Ekonomia

AKM: Mbi 90% e plazheve shqiptare, cilësi shumë të mirë të ujërave

Kreu i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Julian Beqiri publikoi sot gjatë një konference për shtyp, të dhënat e monitorimit paraprak të cilësisë së ujërave larës përgjatë vijës bregdetare për vitin 2016.

Nga kampionet e marra në dy javët e fundit të muajit maj 2016, rezulton se këtë vit plazhet shqiptare janë të një cilësie shumë të mirë.

“Mbi 90% e plazheve në Shqipëri janë të kategorisë A pra cilësi shumë e mirë për  këtë vit. Nga 99 pika monitorimi, 90 prej tyre me cilësi shumë të mirë. Gjithashtu plazhet shqiptare vazhdojnë të kenë të njëjtin trend rritjeje të cilësisë krahasuar me një vit më parë ”, u shpreh  Beqiri, i cili theksoi se krahasuar me vitin 2014 cilësia e plazheve është rritur me mbi 50%.

Më tej, kreu i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM) detajoi për median rezultatet e monitorimit.

Cilësia e ujërave larëse është shumë e mirë në 90 pika: plazhin e Divjakës, Velipojës, Tales, Shëngjinit, Gjiri i Lalzit, Golemit, Qerretit, Spillesë, Zvërnecit, Dhërmiut, Himarës, Qeparoit, Borshit, Ksamilit, dhe Semanit.

Cilësia e Ujërave Larëse është e mirë në 6 pika në Plazhin e Orikumit (Kompleksi “Orikumi”dhe Bar-Restorant Aleksandër) si dhe në Plazhin e Vlorës (Plazhi i Vjetër K.Pionerit, Plazhi i Ri, Radhimë Grand Hotel dhe Bar Restorant Freskia).

Cilësia e Ujërave larëse  është e keqe në 3 pika Plazhin e Vlorës (Stacioni i Shkollës së Marinës), në Plazhin e Sarandës (Stacioni Kanali i Çukës-Dodona) dhe në Plazhin e Durrësit (Stacioni i Kompleksit Xhardino).

Beqiri u bëri thirrje pushtetit vendor që të marrë menjëherë masa në përmirësimin e infrastrukturës me qëllim përmirësimin e cilësisë së plazheve me cilësi të dobët.

Monitorimi paraprak i AKM-së për vitin 2016 për herë të parë është shtrirë në 99 pika nga 78 pika në vitin 2015, duke rritur në këtë mënyrë kontrollin përgjatë gjithë bregdetit shqiptar. Në listën e plazheve të monituara për herë të parë janë shtuar edhe plazhet e Divjakës, Tales dhe Spillesë.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit do të vijojë me monitorimin e plazheve edhe me dy faza të tjera; një në mes të sezonit dhe një tjetër në fund të sezonit veror. Mesatarja e tre fazave të monitorimit  do të sjellë edhe rezultatin përfundimtar për cilësinë e ujërave në vijën bregdetare shqiptare për vitin 2016.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button