i favorshëm në periferi të qytetit
Aktualisht aeroporti në Donetsk është vendi me luftimet më të ashpra në konfliktin në Ukrainën lindore. Vendndodhja e tijj e bën atë një lloj çelësi për qytetin milionësh të Donetskut, zemrën e zonës qymyrgurore Donbas. Aeroporti është vetëm dhjetë kilometra nga qendra e qytetit dhe ka qenë rinovuar për 870 milionë dollarë. Në saj të pistës së tij të re aty mund të uleshin avionë të thuajse të të gjithë tipave. Për shkak të afërsisë me fortesën separatiste aeroporti ka rëndësi strategjike për të dyja palët. Qeveria e Ukrainës në Kiev dëshiron ta mbajë atë me çdo kusht. “Nëse lëshojmë Donetskun, armiku do të jetë në Kiev apo në Lviv”, tha së fundi presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko.
Në prill 2014 separatistët u përpoqën dy herë të merrnin aeroportin dhe u zmbrapsën. Në përpjekjen e tretë natën më 26 maj ata arritën të pushtonin terminalin e ri pa një e shtënë. Ishte nata pas zgjedhjeve të parakohshme presidenciale në Ukrainë, kur Poroshenko u zgjodh kryetar i ri i shtetit.
Por këtë herë ushtria ukrainase kundërgoditi me sukses. Më shumë se 100 separatistë u tërhoqën, sipas të dhënave të veta ata humbën gati gjysmën e luftëtarëve, shumica e tyre nga Rusia. “Ishte aksioni më i keq”, shkruantë më vonë një bloger i mirëinformuar nga skena separatiste. Askush nuk e kishte pritur, që “ushtria ukrainase të sulmonte nga ajri aeroportin, që e kishin ndërtuar aq shtrenjtë.”
Armëpushim i shkurtër para Vitit të Ri
Pas marrëveshjeve të nënshkruara në shtator në Minsk për armëpushimin ndërmjet separatistëve dhe qeverisë në Kiev situata në Ukrainën lindore është qetësuar. Por aeroporti i Donetskut mbeti megjithatë një përjashtim. Pothuajse çdo ditë aty qëllohej dhe vdisnin njerëz.
Vetëm pak para Vitit të Ri pati një qetësim relativ. Separatistët lejuan madje trupat parashutiste ukrainase të furnizonin me ushqime luftëtarët në aeroport dhe të transportonin të plagosurit. Tani s’ka më gjëra të tilla.
Ukraina përgëzon “cyborgs” e saj
Të dy palët e përdorin aeroportin për qëllime propagandistike. Kur dikush në Ukrainë dëgjon fjalën “cyborg”, nuk mendon për robotët e ngjashëm me njeriun në filmin amerikan “Terminator”, por për luftëtarët në aeroportin e Donetskut. Ata përgëzohen që në shtator si heronj në mediat ukrainase dhe rrjetet sociale. Presidenti Poroshenko tha në dekorimin e luftëtarëve nga Donetsku, se për “cyborgs” do të lexohet në librat e historisë.
Në anën e separatistëve është përpjekur ta vërë veten në skenë aktori rus Mihail Poreçenkow, të cilit i pëlqen ta paraqesë veten si Arnold Schwarzenegger-i rus. Ai është xhiruar në aeroportin Donetsk, duke shtënë mbi pozicionet ukrainase me një mitraloz të kalibrit të rëndë.