Intervista

Ambasadori Arnaudov: Bullgaria dhe Shqipëria, të vendosura në rrugën europiane

Bullgari ArnaudovIntervistë e Ambasadorit të Bullgarisë në Shqipëri, Dirmitar Arnaudov dhënë Drejtorit të Përgjithshëm të ATSH-së, Gëzim Podgorica.

Bullgaria dhe Shqipëria, që prej kohësh kanë marrëdhënie shumëplanëshe bashkëpunimi, janë të vendosur për të ecur së bashku në rrugën e re europiane”, deklaron në një intervistë për ATSH-në, Ambasadori bullgar në vendin tonë, Dirmitar Arnaudov. Diplomati bullgar nënvizon se marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë sot më të gjera e më të thella se kurrë më parë, ndërkohë që ekzistojnë mundësi për t’i zhvilluar edhe më tej.

Së pari më lejoni t’ju uroj për festën Tuaj kombëtare dhe  të shpreh kënaqësinë  për këtë intervistë  në vigjilje të kësaj feste. Data 3 mars është festa  kombëtare e Bullgarisë. Do ishte me interes për publikun të dinim dicka më shumë  rreth simbolikës së kësaj date ?

Më  3 mars ne festojmë rivendosjen e shtetit të Bullgarisë. Pavarësia kombëtare e Bullgarisë nuk u përmbush në vitin 1878. Armët e para të luftës nacional-çlirimtare u shkrepën në vitin 1876, që shënoi nisjen e asaj që njihet si kryengritja e prillit. Tre marsi është simbol i asaj se si edhe pas një nate të gjatë, shpirti i pavdekshëm ringjallet për fillimin e një jete të re mëngjesin e së nesërmes. Për ne, liria kombëtare ka një vlerë të jashtëzakonshme. Liria ndriçoi shpirtrat e stërgjyshërve tanë, të cilët sakrifikuan jetët e tyre në Kryengritjen e Prillit. Lufta e viteve 1877-1878 mes Rusisë dhe Turqisë shkëputi vargonjtë e bashkatdhetarëve tanë, të cilët, ndonëse të lirë në zemrat e tyre, sërish ishin të skllavëruar. Shumë kohë para çlirimit të tyre, stërgjyshërit tanë na treguan rrugën që ne ndjekim sot, atë të ndërtimit të një “republike të pastër e të shenjtë”, të jemi të barabartë me popujt e tjerë evropianë dhe të forcojmë demokracinë. Demokracia dhe begatia s’mund të dhurohen. Demokracia është një proces i vazhdueshëm, për të cilën ia vlen çdo përpjekje e bërë.

Bullgaria është një vend anëtar i BE-së dhe  së bashku me disa shtete të tjera të  Ballkanit është pjesë e familjes evropiane, për të cilën synojnë që brenda një kohe sa më të afërt të mundshme,  të jenë anëtarë edhe Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Kosova e të tjerë. Sa e vështirë ka qenë rruga e Bullgarisë dhe çfarë standardesh janë realizuar për të qenë pjesë e BE-së ?

