Aksidenti, humbin jetën dy turiste polake, dy të plagosur
Gjirokastër
Mjeti humb kontrollin pranë fshatit Sofratikë
Dy turiste polake kanë humbur jetën dje pasdite rreth orës 19:00, gjatë një aksidenti automobilistik në aksin rrugor Gjirokastër – Kakavijë, pranë fshatit Sofratikë. Sipas policisë, automjeti në të cilin udhëtonin 4 persona, mes tyre edhe fëmija 9-vjeçar i njërës prej viktimave, ka dalë nga rruga dhe është rrëzuar. Si pasojë kanë humbur jetën dy shtetaset polake që janë identifikuar si Magdalena Maria Furtak, 32 vjeçe dhe Monika Liszka, 36 vjeçe.
Ndërkohë, drejtuesi i mjetit tip “Ford”, me targa Sh 8438 E, është Hajredin Qyshka, 63 vjeç, nga Shkodra, i cili është jashtë rrezikut për jetën dhe pas kontrollit mjekësor dhe marrjes së ndihmës së parë në spitalin rajonal “Omer Nishani” është shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Gjirokastrës.
Sipas mjekut të urgjencës, Shefqet Latifi, fëmija 9-vjeçar është jashtë rrezikut për jetën, me plagosje të lehta dhe shembje dhe aktualisht mbahet nën kontrollin e mjekëve në spitalin rajonal të Gjirokastrës. Sipas Latifit, shtetasja Magdalena Maria Furtak 32 vjeçe ka humbur jetën në vend si pasojë e hemorragjisë së brendshme, ndërsa 36-vjeçarja Monika Liszka nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të rënda me gjithë ndihmën e parë dhe ka humbur jetën rrugës për në spital.
Sipas burimeve jozyrtare, dy turistet po ktheheshin nga Vlora për në Tiranë, gjatë një turi udhëtimi në Shqipëri. Ka dyshime se shkaku kryesor i aksidentit është humbja e kontrollit të mjetit për shkak të pakujdesisë së drejtuesit të automjetit. Nga ana tjetër, një grup ekspertësh kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë kryer matjet e para, për të dalë në fund me një raport zyrtar në lidhje me shkakun e aksidentit.
Ky është aksidenti i dytë për vitin 2014 brenda një harku të shkurtër kohor dhe po në të njëjtin aks rrugor. 13 ditë më parë, një shtetase humbi jetën po pranë fshatit Sofratikë si pasojë e përplasjes nga një automjet. Gjatë këtij viti, në Qarkun e Gjirokastrës kanë humbur jetën 15 persona, ndërsa janë plagosur 35 të tjerë.