Politika

“Aktet e njëanshme nuk i shërbejnë PD”, Alibeaj prezanton platformën për bashkimin e demokratëve: Veprimet tona do i gjykojë koha

Në një konferencë për mediat, ku prezantoi platformën për bashkimin e demokratëve, kreu i grupit parlamentar të PD,Enkelejd Alibeaj u shpreh se aktet e njëanshme nuk i shërbejnë PD.
“Me përgjegjësi të lartë ndaj Partisë Demokratike, ndaj demokratëve, me qëllimin e vetëm të bashkimit të partisë, në përballjen me regjimin e Edi Ramës, por edhe për të siguruar një premisë reale për fitoren e PD në zgjedhjet e ardhshme lokale, që do të jetë e pamundur nëse ne jemi të përcarë, 36 deputetë të grupit parlamentar të PD i kërkuan Kryetarit të PDSH z. Lulzim Basha që të bëjë një hap pas, me qëllim që ti hapte rrugë bashkimit të Partisë.

Z. Basha iu përgjigj pozitivisht kësaj thirrje, duke krijuar në këtë mënyrë një premisë të re dhe të arsyeshme, që demokratët të ndalnin menjëherë rrugën e përcarjes dhe të gjenin rrugën e bashkimit.

Disa prej kolegëve të njëjtën thirrje dashamirëse, dhe me qëllimin e vetëm për të bashkuar partinë, ja drejtuan edhe Z. Berisha. Deri më tani një thirrje e tillë nuk ka gjetur mirëkuptimin e z. Berisha. Mirëpo, kjo nuk pengon Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike që të eksplorojë cdo mundësi, cdo hapësirë, për të shmangur përcarjen e partisë. Kushdo e ka në ndërgjegjen e tij, nëse vendos në interes të parë, Partinë Demokratike, demokratët, apo veten e tij, karrigen e tij. Veprimet e secilit prej nesh do ti gjykojë koha, por edhe demokratët.

Në cilësinë time si Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, që në fillim kam bërë thirrje për bashkim, kam bërë akte konkrete për bashkim. Duke quajtur si pikënisje për bashkim, më së pari bashkimin e pjesëve të ndara të grupit Parlamentar. Kam kërkuar dakordësinë e kolegëve të grupit Parlamentar, që në mbledhjet e grupit të ftoja edhe kolegët deputetë që ishin pezulluar apo përjashtuar nga grupi me vendimet e 12 Janarit. Falenderoj secilin prej kolegëve për gadishmërinë e shprehur menjëherë që kjo të ndodhte. Për këtë shkak kam ftuar në mbledhjet e grupit Parlamentar të gjithë kolegët që ishin përjashtuar apo pezulluar në 12 Janar, dhe tashmë është një fakt që cdo mbledhje e grupit është bërë edhe me prezencën e tyre. Dua të falenderoj edhe secilin prej tyre që ju përgjigj pozitivisht ftesës tonë për të marrë pjesë në mbledhjet e Grupit Parlamentar të PD dhe që gjatë mbledhjeve që janë zhvilluar kanë luajtur një rol konstruktiv.

Pas këtij hapi, aktet e bashkimit duhet të jenë konkrete, dhe mbi të gjitha duhet të tregojnë që Partia Demokratike, nuk ka të tepërt asnjë anëtar të saj. Në cdo proces, në cdo strukturë, është e domosdoshme që të vlerësohet dhe ruhet kontributi dhe meritokracia e kujtdo në PD. Aktet e njëanshme, rruga e njëanshme, proceset e njëanshme dhe përjashtuese për mijëra dhe mijëra demokratë, nuk i shërbejnë Partisë Demokratike dhe për rrjedhojë as interesit të demokratëve.

Pas një jave diskutimesh mes kolegëve të grupit parlamentar, diskutimeve në mbledhjen e fundit të grupit, marrjes së shqetësimeve të tyre, si dhe mundësisë që secili koleg të bëjë propozime me shkrim, është konkluduar në një qëndrim që përbën një platformë parimesh për bashkimin e demokratëve, e propozuar deri më tani nga shumica dërrmuese e deputetëve të Grupit Parlamentar.” u shpreh Alibeaj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button