Ekonomia

Agrokor, falimentimi i supermarketit që kërcënon Ballkanin

Në Kroaci, situatat idilike mund të ndryshojnë shumë shpejt. Në ditë të mira, rezortet e saj të pushimit janë një parajsë e vërtetë për notarët dhe detarët.

Por vetëm disa kilometra në brendësi të vendit ka terrene malore ku stuhitë e erës janë të fuqishme. Përveç kësaj, këtë verë edhe zjarret ishin një rrezik më shumë për këtë zonë, shkruan The Economist.

Një re e errët dhe e stuhishme ka mbuluar botën e biznesit të këtij vendi dhe ka shumë mundësi që të përhapet në të gjithë rajonin, duke zvogëluar optimizmin e nxitur nga shifrat e larta të turistëve dhe shenjat e një rimëkëmbjeje me ritme të shpejta. Kjo situatë shoqërohet edhe me rënien në duart e shtetit të një prej rrjeteve më të mëdha të industrisë ushqimore dhe të shitjeve me pakicë, klientët dhe kreditorët e së cilës janë ende në pritje për të mësuar shkakun që e çoi këtë kompani drejt shkatërrimit.

Agrokor ishte shqetësimi më i madh privat në Kroaci dhe në Ballkanin Perëndimor. Ajo kishte krijuar një marrëdhënie të qëndrueshme mes shtetit dhe biznesit që të çon prapa në kohë, në Jugosllavinë komuniste dhe pasojat e saj. Themeluesi i saj, Ivica Todoriç, jeton në një kështjellë. Ai ishte një mik i Franjo Tuxhmanit, presidentit nacionalist që udhëhoqi kroatët drejt pavarësisë. Me 700 supermarkete Konzum në Kroaci, Agrokor gjendet jo vetëm në çdo cep të atdheut të tij, por në të gjithë rajonin.

Në prill të këtij viti, i ndodhur përballë borxheve të mëdha, huadhënësve të irrituar dhe furnizuesve skeptikë, Todoric tha se ai ishte “duke vënë gjithçka që kishte ndërtuar” në duart e qeverisë. Ai është ende teknikisht pronar i kësaj kompanie, por sipas një ligji të posaçëm, shteti është administrator. Dhe pikërisht, kjo lëvizje shënon edhe “fundin e një epoke që filloi 25 vjet më parë”.

Shifrat janë të jashtëzakonshme, duke pasur parasysh se popullsia e Kroacisë është vetëm 4 milionë dhe ajo e tërë rajonit pas Jugosllavisë rreth 20 milionë. Kompania e Agrokorit është e përbërë nga 143 firma, të cilat punësojnë 57,000 vetë. Nëse këtu do të përfshijmë edhe furnizuesit dhe cilindo, puna e të cilit do të prekej nga ky kolaps kaotik, thotë z. Ramljak, numri i atyre që mund të preken nga kjo situatë mund të shkojë deri në 500,000.

Nëse çdo gjë që ky grup i madh ka në pronësi do të mbyllej, ekonomia e Kroacisë mund të tkurrej me 10% ose edhe më shumë. Sipas Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, detyrimet e papaguara të konglomeratit janë ekuivalente me pothuajse 15% të PBB-së së Kroacisë.

Vetëm pak vite më parë, Agrokori ishte një ndër shtyllat kryesore të biznesit kroat. Në vitet 1990, kur vendi u sulmua dhe u izolua, të huajt u zhdukën nga investimet, por z. Todoriç bëri të kundërtën dhe në atë kohë, ai u konsiderua si forcë pozitive, e vendosur në modernizimin e biznesit të shitjes me pakicë.

Teksa Agrokori po zgjerohej në të gjithë rajonin, thotë Dejan Joviç, një analist politik, ai cilësua dhe u përshëndet nga shumë si një simbol i nivelit kroat. Z. Todoric pati edhe mbështetjen e politikës në rrugëtimin e tij. Zdravko Maric, ministri kroat i Financave, punoi për Agrokor deri gjatë vitit të kaluar. Edhe shtypi ia bëri më të lehtë rrugëtimin këtij manjati.

Në vitin 2014, Agrokor bleu Mercatorin, një gjigant i vogël slloven i shitjeve me pakicë me degë në të gjithë rajonin. Në atë kohë, Konzum u përball me konkurrencë të fortë nga rivalët e huaj, pasi tregu i Kroacisë u hap, pas bashkimit të saj me BE-në në vitin 2013.
Marrëveshja me Mercatorin, e financuar nga huamarrja, rezultoi të ishte shumë më e madhe sesa mundësitë që kishte Agrokori për ta përballuar.

Ndërsa bankat vendase dhe të huaja filluan të largohen prej saj, rusët gjetën momentin e duhur për t’u bërë pjesë e kësaj situate, por ky ishte edhe gabimi më i madh i Agrokorit. Sberbank, bankës ruse së kursimeve, e cila është kreditorja më e madhe, Agrokori i ka borxh 1.1 miliardë dollarë dhe ka edhe një çështje gjyqësore kundër zotit Todoriç, duke e akuzuar këtë të fundit për mashtrim. Sberbank ka kritikuar lëvizjen e z. Ramljak për të bashkëpunuar me disa kreditorë të tjerë, në mënyrë që ajo të përfitojë financime të reja.

Borxhet e njohura të Agrokorit prej të paktën 6.74 miliardë euro (7.9 miliardë dollarë) janë shumë të mëdha, por deri sa të kryhen auditimet për parregullsitë e dyshuara, njerëzit do t’i shoqërojë dyshimi se një vlerë e tillë do të mund të jetë edhe më e madhe dhe se askush nuk është me të vërtetë i sigurt se sa është vlera e pasurisë së këtij manjati.

Më 27 korrik, z. Ramljak filloi t’u paguante borxhet e furnizuesve të vegjël, një pikë uji në oqean në krahasim me nivelin e borxheve që ajo ka. Agrokor siguroi një pjesë të madhe të ushqimit të saj nga kultivuesit vendas, të cilët nuk u kënaqën me fuqinë e grupit, por kishin nevojë të shisnin prodhimet e tyre, thotë Tihomir Xhiç, kreu i Shoqatës së Fermerëve Kroatë. Vitin e ardhshëm, shumë fermerë do t’ua ofrojnë prodhimet e tyre shitësve të tjerë, por për momentin ata janë të tensionuar nga frika që ekziston në rrethin e tyre.

Frika më e madhe është se llogaritë do të jenë rrëmujë, aq sa përpjekjet e z. Ramljak për të zbutur goditjen do të kenë pak mundësi për t’ia dalë mbanë që të jenë të suksesshme. Nëse kjo gjë ndodh, rajoni mund të bjerë sërish në recesionin e gjatë nga i cili po dilte.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button