Armët ilegale, kërcënim i përditshëm për sigurinë e qytetarëve
Numri i madh i armëve ilegale, të cilat vazhdojnë të mbeten në duart e qytetarëve, paraqesin rrezik për sigurinë e përgjithshme në Kosovë dhe në veçanti për vet qytetarët.
Vetëm gjatë vitit 2016, autoritetet e sigurisë në Kosovë kanë arritur të identifikojnë dhe konfiskojnë rreth 1.300 armë dhe numër të madh të municionit.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha i tha Radios Evropa e Lirë se janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme për identifikimin e armëve ilegale dhe reduktimin e prezencës dhe posedimit të tyre në mënyrë të kundërligjshme.
“Gjatë vitit 2016, Policia e Kosovës, gjatë punëve operativo-hetimore, ka arritur të identifikojë dhe konfiskojë mbi 1.290 armë dhe rreth 25.800 copë municione të kalibrave të ndryshme. Gjithashtu, edhe këtë vit kemi në proces plane operacionale policore, në funksion të identifikimit dhe konfiskimit të armëve ilegale që mund të paraqesin rrezik për qytetarët tanë”, tha Hoxha.
Armët ilegale, shton Hoxha, paraqesin një rrezik potencial edhe për qytetarët e vendit, por janë një sfidë edhe për institucionet, e në veçanti ato të sigurisë.
“Ne në vazhdimësi kemi ndërmarr veprime konkrete për parandalim, qoftë përmes operacioneve policore për konfiskimin e armëve ilegale, apo edhe përmes fushatave të ndryshme për vetëdijesim për të gjitha aktivitetet e kundërligjshme që mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi në rrezikimin e sigurisë së përgjithshme, apo që mund të çojnë tek kryerja e akteve të tilla”, tha Hoxha.
Në disa nga hulumtimet e bëra të organizatave joqeveritare të sigurisë në Kosovë, ishte theksuar se arsyet e mbajtjes së armëve të paligjshme janë pasojat e pasluftës, pastaj frika, mosbesimi tek institucionet, si dhe tradita.
Ulja e numrit të mbajtjes së armëve pa leje nga qytetarët, ishte konsideruar nga hulumtimet e bëra të jetë sfidë për Kosovën.
Plator Avdiu, hulumtues nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se numri i armëve pa leje në duart e qytetarëve është shqetësuese për sigurinë dhe alarmuese për institucionet e sigurisë në vend.
“Numri i madh i armëve që posedojnë qytetarët është shqetësuese, pasi që potencialisht mund rrezikojë sigurinë publike në vend, sigurinë e qytetarëve. Ky numër i madh i armëve vërehet gjatë sezonës së verës, kur në ahengje të ndryshme familjare janë përdorur armë ilegale dhe si pasojë e kësaj ka pasur edhe viktima”, thekson Avdiu.
Institucionet e Kosovës nuk kanë shifra të sakta për numrin e armëve ilegale të cilat mund të jenë në duart e qytetarëve.
Për këtë janë vetëm disa të dhëna të vitit 2008 të organizatave ndërkombëtare, ku ishte thënë se numri i armëve pa leje në Kosovë arrin në 300 mijë.
Bazuar në këtë numër, pavarësisht konfiskimeve të armëve nga Policia, vit pas viti, besohet se përqindja e qytetarëve që posedojnë armë ilegale mbetet e lartë.
Avdiu thotë se duhet të dihet numri i saktë i armëve pa leje, në mënyrë që të përgatitet një strategji për këtë çështje.
“Duhet të ketë një regjistrim adekuat dhe të dihet saktë se kush ka armë në Kosovë, sa është numri i tyre dhe pastaj të vendoset kontroll më i madh i institucioneve në rrafshin e armëve ilegale. Pastaj të bëhet ose dorëzimi i armëve ose konfiskimi i tyre, por patjetër në këtë çështje duhet të ketë aktivizim më të madh të institucioneve”, thekson Avdiu.
Ditë më parë, Policia e Kosovës mbështetur nga mekanizmat ndërkombëtarë, ka shkatërruar një numër të madh të armëve të vogla dhe të lehta.
Posedimi i armëve në Republikën e Kosovës rregullohet me ligj, prandaj edhe bartja apo posedimi i tyre në mënyrë të kundërligjshme është e sanksionuar me ligj.