KryeartikullPolitika

Ambasadori që shqetësohet për vezët por jo për plumbat e Sali Berishës?!

Nga Andrea Stefani 

Nëse ka ndonjë politikan që në perceptimin e shumicës së shqiptarëve barabitet me një kriminel, ky është Sali Berisha. Nuk është e nevojshme të renditim listën e gjatë të skandaleve dhe krimeve për të cilat ai bëhet përgjegjës dhe që kanë çuar në këtë perceptim masiv. Sepse objekt i këtij shkrimi është situata groteske kur politikanë të kriminalizuar si Berisha, rrëmbejnë flamurin e dekriminalizimit. Nuk është puna se sharlatani historik i radhës në Shqipëri, po “lun” me dekriminalizimin duke e shndërruar në një farsë. E keqja më e madhe lidhur me këtë hipokrizi është ajo që qëndron në themel të saj, këmbëngulja për ta degraduar shoqërinë shqiptare në nivelin e popullatës së përrallës së Andersenit, që edhe pse e shihnin mbretin të ecte lakuriq rrugëve vazhdonte, e mashtruar nga dy rrobaqepës, të mburrte si të bukura rrobat tij që nuk ekzistonin.

***

Ky moment, kur njerëzit nuk besojnë më atë që shikojnë por vetëm atë që dëgjojnë apo ja thonë të tjerët, kur realitetin e marrin për fjalë dhe fjalët për realitet, është momenti fatal kur një shoqëri shkëput çdo lidhjeje me të vërtetën. Dhe si pastaj të mos sundohet me patjetër nga gënjeshtra dhe e keqja? Se çfarë e mire mund t’i vijë një shoqërie që edhe pse e sheh qartë kriminelin, e duartroket si një shpëtimtar që do ta nxjerrë nga kthetrat e krimit? Në rrethana të tilla mund të ndodhë dekriminalizimi i kriminelëve po aspak dekriminalizimi i Parlamentit. Aq më pak i shoqërisë. E si mundet që kjo shoqëri, herët ose vonë, të mos bjerë në kthetrat e kriminelit dhe krimit?

***

A kanë degraduar shqiptarët deri në nivelin e përrallës? Nuk e besoj. E thamë se cili është perceptimi i shumicës së tyre për Sali Berishën. Por ka forca që këtë dinozaur të mbetur nga koha e rënies së Murit të Berlinit këmbëngulin të na e shesin si “demokrat”. Një faj të madh për qëndrueshmërinë e këtij imazhi të rremë kanë edhe ndërkombëtarët dhe përfaqësuesit e tyre në Tiranë. Duke filluar me vitin e mbrapshtë ’97 kur i lanë dorë të lirë Berishës që ta sundonte vendin (për fat pa sukses!) edhe ushtarakisht edhe pse ishte kryefajtor për piramidat financiare dhe rrënimin e shtetit. Apo kur në vitin ’98 jepnin porosi të mos arrestohej pas kryerjes prej tij të një grushti shteti të armatosur. Apo kur vite më vonë e nominuan, me gojën e ambasadorit amerikan Arvizu, “burrë shteti” vetëm një vit pasi kish ideuar masakrën e “21 janarit”. Për të ardhur të rasti më i fundit, vizita që Donald Lu, ambasadori amerikan në Tiranë, i bëri Sali Berishës në zyrën e tij private për t’u konsultuar për reformën në drejtësi! S’ka asnjë dyshim se takime të tilla, të përhapura si lajme edhe nga media, janë një promovim i fuqishëm që i bëhet këtij politikani me jetëgjatësi si lider që jo vetëm është e pazakontë për një demokraci të shëndetshme por që është një nga shkaqet themelore pse demokracia shqiptare mbetet e pashëndetshme.

***

Dhe ndërsa përpiqesh ta gjykosh vizitën e ambasadorit Lu në zyrën e Berishës nga pozita parimesh, nuk i gjen asnjë justifikim. Berisha është, zyrtarisht, një kryetar i dorëhequr i PD, një ish kryeministër. Dhe pyetja shtrohet se përse ambasadori nuk shkon të takojë, për shembull, edhe ish-kryetarin e PS apo edhe ish kryeministrin Fatos Nano? Zyrtarisht Berisha është vetëm një deputet i thjeshtë i PD ndaj pyetja shtrohet, se përse ambasadori Lu nuk shkon të takojë, lidhur me reformën në drejtësi, cilindo nga deputetët e tjerë të PD por vetëm Berishën? Pra çfarë e nxit ambasadorin Lu të trokasë posaçërisht dhe vazhdimisht te Berisha për reformën në drejtësi? Mos vallë përvoja e gjatë e këtij autokrati në shkatërrimin e pavarësisë së drejtësisë në Shqipëri? Apo mos mendon se Berisha, politikani që ka qenë 26 vjet në krye të punëve në Shqipëri (sepse edhe në opozitë ai mbetet përdhunshëm në krye të punëve), nuk ka fare gisht në këtë gjendje të mjeruar e të korruptuar të sistemit të drejtësisë?

