Ahmetaj takon zv/Kancelarin gjerman, merr mbështetje për projekte
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj është takuar në Berlin me zëvendëskancelarin gjerman, njëherësh ministër i Ekonomisë së këtij vendi, Sigmar Gabriel.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik njoftoi të enjten se në fokus të takimit ishin reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, avancimi i nismës së Berlinit dhe përgatitja e projekteve rajonale.
Numri dy i Qeverisë gjermane ka shprehur mbështetjen e fortë për bashkëpunimin rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor nën nismën e Berlinit. Ai është shprehur se qeveria gjermane do të mbështesë ndërtimin e autostradës Adriatiko-Joniane, e njohur ndryshe si ‘Korridori blu’, pasi e konsideron këtë projekt jo vetëm si një rrugë rajonale, por edhe si një urë lidhëse për Ballkanin Perëndimor dhe Europën Qëndrore.
Gjermania mbështet ndërtimin e autostradës Adriatiko-Joniane (Korridorin Blu)”, u shpreh zv. Kancelari Gabriel, jo vetëm si një projekt i rëndësishëm lidhës për rajonin, por edhe si një urë lidhëse për Ballkanin Perëndimor dhe Europën Qëndrore. Sipas zv. Kancelarit gjerman, ky është një moment i rëndësishëm për rajonin dhe një mundësi të cilën të gjitha vendet duhet ta shfrytëzojnë duke prezantuar projekte me impakt rajonal. Gjithashtu, zv. Kancelari Gabriel theksoi se, Gjermania do të ndihmojë për të siguruar mbështetje financiare për projektet e ndërlidhjes.
Ministri Ahmetaj e njohu zv. Kancelarin me reformat strukturore që Shqipëria po ndërmerr në sektorin energjetik, pensione, reforma administrativo-territoriale dhe ajo në drejtësi.
Ndërtimi i shtetit të së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë shtylla të rëndësishme të punës së qeverisë, theksoi Ministri. “Modeli i ri ekonomik ka filluar të japë rezultatet e veta. Ne jemi fokusuar tek mbështetja e industrive, rritja e eksporteve dhe tërheqja e investimeve të huaja si burime të rritjes së qëndrueshme ekonomike. Edhe kjo vizitë në Gjermani i shërben përpjekjeve tona për të sjellë investime gjermane në tregun shqiptar”, tha ai.
Lidhur me procesin e Berlinit, ministri u shpreh se vëmendja e Gjermanisë është një ndihmesë shumë e rëndësishme për rajonin. “Inisiativa e Kancelares Merkel një vit më parë shënoi një pikë kthese në perspektivën e vendeve të rajonit dhe bashkëpunimin mes njëri-tjetrit. Së bashku me qeverinë e Serbisë jemi duke punuar në nivel teknik për diskutimin e projekteve rajonale që Kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të prezantojnë përpara Gjermanisë, Austrisë dhe Komisionit Europian në Konferencën e radhës që do të mbahet në muajin gusht në Vjenë. Së shpejti edhe përfaqësues nga Kosova dhe Mali i Zi do t’i bashkohen takimeve të nën-grupeve teknike”, u shpreh Ministri.
Nga ana e tij, z. Gabriel përgëzoi intensifikimin e dialogut dhe bashkëpunimit mes vendeve, siç treguan edhe vizitat e njëpasnjëshme të zv. Kryeministres së Serbisë, Ministrit të Ekonomisë së Maqedonisë, Kosovës e Malit të Zi në Tiranë, në harkun kohor të tre javëve. Procesi i Berlinit ka në thelb konektivitetin mes vendeve të rajonit, kryesisht në fushën e infrastrukturës rrugore, hekurudhore dhe energjetike.
Ahmetaj ndodhet për një vizitë dy ditore në Gjermani.