ALUIZNI, Lame: Presim 160 % më shumë të ardhura se plani vjetor
Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale (ALUIZNI) ka tejkaluar planin e saj vjetor të mbledhjes së të ardhurave dhe pret që deri në fund të vitit 2015 të realizojë 160 % të planit vjetor.
Lajmin e bëri të ditur të martën, Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, gjatë një deklarate për shtyp, ku njoftoi se puna e bërë nga qeveria ka dhënë rezultate mjaft të mira. “Ky është një proces i gjatë, një reformë që legalizon ndërtimet e bëra në gjithë territorin e vendit”, tha Lame.
Sipas tij, plani vjetor është tejkaluar. “Gjatë periudhës maj-dhjetor 2014 u grumbulluan 57 milionë lekë të reja, teksa në periudhën janar- gusht 2015 u grumbulluan 1.4 miliard lekë të reja, pra një rritje e jashtëzakonshme”. Po ta krahasojmë me planin vjetor, që ishte 1 miliard lekë të reja, kemi një rritje prej 140%, ndërsa në fund të këtij viti kalendarik shpresojmë që kjo rritje të arrijë deri në 160 %”, tha Lame, gjatë deklaratës së tij për shtyp.
Sipas Lames, drejtoritë që kanë sjellë prurjet më të mëdha janë Tirana, Durrësi, Vlora e Fieri. Lame tha se arsyeja kryesore që ka sjellë këtë rritje janë lehtësitë e ofruara nga qeveria. “Një prej elementëve thelbësor në procesin e legalizimeve ka qenë dhe mbetet koordinimi i procesit të legalizimeve me atë të kompensimit të ish-pronarëve, që i është dhënë trualli nga këto ndërtime pa leje. I vetmi detyrim që i mbetet qytetarëve që kanë ndërtuar në truall shteti ose pranë është vetëm pagesa e truallit. Në këtë pagesë qytetarët përfitojnë një sërë uljesh, pasi çmimi i truallit llogaritet deri në 2 mijë lekë për metër katror, pavarësisht çmimit të tregut, që ka ky truall. Qytetari përfiton 20% ulje kur pagesa bëhet e menjëhershme, 50% kur pagesa bëhet me letra me vlerë..etj”, tha Lame, i cili shtoi se paratë e arkëtuara shkojnë për pronarët e shpronësuar.
Tabela e arkëtimeve në drejtoritë rajonale të ALUIZNI-t
Kontributin më të madh në arkëtimin e këtyre të ardhurave, e ka dhënë:
Drejtoria e ALUIZNI-t Tirana-1, në shumën 425 milion lekë.
Drejtoria e ALUIZNI-t Durrës, 370 milion lekë.
Drejtoria e ALUIZNI-t Vlorë, 133 milion lekë.
Drejtoria e ALUIZNI-t Fier, 101 milion lekë.
Drejtoria e ALUIZNI-t Tirana-3, 80 milion lekë.
Drejtoria e ALUIZNI-t Shkodër, 72 milion lekë.