Kronika

Anëtarët e KM “BSH drejtohej vetëm nga Fullani dhe Gjoni”

Milo, Kule dhe Civici rëndojnë pozitën e ish-guvernatorit: Ne ishim vetëm këshillues

Tre anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës paraqesin një sërë dokumentesh para prokurorit të çështjes

Gjatë dëshmive, tre anëtarët e KM kanë rënduar edhe pozitën e kryeinspektores Elivar Golemi

Zv.guvernatorja – Grupi i hetimit kishte planifikuar të merrte në pyetje dje edhe zëvendësguvernatoren Gjoni, por ajo ka shtyrë këtë seancë për shkak të takimit me Kryeministrin Rama

Keshilli MbikqyresTre anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës në Bankën e Shqipërisë, të cilët kanë dhënë dje dëshmitë e tyre në prokurori për vjedhjen e Thesarit, kanë hedhur përgjegjësitë mbi Fullanin e Gjonin, duke pretenduar se ata ishin thjesht këshillues për administratorët e BSH-së. Dy ditë pasi vendosën shkarkimin e guvernatorit, veprim të cilin nuk e kishin kryer në dy mbledhjet e para, tre anëtarët e KM-së, Petraq Milo, Dhori Kule dhe Adrian Civici janë paraqitur përpara prokurorit të çështjes, Ramadan Troci dhe oficerit Helidon Hysenaj, me dosje me dokumente në duar, të cilat i kanë vënë në dispozicion të grupit hetimor.

I pari që është paraqitur pranë Prokurorisë së Tiranës ka qenë Petraq Milo, i cili teksa ka hyrë në prokurori, nuk ka dhënë asnjë deklaratë për mediat, ndërkohë ka dëshmuar më shumë se 1 orë e 30 minuta. Ende pa dalë nga prokuroria Milo, në organin e akuzës për të dhënë dëshminë është paraqitur edhe Ardian Civici. Edhe ky s’ka pranuar të japë asnjë koment për mediat, duke shtuar se do tregonte gjithçka në prokurori. Kurse i fundit anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, që ka mbyllur seancën e dëshmive gjatë ditës së djeshme ka qenë Dhori Kule. Ai ka refuzuar të flasë në media, por dëshmia e tij ka zgjatur rreth një orë dhe më pas është larguar.

Sipas burimeve pranë grupit hetimor, të tre anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës kanë pohuar se ata kanë pasur për detyrë të miratonin me votim rregulloret dhe akte të tjera juridike që servireshin nga guvernatori Fullani, zv/guvernatorja Elisabeta Gjoni dhe drejtuesit e departamenteve. Kule, Milo dhe Civici, kanë pohuar se çdo akt ligjor dhe rregullore që propozohej, diskutohej në Këshill dhe më pas miratohej ose rrëzohej. Tre zyrtarët kanë shmangur pozicionin e tyre nga përgjegjësia penale, duke thënë se rregullorja e shkurtit 2006, nuk është shkelur në asnjë moment prej tyre, pasi kanë pasur funksion këshillimi dhe analizimi të akteve juridike dhe jo të propozimit të nismave për organizimin dhe funksionimin e Bankës së Shqipërisë dhe strukturave të saj.

Ashtu si kolegia e tyre, Ermelinda Meksi, që akuzoi Fullanin për mungesën e një sërë aktesh juridike dhe rregulloresh, edhe tre anëtarët e tjerë mësohet të kenë ngarkuar më përgjegjësi ish-guvernatorin dhe zv/guvernatoren Elisabeta Gjoni për mungesën e një sërë udhëzimesh që do të krijonin kushtet e përshtatshme dhe siguri normale, për mosvjedhjen nga Thesari të shumës prej 7 milionë dollarëve. Më pas, ata u kanë lënë në dorëzim prokurorëve disa dokumente që kishin marrë me vete, të cilat janë administruar si prova materiale në dosjen penale. Duke u bazuar në këto dokumente, ata kanë mbrojtur edhe dëshmitë e tyre se pozicioni i tyre është vetëm këshillues dhe analizues i situatës së bankës dhe jo për krijimin e nismave që do të çonin me krijimin e akteve ligjore për të kontrolluar punën e departamenteve dhe strukturave të tjera të Bankës së Shqipërisë.

Por me dëshmitë e tyre, ata nuk kanë rënduar vetëm pozitën e Fullanit, pasi nuk ka mbetur jashtë vëmendje edhe inspektorja e përgjithshme, Golemi. Teksa kanë dhënë shpjegime për një sërë rregulloresh që nuk janë miratuar në këshill dhe dispozita ligjore të pa zbatuar, si dhe mënyrën e veprimit të Thesarit të Shtetit, tre këshilltarët janë pyetur nga prokuroria dhe për mungesën e auditeve për tre vite me radhë. Në përgjigjen që ata kanë dhënë, kanë pohuar se për këtë kishte përgjegjësi direkte Elivar Golemi, e cila nuk ka paraqitur asnjë raport auditi tek eprorët.

