Ambasadorja e BE-së, Moreira de Sousa: Cilësia e reformës zgjedhore po aq e rëndësishme sa koha e realizimit të saj
Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka postuar në X mbi një takim të zhvilluar me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi.
Ajo shkruan se në fokus të takimit ishte procesi i reformës zgjedhore. Ambasadorja Moreira de Sousa theksoi se cilësia e reformës zgjedhore është po aq e rëndësishme sa edhe koha kur ajo realizohet.
“Cilësia e reformës zgjedhore është po aq e rëndësishme sa koha e realizimit të saj.
Zhvillova takimin tim të parë me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi.
Diskutuam për afatin shumë të ngushtë brenda të cilit po punon komisioni, si edhe për çështje që lidhen me fushëveprimin, përparësitë dhe gjithëpërfshirjen e reformës.
Reforma zgjedhore ka të bëjë me besimin e publikut, konkurrencën e ndershme dhe integritetin e zgjedhjeve. Ajo është gjithashtu pjesë e rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Rekomandimet e OSBE/ODIHR-it kanë qenë prej kohësh të qarta dhe puna e përbashkët e bërë deri tani duhet tashmë të japë rezultate.
Me vullnet politik dhe dialog të mirëfilltë nga të gjitha palët, kjo është e arritshme”, shkruan Sofia Moreira de Sousa.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.