Anadolu Agency: Pazari i Krujës, destinacioni unik për turistët vendas dhe të huaj
Agjencia zyrtare turke e lajmeve, Anadolu Agency (AA), i ka kushtuar sot një shkrim të posaçëm Krujës, ku thekson faktin se ky qytet është një nga destinacionet turistike më të vizituara në vend në çdo stinë të vitit. Më poshtë vijon shkrimi i plotë i AA-së:
Qyteti i Krujës është një nga destinacionet e pakta turistike në Shqipëri që të çon në periudhën arkitekturore osmane.
Si një nga trashëgimitë kulturore dhe historike të këtij qyteti, Pazari i Vjetër Krujës pret vizitorë nga Shqipëria, rajoni dhe gjithë bota pothuajse në çdo stinë të vitit.
Në territorin e sotëm të Shqipërisë ka pasur shumë objekte dhe zona historike si hamame, çarshi e tjerë.
Këtu mund të përmenden edhe Pazari i Gjirokastrës, Delvinës, Korçës, Elbasanit, Tiranës e tjerë.
Ndërkohë, në ditët e sotme, vetëm pak prej tyre kanë mundur t’i rezistojnë kohës. Njëri prej tyre është edhe Pazari i Krujës i cili për nga arkitektura është tipik i periudhës osmane.
Zona turistike Pazari i Krujës është cilësuar monument kulture i kategorisë së parë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës së Shqipërisë dhe është një nga destinacionet turistike më të vizituara në vend në çdo stinë të vitit.
Në këtë zonë turistike janë të vendosur tregtarë dhe artizanë që ofrojnë për turistët dhe vizitorët artikuj e sende të ndryshme, duke filluar nga enët e bakrit, qilimat, veshjet me motive kombëtare, qeleshet, aksesorë të ndryshëm me motive kombëtare, suvenire e tjerë.
Në afërsi të pazarit është një xhami e shekullit XVI, që është rikonstruktuar nga Agjencia Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA).
Pazari i Krujës është një destinacion shumë akraktiv për turistët, ku krahas arkitekturës se veçantë ofron edhe shërbime të ndryshme karakteristike dhe historike.
Në të gjenden dhjetëra dyqane që ofrojnë një shumëllojshmëri të objekteve dhe që në Shqipëri janë edhe unike.
Në zonën ku shtrihet Pazari i Krujës janë realizuar edhe punime restauruese, ku projekti restaurues i të gjitha dyqaneve përfshin çatitë, fasadat, ndriçimin dhe sinjalistikën, punime nëntokësore si dhe përmirësimin e kalldrëmit të një prej vendeve historike të veçanta në Shqipëri.
Pas punimeve për “rigjallërimin” Pazarit të Vjetër të Krujës, Ministria e Zhvillimit Urban të Shqipërisë ka planifikuar një tjetër fazë të projektit restaurues.
Bëhet fjalë për pajisjen e të gjithë zonës turistike me kamera sigurie, sinjalistikë turistike dhe shërbime publike për turistët vendas dhe të huaj.
Por, një prej qëllimeve kryesore të fazës së dytë të projektit në fjalë, sipas kësaj ministrie, është mbështetja për shoqatën e artizanëve, për të rritur cilësinë e shërbimeve të ofruara. Artizanët do të mbështeten me grante në vlerë 2-3 000 dollarë për prodhimin e produkteve origjinale të zonës, për të shmangur importin nga jashtë. Ndërkohë, të gjitha bizneset e vogla që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Pazarin e Krujës gjatë vitit 2016 janë përjashtuar nga të gjitha taksat vendore.
Krahas pazarit, qyteti i Krujës ofron edhe vende të tjera interesante për tu vizituar nga turistët, ku ndër të tjera mund të përmendet Kalaja, Muzeu Historik si dhe Muzeu Etnografik