Agasi: 50% e lejeve minerare veprojnë në mënyrë ilegale
Prej më shumë se 10 vitesh, mbi qindra subjekte që kanë leje minerare, kanë shfrytëzuar në mënyrë barbare fondin pyjor, duke shkelur ligjin e mjedisit, i cili i detyron që të kompensojnë dëmin në një zone tjetër. Kreu i Inspektoratit të Mjedisit, Ergys Agasi tha se më shumë se gjysma e 620 subjekteve veprojnë në mënyrë ilegale.
“620 leje minerare të lëshuara nga AKBN, më shumë se 50% e këtyre lejeve po ushtrojnë aktivitet në mënyrë ilegale. Kështu që do bëhet e mundur pas kësaj marrëveshje, përveçse masës administrative që marrin nga Inspektorati i Mjedisit të bëhet e mundur shkëputja apo zgjidhja e kontratës që këta subjekte kanë me AKBN. Pjesa më e madhe janë në pjesën veriore të Shqipërisë, qarkun e Kukësit dhe të Dibrës”, tha Ergys Agasi, kreu i Inpektoratit të Mjedisit.
Marrëveshja që Inspektorati i Mjedisit ka bërë me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, detyron çdo subjekt që përveç taksës prej 500 mijë lekësh në vit të mbjellë tre fidanë të rinj, për një pemë të prerë,
Një tjetër katastrofë mjedisore është shkaktuar edhe nga subjektet që kanë kontrata hidroenergjitike. Në gjithë vendin ka 175 kontrata që përkthehen me 450 hidrocentrale, pjesa më e madhe e të cilave kanë zënë fondin pyjor.
“Pothuajse 90% e hidrocentraleve nuk kanë bërë heqjen nga fondi pyjor që e kanë detyrim ligjor të të dyja ministrive respektive, të Mjedisit dhe të Energjisë. Atyre mund t’u revokohet leja dhe zgjidhet në mënyrë përfundimtare kontrata që ata kanë me AKBN. Një pjesë e madhe prej tyre janë dhe në zona të mbrojtura. Kjo do të verifikohet me specialistët e AKBN dhe do të bëhet zgjidhja e kontratës nga ky institucinon”, vijon kreu i Inspektoratit të Mjedisit.
Gjatë këtij muaji Inpektorati i Mjedisit në bashkëpunim me inspektorët e AKBN do të inspektojnë dhe monitorojnë nga afër situatën mjedisore pranë këtyre subjekteve.