Bullgaria nënshkroi Traktatin e Anëtarësimit në Bashkimin Evropian më 25 prill të vitit 2005 dhe u bë vend anëtar me të drejta të plota i Unionit më 1 janar të vitit 2007. Marrëdhëniet e Bullgarisë me fqinjët e saj që prej vitit 1990 në përgjithësi kanë qenë të mira. Vendi gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në promovimin e sigurisë rajonale. Bullgaria ka një bashkëpunim trepalësh ekonomik dhe diplomatik me Rumaninë dhe Greqinë dhe ruan marrëdhënie të forta me vendet anëtare të BE-së. Ballkani Perëndimor është gjithashtu shumë i rëndësishëm, sepse çfarëdo që të ndodhë reflektohet në sigurinë dhe ekonominë tonë si dhe në konceptin e rajonit si i tërë. Kjo është arsyeja përse ne kemi një interes të madh kombëtar që të shohim Ballkanin Perëndimor të ketë një perspektivë të qartë euro-atlantike. Forcimi i stabilitetit dhe konsolidimi i demokracisë do të thotë investim në demokracinë e qëndrueshme të fqinjëve të BE-së. Këto vende janë subjekt i ndihmës dhe asistencës strukturore në kuadër të një numri të madh instrumentesh të politikës së jashtme të BE-së, me qëllimin madhor të përafrimit të tyre me legjislacionin evropian. Një etapë zyrtarisht e njohur në kuadrë të përpjekjeve të këtyre vendeve për t’u bërë pjesë e BE-së dhe për t’iu përmbajtur detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi i plotë u vendos në vitin 1993 dhe njihet me emrin Kriteret e Kopenhagenit. Këto kritere kërkojnë që një shtet ka ngritur institucionet e duhura për mbrojtjen e qeverisjes demokratike dhe të drejtave të njeriut, ka ndërtuar një ekonomi funksionale të tregut dhe pranon të gjitha detyrimet dhe synimet e BE-së. Shqipëria mori statusin e vendit kandidat në qershor si vlerësim për reformat e kryera deri atëherë. Qeveria ka vazhduar të demonstrojë vullnet politik për të çuar përpara reformat e nevojshme për t’u integruar në BE. Që prej qershorit të kaluar janë zhvilluar operacione të suksesshme të policisë në luftën për kultivimin dhe trafikun e drogës, duke shënuar rezultate të rëndësishme dhe duke konfirmuar vendosmërinë e qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar. Marrja e statusit të vendit kandidat sjell më shumë përgjegjësi dhe duhet të konsiderohet si nxitje për arritjen e më shumë rezultateve të reformave. Qeveria tashmë duhet të demonstrojë angazhim të pandërprerë për kryerjen e reformave dhe arritjen e rezultateve në veçanti sa i takon shtetit ligjor, reformimit të administratës publike dhe garantojë që kjo realizohet në transparencë të plotë dhe me gjithëpërfshirje politike. Ndërkohë në Serbi, hapja e negociatave të anëtarësimit këtë vit shënoi një pikë kthese në marrëdhëniet tona. Ky ishte një vlerësim i drejtë i progresit të Serbisë për zbatimin e agjendës së reformave si dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Cilat mund të veçoni  ndër efektet që ka ndjerë ekonomia bullgare, pas pranimit të vendit Tuaj në BE, por edhe të vështirësive që janë shfaqur, duke patur parasysh se  shumica e vendeve të BE-së kanë standarde shumë të larta jetese ?

Zgjerimi i pestë i Bashkimit Evropian në periudhën mes viteve 2004 dhe 2007, jo vetëm zgjeroi tregun e përbashkët evropian por solli përfitime të dukshme për qytetarët. Një vlerësim i parë tregon që vendet e reja anëtare kanë përfituar dukshëm nga hyrja e tyre në tregun e përbashkët, ndonëse ende nuk kanë integruar plotësisht tregun e punës. Megjithatë, kriza ndërkombëtare financiare ka pasur efekte edhe në ekonomitë e vendeve të reja anëtare. Bullgaria fiton më shumë nga anëtarësimi në BE në një raport 20 me 1. Në terma afatmesëm deri në vitin 2020, Bullgaria pret të ketë një përfitim të përgjithshëm integrimi, që llogaritet me një shtesë të përvitshme prej 0.5 pikë përqindjeje në rritjen reale ekonomike të vendit.

Mbështetur mbi përvojën Tuaj të këtyre viteve si pjese e Unionit,  si e parashikoni rrugën  që po ndjekin  vendet jo anëtare në  përpjekjen e tyre për t’u anëtarësuar në BE?  Është fjala  për Shqipërinë dhe vendet fqinje me ne.

Kushtet janë të caktuara qartë: shteti ligjor, qeverisje ekonomike dhe reformim i administratës publike, reforma në drejtësi, liria dhe siguria, konkurrenca dhe forcimi i institucioneve demokratike. Më konkretisht, kjo do të thotë respektim të të drejtave themelore si liria e shprehjes dhe mbrojtja e shtresave të margjinalizuara, bashkëpunimi rajonal me rritjen e përfshirjes së Kosovës në iniciativat rajonale. Samiti i Berlinit në muajin gusht,u përqendrua tek integrimi dhe bashkëpunimi rajonal, dialogun e vazhdueshëm e konstruktiv në të gjithë spektrin politik si dhe rritjen e mbështetjes buxhetore. Shqipëria është vend kandidat pas vendimit të Këshillit Evropian të Brukselit që prej qershorit të vitit 2014. Duke pasur parasysh paqëndrueshmërinë e Ballkanit, rrezikun e konsiderueshëm të konflikteve të tjera rajonale si dhe rëndësinë e Shqipërisë për stabilitetin dhe paqen, rezultati i tranzicionit në Shqipëri duhet të sjellë efikasitet.

Bullgaria dhe Shqipëria  prej kohësh kanë  marrëdhënie shumëplanëshe bashkëpunimi. Cilat nga  këto marrëdhënie do vlerësonit më shumë dhe  ku gjykoni se duhet intensifikuar  ky bashkëpunim?

Marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë sot më të gjera e më të thella se kurrë më parë, ndërkohë që ekzistojnë mundësi për t’i zhvilluar edhe më tej. Takime të nivelit të lartë kanë dëshmuar vullnetit e të të dy palëve për të ngritur bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar në nivelin e marrëdhënieve politike. Mundësi të shumta për forcimin e marrëdhënieve ekzistojnë në fushën e energjisë, infrastrukturës, shkëmbimit kulturor dhe shkencor. Thellimi i marrëdhënieve shqiptaro-bullgare përbën element të rëndësishëm në procesin e ndërtimit të një rajoni stabiliteti dhe mirëqenieje në Evropën Juglindore. Realizimi i Korridorit Tetë dhe lidhjet e sistemeve energjetike mes dy vendeve janë projekte të një rëndësie rajonale. Ato do të ndihmojnë në arritjen e synimeve të përbashkëta. Bullgaria dhe Shqipëria i përkasin një rajoni strategjik , ku jemi një e tërë, ku jetojmë dhe punojmë së bashku. Së bashku duhet të pranojmë modelin evropian, që është provuar si më i miri. Është koha kur duhet të mos harrojmë se nuk ka kthim pas, se perspektiva e vetme është ajo e përkitjes së komunitetit të madh evropian me një qëllim të përbashkët. Bullgaria dhe Shqipëria kanë kaluar një rrugë të gjatë ndër shekuj, të mbushur plot sfida. Bullgaria vlerëson përpjekjet e Shqipërisë për kryerjen e reformave në përputhje me kriteret e anëtarësimit në BE, ndërkohë që mbështeti dhënien e statusit të vendit kandidat vendit. Ne jemi të gatshëm të ndajmë përvojën tona sa i takon periudhës së para-antarësimit. Për këtë arsye ne kemi përgatitur një Memorandum Bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e integrimit evropian, që pritet të nënshkruhet gjatë vizitave të nivelit të lartë.

Si vende me një histori me shumë pika takimi, mendoni se është bërë aq sa duhet për  një komunikim   intensiv  në fushën e njohjes  dhe promovimit  të traditave, kulturës, turizmit e të tjera, te cilat mund t’i bëjnë më të afërta vendet  tona?

Sot ne ndajmë të njëjtën perspektivë, vlera dhe parime demokratike evropiane. Ky është themeli mbi të cilin ne do të vazhdojmë të ngremë edhe më lart ato që kemi arritur deri tani. Marrëdhëniet e sotme mes dy vendeve tona kanë një shtrirje që rritet gjithnjë e më shpejt. Ne jemi të gatshëm të punojmë me Shqipërinë për forcimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomike, promovojmë traditat, kulturën, turizmin dhe fusha të tjera, që mund të sjellin edhe më afër njëri-tjetrit dy vendet tona. Gjatë viteve të fundit, vizitat dypalëshe të nivelit të lartë i kanë dhënë një intensitetit të ri bashkëpunimit tonë. Sot Bullgaria dhe Shqipëria konsultohen me njëra-tjetrën në një numër gjithnjë e më të madh çështjesh dypalëshe, rajonale dhe ndërkombëtare.

Duke u ndalur tek turizmi si  një  aset i çmuar i ekonomisë dhe i zhvillimit tonë të ardhshëm , gjykoni se  do të ishte me interes hartimi i projekteve të përbashkëta dhe ndërtimi i  një  strategjie rajonale për një përfitim reciprok midis vendeve  tona, po edhe fqinjëve tanë?

Sikurse e përmenda edhe më lartë, ekziston një horizont i gjerë për realizimin e projekteve të përbashkëta dhe ndërtimin e strategjive rajonale, që do të ishin në interes të të dy vendeve tona, por edhe të vendeve tona fqinje. Më lejoni të rikujtoj këtu Korridorin e transportit Tetë dhe lidhjet e sistemeve elektrike të të dy vendeve janë projekte me rëndësi rajonale.

Duke u munduar të dilni pak nga kostumi juaj i diplomatit, por  në rolin e një vizitori me qëndrim afatgjatë në Shqipëri , çfarë do vlerësoni  më shumë  nga  vendi ynë dhe ku mendoni se duhet më shumë shpejtësi që gjërat të ndryshojnë?

Shqipëria është një vend shumë i bukur. Gjatë tre viteve të qëndrimit tim këtu ndjehem edhe si ambasador, edhe si vizitor i zakonshëm në Shqipëri. Ka shumë gjëra për t’u mësuar çdo ditë. Mikpritja proverbiale shqiptare është një dritare e hapur dhe mundësi e shkëlqyer për njerëzit, të cilët vizitojnë për herë të parë vendin tuaj, që të ndryshojnë paragjykimet për popullin shqiptar. Sa u takon gjërave që duhen ndryshuar më shpejt, mund të them se vendi juaj ka një brez të ri të talentuar, që do të përmirësojë imazhin e vendit.

Duke ju falënderuar për intervistën, më lejoni t’Ju uroj për festën Tuaj kombëtare dhe mbarësi kudo!

 

 

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button