***

Kushdo që do përpiqet të mbrojë ambasadorin do nxitojë të sqarojë se vërtet Sali Berisha ka dhënë dorëheqjen si kryetar, por realisht ai është shumë i fuqishëm në PD gjë që nuk mund të mos merret në konsideratë. Në fakt, Berisha është kryetari real i PD. Pra, akti i ambasadorit Lu mund të justifikohet vetëm me këtë fakt të paprinciptë, me këtë mashtrim që vetë berishistët, edhe pse e dinë mirë, përpiqen ta mohojnë në publik pra, që Berisha edhe pse ka “ikur” nuk ka ikur nga kreu i PD. Dhe vizita e Lu në zyrën e Berishës nuk është gjë tjetër veçse një realpolitikë që legalizon këtë mashtrim të madh. Po a është parimore që të trajtosh publikisht si faktor konstruktiv një lider që në mënyrën më destruktive të mundshme për demokracinë, këmbëngul të mbajë (edhe pak do bëhen 30 vjet) frerët e PD që u themelua për të dhënë edhe shembullin, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, se si një parti nuk mbetet nën sundimin e një udhëheqësi të përjetshëm ashtu si dikur komunisti Hoxha sundonte në PPSH? Ky është modeli demokratik i rotacionit të elitave për të cilin kanë nevojë shqiptarët? Kaq pak e rrezikshme qenka për demokracinë dhe lirinë (apo kaq pak e rrezikshme i duket ambasadorit Lu?) konsolidimi thuajse për tre dekada i një politikani në krye të politikës, opozitave dhe qeverisjeve? Jam i sigurt se sikur një gjë e ngjashme të ndodhte në SHBA do ta bënte vetë Xhorxh Uashingtonin të rrotullohej në varr.

***

Dhe meqenëse u përmend realpolitika, sa e drejtë është të trajtosh si të interesuar për dekriminalizimin dhe drejtësinë një politikan si Berisha, që edhe pse dikton vendimmarrjen e PD, për shkak të kriminalizimit, ka konflikte të hapura interesi me dekriminalizimin dhe drejtësinë? Si mundet që një diplomat amerikan të gëlltisë hipokrizinë e Berishës kur shprehet se nuk e pranon dot këtë parlament të përgjakur në një kohë që ai është i akuzuar direkt publikisht për krimin e përgjakshëm të 21 janarit?

***

Mësohet se ambasadori Lu ka shprehur mospëlqim për vezët që deputetët e Berishës hodhën në Parlament. Na duket një reagim qesharak që e kërkon të keqen aty ku nuk është. Sepse kur është fjala për Berishën, ambasadori Lu nuk duhet të shqetësohet për vezët por për plumbat. E keqja e vërtetë e Berishës nuk është se deputetët e tij qëllojnë me vezë por se gardistët e tij kanë qëlluar me plumba duke vrarë e plagosur qytetarë. Nuk i vrau Berisha por i vranë ushtarët apo oficerët e gardës prandaj nuk është ai krimineli! Ashtu?! Po më thoni një rast kur diktatorët Stalini, Hitleri, Enveri e me radhë deri tek Bashar Alasad, kanë vrarë me dorën e tyre? Mos vallë nuk duhet t’i quajmë kriminelë, mos vallë duhet të themi se nuk i kanë lyer duart me gjak vetëm dhe vetëm se nuk kanë qenë ata personalisht që kanë tërhequr këmbëzën e pistoletës apo të kallashit? Nëse Berishës i shfaqet i përgjakur Parlamenti nga që aty qenkan deputetë një apo disa persona që akuzohen se paskan tërhequr personalisht këmbëzën e pistoletës, duhet t’i themi, ose duhet t’ja thonë, se Parlamenti është edhe më i përgjakur për shkak të prezencës së tij atje. Sepse kriminelët më të mëdhenj të kësaj bote nuk janë ata që tërheqin këmbëzën (ata janë ushtarët, si në 21 janar) po ata që vrasin pa luajtur fare gishtin, stalinët, enverët. Ata që të vrasin “me shtet”.

***

Dhe në fund, sado i fuqishëm të mbetet Berisha dhe klani i tij në krye të PD, nuk është realpolitikë të marrësh parasysh vetëm këtë fakt despotik të themeluar mbi një kult të neveritshëm dhe të neglizhosh tjetrin, faktin që shumica e shqiptarëve kanë për Berishën perceptimin jo si për një demokrat por si për një autokrat të korruptuar dhe kriminalizuar. Është arrogancë, është prirje nga forca dhe jo nga e drejta. Një diplomaci e tillë, e ndërtuar mbi neglizhimin e ndjeshmërive të forta publike por edhe të vërtetave dhe parimeve që ngjizin demokracinë dhe lirinë, nuk do t’i sillte dobi as SHBA dhe as Shqipërisë. Jo e jo as demokracisë dhe lirisë si ideale të shpallura të të dy vendeve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button