Rajoni

Ambasadori ukrainas: Serbia e qëlloi veten në këmbë, do t’i kthehet si bumerang

Beograd – Ambasadori i Ukrainës në Beograd, Oleksandr Aleksandrovic, ka thënë se votimi i Serbisë kundër rezolutës për Krimenë në OKB-së mund t’i kthehet si bumerang.

“Është një shprehje në anglisht -“Të qëllosh veten në këmbë”. Unë besoj se Serbia e ka bërë pikërisht këtë me këtë votim të tillë, për shkak se në disa pika në të ardhmen, një vendim i tillë mund t’u kthehet si bumerang në përpjekjet tuaja për të mbajtur Kosovën. Unë nuk e kuptoj pse po e bëni këtë”, tha Aleksandrovic për gazetën “Blic” që del të enjten.

Ai tha se ai ishte përpjekur që të marrë një shpjegim nga Qeveria e Serbisë se cila është arsyeja që Serbia votoi kundër rezolutës, por nuk kishte sukses. Alexandrovic tha se ky veprim i Serbisë nuk do të ndikojë në marrëdhëniet “mes dy popujve”, por se atij i vinte shumë i keq që Qeveria serbe “vendosi të votojë kundër Ukrainës”.

“Ne kurrë nuk kemi pushuar së mbështeturi Serbinë kur është fjala për Kosovën, as që e kemi njohur pavarësinë. Tash vonë nuk pranuam që të luajmë futboll dhe basketboll me Kosovën në territorin tonë, sepse ne nuk duam pasaportat e Kosovës. Ne nuk po bëjmë asgjë kundër interesave të Serbisë dhe sinqerisht, ne jemi shumë të shqetësuar për shkak të kësaj”, tha ambasadori.

Ai shtoi se ishte i sigurt se Serbia e ka ndryshuar qëndrimin e saj të neutralitetit dhe përmbajtjes gjatë votimit në OKB për shkak të presionit të Rusisë.

“Le të kujtojmë intervistën Vladimir Putin në Bloomberg, në të cilën ai haptazi tha se Kremlini është i gatshëm për të ndaluar mbështetjen e Serbisë për çështjen e Kosovës në qoftë se, në kthim, Perëndimi pranon se Krimea është ruse. Ndoshta ka kërcënuar drejtpërsëdrejti për njohjen e Kosovës së pavarur, unë me të vërtetë nuk e di. Nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, Kosova është serbe, Krimea është Ukrainë”, tha Alexandrovic.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 20 dhjetor miratoi një rezolutë që dënon shkeljet e të drejtave të njeriut në gadishullin e Krimesë, dhe në të thuhet se “përkohësisht është okupuar nga Rusia”.

Serbia, së bashku me Rusinë, Angolën, Bjellorusinë, Venezuelën, Iranin, Kazakistanin, Kinën, Kubën, Korenë e Veriut dhe Sirinë votuan kundër rezolutës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button