Ekonomia

Analizë/ Nafta, mineralet dhe fasoni, me ndikim në uljen e eksporteve shqiptare

Eksportet u ulën 25,3% në muajin prill, ku ndikim kryesor dhanë prodhimet e naftës, mineralet dhe industria fason.
Gjatë prillit, grupi “Minerale, energji” vijoi tkurrjen dhe u ulën eksportet e naftës në tregun spanjoll kryesisht, pasi “Bankers Petroleum” që zë vendin kryesor të eksporteve drejt këtij shteti, prej muajsh ka ulur nivelet e prodhimit për shkak të cmimeve të ulta në tregun botëror. Por, ndikim negativ në uljen e eksporteve shqiptare dhanë edhe prodhimet e industrisë së lehtë të fasonit, për efekt të politikave mbështetëse fiskale dhe nxitëse që ka nisur të zbatojë qeveria e Italisë për SME-të, që të rrisin punësimin dhe prodhimin në vend. Sipas statistikave të BE-së, rezulton se pikërisht Italia kryeson në nxitjen e zbatimin e këtyre skemave, ku efektet pozitive po vijnë në rritje e sipër.
Fakt është se efektet e politikave ekonomike italiane po duken tashmë në industrinë prodhuese të fasonit në vendin tonë, sepse vendi kryesor porositës kryesor është pikërisht Italia që për pasojë, ka ulur kërkesën porositëse drejt tregut shqiptar. Por, megjithatë, Italia mbetet vendi kryesor për eksportet shqiptare në tërësi, që edhe në muajin prill zunë 67,9% të totalit.
Në prill 2015, eksportet drejt vendeve të BE-së u ulën 25,3 %, krahasuar me 2014-tën, duke zënë 66,9 % të eksporteve gjithsej. Peshën më të madhe të eksporteve drejt vendeve të BE-së e zënë Italia me 67,9 %, Spanja me 6,3 % dhe Greqia me 5,6 % të eksporteve gjithsej. Vendet e BE-së ku gjatë muajit prill Shqipëria pati rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me mars 2014, ishin Austria, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, ndërsa me ulje rezultuan Italia, Kroacia dhe Spanja.
Ndryshe nga vendet e BE-së, eksportet shqiptare u rritën drejt tregjeve të Kosovës dhe Kinës. Krahasuar me një vit më parë, eksportet u rritën drejt këtyre dy shteteve duke zënë respektivisht 13,4 % dhe 4,0 % të eksporteve gjithsej. Në prill me ulje rezultuan dhe eksportet shqiptare drejt Turqisë.
Nisur nga këto ndryshime, vërehet se janë disa grupe kryesore që ndikuan në ndryshimin vjetor të eksporteve. Kështu, rënia vjetore në muajin prill u ndikua kryesisht nga grupet “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” që kontribuan me -8,5 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -3,8 pikë përqindje, ndërsa rezultuan me një rritje të lehtë eksportet për grupet “Makineri, paisje dhe pjesë këmbimi” me +1,6 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me +1,0 pikë përqindje si dhe “Produkte kimike dhe plastike” me +0,1 pikë përqindje.
Në prill importet nga vendet e BE-së u rritën 3,7 %, krahasuar me prill 2014, duke zënë 63,6 % të importeve gjithsej, ku peshën kryesore e mban Italia me 49,6 %, Greqia me 15,5 % dhe Gjermania me 9,5 %. Por, vërehet se Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve në krahasim me Prill 2014 me tregjet e Spanjës dhe Italisë, ndërsa u blenë më pak mallra në tregjet e Greqisë, Austrisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Importet në prill krahasuar me një vit më parë rezultuan me rritje nga Turqia me 8,5% dhe Kina 7,8 % ndaj totalit, ndërsa u ulën ato nga Kosova.
Analiza e ndikimit të grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të importeve konstaton se rënia vjetore në muajin prill 2015 u ndikua kryesisht nga grupet “Makineri, paisje dhe pjesë këmbimi” kontribuan me +1,9 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” kontribuan me +1,1 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” kontribuan me +0,5 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” kontribuan me -4,4 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -1,3 pikë përqindje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button