Akti i fundit i rënies së Akademisë së Shkencave
Ndodhi ajo që nuk mund të ndodhë nga një mendje intelektuale dhe aq më tepër akademike. Një shumicë, anëtarë të Akademisë së Shkencave, i vunë gozhdën e fundit arkivolit të saj. Votuan formalisht për të zgjedhur një kryetar, pa menduar se i vunë kazmën nën ombrellën false të legjitimitetit e të autonomisë një institucioni që kishte marrë me kohë rrokullimën.Nuk kam asgjë personale me kryetarin që doli nga kjo farsë zgjedhore. Përkundrazi, gjithnjë ka ekzistuar një respekt i ndërsjellë njerëzor. Por çështja qëndron jo thjesht në formalitetin legal të zgjedhjes, jo në numrin e votave të dakordësuara më parë në heshtje. Problemi është më shumë se moral.
Edhe nëse nuk mbahet përgjegjësi për keqmenaxhimin e Akademisë së Shkencave ndër vite, a nuk ka brejtje të ndërgjegjes për situatën e krijuar?
Pyetja tjetër normale që shtrohet mund të jetë: Po a nuk ka mes anëtarëve të Asamblesë persona të tjerë të aftë për ta drejtuar Akademinë, por vetëm dy apo tre vetë?
Po atëherë, çfarë vlerash intelektuale dhe shkencore ka kjo Akademi kur nuk ka garë dhe platforma konkurruese në zgjedhje?
Nuk është vetëm bindja ime, por edhe i një numri të madh kolegësh të mi që kjo Akademi në gjendjen në të cilën ndodhet e ka të pamundur të kryejë misionin e saj. Ajo është një fosile dhe si e tillë duhet të shkojë në fatin e vet.
Ata që votuan veç nënshkruan fundin e saj të turpshëm. Keqardhje! Përtej ceremonisë së djeshme funebre, tani është koha të mendohet seriozisht për ringritjen e një Akademie në traditën më të mirë të saj e në përshtatje me kushtet e rrethanat në të cilat ndodhet vendi.
Akademia e Shkencave duhet të jetë kurora e përpunimit të mendimit shkencor në ruajtjen e në promovimin e vlerave e traditave, por edhe e inicimit të projekteve për të mirën publike e në funksion të zhvillimit e modernizimit të vendit. Akademia duhet t’i kthehet komunitetit shkencor të vendit. Ajo tashmë është kthyer gjoja në emër të autonomisë në një Sh.p.k që harxhon paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Kërkuesit shkencorë, të vjetër e të rinj, nuk duhet të pajtohen me situatën e krijuar, nuk duhet të qëndrojnë indiferentë, nuk duhet ta konsiderojnë si punën e të tjerëve dhe as nuk duhet të rrinë mënjanë ose të mbyllin sytë për një pagesë mujore 400 mijë lekësh të vjetra apo për ndonjë botim libri. Shteti dhe qeveria kanë përgjegjësinë e madhe për gjendjen e krijuar.
Reagimet e kryeministrit janë të drejta, por shumë të vonuara. Mbi tre vite më parë, një komision ekspertësh i ngritur me porosi të tij hartoi një platformë për reformimin e sistemit shkencor e rrjedhimisht edhe të Akademisë.
Por “shkencëtarë” të tjerë të përkrahur nga qarqe burokratike e lobiste afër kryeministrit e pushkatuan atë në favor të atyre që dje votuan për degradimin përfundimtar të Akademisë. Sidoqoftë deklaratat e kryeministrit japin arsye dhe shpresë se këtë herë do të veprohet për ta nxjerrë shkencën nga letargjia. Më mirë vonë se kurrë.