Ekonomia

Ahmetaj: Investimet nga buxheti 78 miliard lekë

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj deklaroi të premten se investimet nga buxheti i shtetit llogariten 5.1 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto ose rreth 78 miliard lekë.

Ahmetaj para deputetëve të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave tha se 83 % e kësaj shume do të shkojnë për mbylljen e projekteve të nisura dhe vetëm 17 % janë investime në projekte të reja, ndërsa sipas tij, kërkesa e institucioneve për investime ka qenë 520 milionë dollarë mbi këtë shumë.

” Vijuam financimin e projekteve në proces, pasi nëse do të mbyllnim këto llogari dhe do të hapnim llogari të reja do të humbnim kthimin e investimeve në ekonomi”, deklaroi ministri Ahmetaj. Ahmetaj tha se përherë të parë në 6 vitet e fundit sufiçiti primar arrin 0.3%. Në 2016, theksoi ai, do të fillojë ulja e borxhit publik.

Sa i përket investimeve në vitin 2016 sipas zërave, ministri Ahmetaj deklaroi se 21 miliard lekë do të shkojnë për ndërtim dhe rikostruktim rrugësh, 5 miliard lekë për investime në energji (përtej investimevë të vetë kompanisë) dhe për Fondin e Zhvillimit të Rajoneve rreth 10,5 miliard lekë.

Por, ish ministri i Financave, deputeti i Partisë Demokratike, Ridvan Bode tha se qeveria dështoi me mbledhjen e taksave të rritura ndaj dhe uli nivelin e investimeve e shpenzimeve. Sipas tij, ky është një buxhet i mbijetesës i cili e detyron qeverinë të çojë programin e titujve në minimumin historik.

Deputetja e PD-së, Tabaku tha se fondet e Zhvillimit të rajoneve janë keqpërdorur. Në 2015, theksoi ajo, 3 miliard lekë nga 10 miliard në total janë përdorur për të tjera arsye që nuk përfshihen në qëllimet e këtoj fondi.

Duke iu përgjigjur interesit të deputetëve mbi financimin në projekte të rëndësishme të infrastrukturës, si rruga e Kombit, Elbasanit, Arbrit etj, ministri Ahmetaj tha se janë evidentuar probleme në projektet e disa prej rrugëve.

Sa i takon rrugës së Kombit, Ahmetaj tha se duhen së paku edhe 160 milionë euro për përfundimin e kësaj rruge, fond të cilin, tha ai, qeveria nuk e disponon. “Rruga e Kombit ka thithur deri më sot 1,4 miliard lekë. Nuk ka mbaruar ende, ka segmente të pambaruara, sinjalistikë e munguar, ura të pabëra. Pas debateve e negociatave me Komisonin europian ne arritëm ta fusim këtë rrugë në segmentet europiane të rëndësishme. Për të qenë në standardet e duhura duhet edhe 160 milionë euro minimalisht. Këto para nuk i kemi. Kjo rrugë ka nevojë edhe për 7% fonde për mirëmbajtje. Kemi tentuar të japim mirëmbajtjen e disa segmenteve me koncension por tenderi është ende në proces”, tha Ahmetaj.

Lidhur me rrugën Tiranë-Elbasan, ministri Ahmetaj tha se për përfundimin e saj nevojiten 50 milionë euro dhe se diskutimet me donatorët janë në zhvillim e sipër. Përsa i përket rrugës së Arbrit, ministri Ahmetaj informoi para deputetëve se qeveria është në diskutime të nivelit teknik me koncensionarin.

Kreu i Komisionit të Ekonomisë Erion Braçe kërkoi shpjegimin e ministrit edhe lidhur me zbatimin e investimeve me fonde të huaja. “Investimet e huaja nuk ecin aq shpejt sa investimet e shtetit. Kemi kërkuar monitorimin periodik të këtyre projekteve edhe nga ministritë e linjës edhe nga Ministria e Ekonomisë me qëllim përshpejtimin e projekteve”, tha Ahmetaj.

Ahmetaj tha se ministritë programonin më shumë fonde se sa mund të zbatoheshin në terren, ndaj referuar ecurisë në vitin 2016 kemi programuar vetëm 29 miliard lekë investime nga 36 që ishin këtë vit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button