Ankandi i dytë i “Albpetrolit”
Fatos Çoçoli
850 milionë euro ishte oferta fituese e ankandit të parë për të shitur kompaninë shtetërore shqiptare të naftës, “Albpetrol”. E dha këtë ofertë në mesin e vitit 2012 një kompani fantazmë “Vetro Silkroad Equity”, e vënë në këmbë nga një sipërmarrës shqiptar që më vonë falimentoi. Gati tre vjet më vonë, tani në mars 2015, Kryeministri i vendit deklaron se “Albpetrol” do të nxirret për herë të dytë në treg, për t’u shitur. Ky është një lajm vërtet i mirë për ekonominë tonë. Sepse kompania shtetërore më e madhe shqiptare po degradohet në duart shtetërore çdo ditë e orë që kalon, nga mungesa e fondeve. Lajm i mirë, megjithëse, duke pasur parasysh tregun e sotëm të arit të zi, të përgjysmuar në vlerë nga mungesa e importit prej ekonomisë amerikane, askush nuk duhet të mendojë se buxheti i shtetit tonë, nëse do të mund të realizohet shitja, do të arrijë të përfitojë shifra të ngjashme me ofertën abuzive të fituesit të ankandit të parë. Aty shteti ynë humbi 85 milionë eurot e garancisë së privatizimit, që ishin false, si vetë oferta. Me naftën e përgjysmuar, vlera e një kompanie prodhuese të saj, sikurse është dhe “Albpetrol”, paraqitet të paktën dy herë më e ulët. Të vjen të thuash: si nuk e zbuluam që kompania fituese tre vite më parë ishte mashtruese dhe nuk i kishte ato para?! Të paktën t’ia kishim shitur për 303 milionë euro kompanisë së renditur e dyta, që është serioze, pse tashmë prodhon dhe shet naftën shqiptare (kompania kanadeze “Bankers Petroleum”). Por në atë kohë, sipërmarrësi shqiptar i kompanisë fantazmë “Vetro Silkroad Equity” e kishte grurë me pushtetin e atëhershëm dhe nuk i hyri një gjemb në brinjë. Tani, me vlerën e naftës në tregun ndërkombëtar, sikur të arrinim të nxirrnim 250 milionë euro nga shitja e “Albpetrolit”, do të ishte një sukses i jashtëzakonshëm. Një gjë është e sigurt: sa më shpejt të bëhet me pronar privat “Albpetroli”, aq më mirë është për ekonominë tonë dhe për vetë kompaninë. Ajo kështu si është tani, në duar shtetërore, me mungesë totale investimesh, me naftën kaq të lirë në treg, është e destinuar për një lëngim të gjatë. Kësaj here të dytë të nxjerrjes në shitje të sipërmarrjes shtetërore më të vlefshme që na ka ngelur, bëjmë mirë t’i gjejmë një blerës me tërë mend strategjik. Me eksperiencë në fushën e prodhimit dhe kërkimit të hidrokarbureve nën tokë, me kapitale të mjaftueshme për një plan-biznesi të besueshëm e serioz. Me përgjegjësinë e duhur sociale, pse në momentin kur “Albpetrol” bëhet e privatit, janë në rrezik me mijëra vende pune (nga 4500 që janë gjithsej), një pjesë e mirë e të cilave sot qëndrojnë në këmbë vetëm nga prapambetja e kompanisë dhe arsyeja shoqërore. Për t’ia imponuar blerësit këtë përgjegjësi sociale, qeveria jonë duhet të përgatisë një kontratë privatizimi sa më mbrojtëse për krahët e punës të rrezikuara në kompani. E kaluara e qindra punonjësve të pushuar nga kompania është e hidhur, pse janë larguar për arsye thjesht të ndërrimit politik të pushteteve te ne, dhe, në tërësi, të drejtat sindikaliste të punonjësve janë respektuar fare pak, për të mos thënë të kundërtën. Kur qeveria merr kurajën, në gojën e përfaqësuesit numër një të saj, për të thënë që brenda një viti mbaron telenovela e shitjes së “Albpetrolit”, e nisur aq trishtueshëm me mashtrimin më të madh në tenderët publikë shqiptarë të këtyre 25 viteve, do të thotë se ka diçka “në magje”. Se një fjalë jozyrtare e ka ndarë me një investues të rëndësishëm të huaj. Nuk ka rëndësi nëse është ky amerikan, kinez apo kanadez. E rëndësishme është që me një proces tërësisht transparent, me një garë të patrukuar, të fitojë një kompani e huaj serioze, me eksperiencë dhe kapitale të mjaftueshme për ta shndërruar “Albpetrolin” tonë në një kompani moderne dhe prodhuese cilësore të naftës shqiptare, e cila vijon të jetë e bollshme në nëntokën tonë, me gjithë shfrytëzimin mizor e pa asnjë kriter, që nga koha kur është zbuluar, në vitin 1927.