Ekonomia

Anijet e peshkimit, ministria e Bujqësisë verifikon licencat

Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave do të verifikojë Regjistrin e Anijeve të Peshkimit, duke përcaktuar për të gjitha anijet që kanë një leje peshkimi, së cilës i ka përfunduar afati i vlefshmërisë, të kryejnë procedurat e licencimit.

Sipas ministrisë, brenda 45 ditëve, subjektet e peshkimit, pronarët ose administratorët e anijeve të peshkimit, duhet të deklarojnë vullnetin për të vazhduar aktivitetin e peshkimit pranë Drejtorisë së Peshkimit dhe të pajisen me leje peshkimi, duke shlyer të gjitha detyrimet përkatëse.

Pas ligjit të ri për akuakulturën, qeveria shqiptare ka ndërmarrë një iniciativë të re që synon t’i japë fund shfrytëzimit pa kriter të detit përmes anijeve të peshkimit të palicencuara apo të pakontrolluara.

Ligji i miratuar nga qeveria parashikon futjen në sitë të të gjitha lejeve e licencave të peshkimit dhe kontrollin e dokumentacionit për të gjitha anijet që ushtrojnë aktivitetin e peshkimit në det.

Vendimi i propozuar nga ministria e Bujqësisë parashikon numrin e saktë të lejeve të peshkimit tregtar që ka kapacitet bregdeti shqiptar, çka do të thotë se vijimi i aktivitetit do të jetë i kufizuar. Procesi i përditësimit të Regjistrit të Anijeve të Peshkimit përfundon në datën 31 mars 2017.

Vendimi i ri parashikon edhe standarde për anijet e peshkimit, ku do të ndalohet hyrja në flotën e peshkimit të mjeteve lundruese që përdorin trata tërheqëse fundore  me moshë më të madhe se 20 vjet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button