Ekonomia

Analizë/ Zgjerohet tregu i paneleve diellore nga konsumatorët

Rritja e sasisë së paneleve diellore të importuara tregon se biznesi privat që merret me këtë treg ka zgjeruar fushën e aktivitetit. Për vitin 2014, u importuan panele diellore në masën 129% më shumë sipas INSTAT, ose në 379 milionë lekë, në raport me një vit më parë, duke treguar kështu interes në rritje për përdorimin e energjisë diellore si burim energjetik, pasi ndikon në kursimin e shpenzimeve për cdo portofol familjar.

Shqipëria ka një mesatare vjetore 240-260 ditë me diell dhe për pasojë, përdorimi i energjisë diellore është mjaft ekonomitar, sepse panelet fotovoltaike jo vetëm që reduktojnë shpenzimet për energjinë elektrike, por garantojnë në cdo kohë furnizim pa ndërprerë me energji në zona të caktuara.
Të mbërritur për herë të parë në Shqipëri në vitin 1998, panelet diellore u futën në banesat, kryesisht të emigrantëve nga vendi fqinj, Greqia, ku ka përhapje të gjerë të tyre për prodhimin e energjisë elektrike. Vitet e fundit ky treg po zgjerohet në sektorin e hotelerisë dhe pallatet e banimit, ndërsa ka nisur prodhimi në vend i tyre nga kompania “Termo Tirana”.
Pavarësisht zgjerimit, ekspertët vlerësojnë se përdorimi i paneleve diellore mbetet i ulët, në raport me potencialin që ka Shqipëria për numrin e lartë të ditëve me diell. Ata pohojnë se investimi për panelet diellore ndonëse ka kosto të lartë fillestare me vendosjen e tyre, e zvogëlon ndjeshëm koston me mirëmbajtje dhe ka jetë të gjatë përdorimi. Përvec prodhimit të ujit të ngrohtë sanitar, panelet shërbejnë dhe si burim i mirë nxehtësie për ngrohjen e banesave në dimër dhe si alternativë që sjell kursim në vit.

Edhe pse fillimisht me kosto relativisht të lartë për instalim, nga investimi për panelet diellore brenda pak viteve përfitohen fitimet. Një panel diellor kushton 1000 euro për një banesë private dhe ka kosto 30 euro për mirëmbajtje. Ky investim kushton shumë më pak se sistemet e ngrohjes në një banesë, që arrin 6000 euro.
Përdorimi i paneleve diellore konsiderohet në botë si “energji e gjelbër” dhe hap i domosdoshëm për mbrojtjen e mjedisit në planet, ku shumë shtete kanë vendosur objektiva për zgjerimin e tyre.
Në raport me konsumin e burimeve të rinovueshme, vetëm 34% e tyre shfrytëzohet sot në Shqipëri, ndërsa në vitin 2020 objektivi parashikon mbi 38%, thonë ekspertët e energjive. Sipas ligjit për eficencën e energjisë, është detyrim përdorimi i energjitë të rinovueshme fillimisht në hotel-restorante, ndërtesat e shërbimeve publike, shtëpitë private individuale dhe ndërtesat shumëkatëshe me apartamente banimi.
Shqipëria është e përfshirë në nismën globale të OKB-së për reduktimin e emetimit në atmosferë të gazrave me efekt serrë dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike dhe ka një projekt të PNUD-it që po zbatohet me synim, përdorimin e energjisë diellore për ngrohjen e ujit, si mënyrë efikase që shmang ndotjen e atmosferës me gazra me efekt serrë.
Sipas projektit, pritet që në Shqipëri do të instalohet një kolektor diellor në sipërfaqjen 75.000 m2 për prodhimin e energjisë dhe ngrohjen e ujit sanitar, prej nga pritet që energjia e rinovureshme e përftuar nga kolektori të reduktojë emetimin e gazit karbonik në atmosferë me 146.000 ton/vit.
Por edhe pse realisht në Shqipëri egziston një treg i energjisë diellore me tendencë rritjen e përdorimit të paneleve diellore për ngrohje uji, ekspertët shprehen se 60% e instalimeve të tyre është i gabuar për shkak të instalimeve difektoze, sipas studimeve.
Për këtë arsye, ekspertët sygjerojnë që vendosja e paneleve diellore duhet konceptuar qysh në projektimin e banesave, pallateve, hoteleve dhe ndërtesave publike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button