Grupi i hetimit kishte planifikuar të merrte në pyetje dje edhe zëvendësguvernatoren Gjoni, por ajo ka shtyrë këtë seancë për shkak të angazhimeve ditore. Teksa, grupi i hetimit ka qenë në pritje të paraqitjes për të dëshmuar në prokurori të Elisabeta Gjonit, ajo ka njoftuar në telefon se nuk kishte mundësi të shkonte në prokurori dhe të dëshmonte. Kjo për shkak se sipas komunikimeve që ajo ka kryer në telefon me prokurorët, në orarin kur ishte parashikuar marrja në pyetje e saj, ajo kishte një takim urgjent me Kryeministrin e vendit, Edi Rama. Nisur nga kjo situatë, pyetja e Gjonit është shtyrë për ditën e sotme, ku pritet të paraqitet në prokurori rreth orës 09:00 të mëngjesit. Ashtu si Fullani edhe kjo e fundit ka pasur për detyrë të nxjerrë rregullore dhe urdhra të posaçme për të kontrolluar punën në Departamentet e bankës, por në fakt, një gjë të tillë nuk e ka kryer.

Takohet me Çipën

Prokurori i vjedhjes së Thesarit refuzon mbrojtjen

I cilësuar si heroi që theu mitin e të paprekshmit në vend, prokurori Ramadan Troci ka refuzuar të mbrohet nga policia, megjithëse ka në dorë një nga çështjet më të bujshme dhe delikate. Kërkesa për mbrojtje mësohet se i është bërë nga kreu i policisë së Tiranës, Ardian Çipa, por ai nuk ka pranuar një gjë të tillë, pasi nuk ndihej i kërcënuar. Prokurori Troci është parë teksa konsumonte kafen e mëngjesit me drejtorin e Policisë së Tiranës në lokal afër godinës së Prokurorisë së Tiranës. Një takim i tillë ndodhi vetëm pak minuta para se në godinën e organit të akuzës erdhi Petraq Milo një nga tre anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës që u mor në pyetje për vjedhjen e 713 milionë lekëve. Pas takimit, nga burime të sigurta u tha se ai nuk ka pranuar të mbrohet nga policia. Troci është prokurori që ka hetuar skandalin e vjedhjes së Bankës së Shqipërisë dhe që urdhëroi arrestimin e guvernatorit Fullani dhe inspektores së përgjithshme, Golemi. Si i tillë, siguria e tij është primare për strukturat e policisë. Prej gati dy muajsh Troci hetoi në mënyrë intensive dhe të pavarur skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve nga Banka e Shqipërisë, duke u privuar dhe nga leja e tij vjetore. Ramadan Troci ka hetuar edhe aksidentin e deputetit Sokol Olldashi dhe dosjen e pedofilit Ardian Prenjasi me abuzimet me fëmijët dhe zhdukjen e 11-vjeçarit Julian Çela.

Dorëzohen kërkesat

“Arresti me burg”, Fullani e Golemi apelojnë vendimin

Avokatët mbrojtës, të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, të propozuar për shkarkim nga Këshilli Mbikëqyrës dhe inspektores së përgjithshme, Elivar Golemi, i janë drejtuar Gjykatës së Apelit. Ata kanë apeluar vendimin e një dite më parë të Gjykatës së Tiranës, e cila la në fuqi vendimin e dhënë në mungesë, të premten e 5 shtatorit, të masës së sigurisë “arrest me burg” për dy të pandehurit. Dy ditë më parë, avokati i Fullanit, Maks Haxhia dhe ai i kryeinspektores Golemi thanë se do të apelojnë vendimin e kësaj shkalle në Apel, duke deklaruar se hetimi për klientët e tyre duhet të kryhet në një masë sigurie më të butë për shkak se nuk kanë asnjë rrezikshmëri shoqërore. “Arresti me burg nga Fullani ishte një masë ekstreme, që zbatohet në kushte ekstreme dhe jo ndaj një personaliteti me adresë të përcaktuar qartë dhe që nuk përbën rrezikshmëri shoqërore. Për veprën penale ‘Shpërdorim detyre’ parashikohet një dënim deri në 7 vjet burg, por gjithsesi, vendimi do të ankimohet në Gjykatën e Apelit. Akuzat e prokurorisë nuk qëndrojnë, pasi në qoftë se do të zbatohej përgjegjësia penale për veprat penale të shpërdorimit të detyrës, çdo personalitet ose çdo funksionar shteti, do të ishte i rrezikuar të futej aty. Janë ngatërruar shkeljet administrative me veprimet dhe mosveprimet që sjellin pasoja të karakterit penal”, deklaroi pas seancës gjyqësore avokati Maks Haxhia.

Fullani te 302, Bitraj dërgohet në Burgun 313

Vetëm disa orë pasi ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, u vendos te burgu 302, ish-përgjegjës i Arkës Stok, Ardian Bitraj, është transferuar nga ky burg në Burgun 313 në Tiranë. Nga personat e paraburgosur për çështjen e vjedhjes së 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë, në Burgun 302 ndodhet vetëm ish-guvernatori Fullani. Mësohet se transferimi i Bitrajt është bërë për të evituar çdolloj kontakti me ish-guvernatorin Fullani.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button