Opinion

Armiku te porta

Nga Sokol Shameti 

Qeveria socialiste në pushtet arriti më në fund në ditën që të akuzohet nga e djathta për ekstremizëm djathtist. Nëse do ta përfytyronim këtë qeveri si një vashë moskokëçarëse dhe disi çapkëne, sot është dita kur aventurat e saj kanë shkuar aq larg saqë i duken si teprime skandaloze deri edhe një prostitute profesioniste.

Skena më e turpshme gjatë debateve parlamentare për ligjin e reformës së arsimit të lartë u shënua kur Kryeministri “i majtë” i dredhoi përgjegjësisë se po financon pronarët milionerë të universiteteve private me fonde shtetërore duke filozofuar se është gabim të flasim për sektor privat dhe publik, por vetëm për privat dhe shtetëror. Me mendjen e Kryeministrit edhe privati duhet quajtur publik meqenëse po ofron një shërbim publik. Sektori privat merr kështu atribute publike dhe Kryeministri lan gojën me anë të kësaj akrobacie që bën të duket sikur ligjërisht fondet publike nuk po shkojnë jashtë këtij sektori publik imagjinar, gjithëpërfshirës, total dhe totalitar.

Sipas kësaj logjike edhe spitalet private “ofrojnë” shërbimin publik të shëndetësisë (me para në dorë sigurisht). Prandaj i bie t’i financojmë edhe ato nesër: të na mbahen para të gjithëve nga të ardhurat tona të fituara me djersë dhe këto para të dërgohen për të shpërblyer pronarët e spitaleve private meqë Kryeministri i quan ato publike. Po kompanive private të ndërtimit që po na “ofrojnë” shërbimin publik të shitjes së apartamenteve të strehimit – si t’ua kompensojmë këtë të mirë? A t’i financojmë edhe ndërtuesit që e kanë betonuar Tiranën dhe që për shkak të grykësisë së pandalshme për fitim po kthejnë çdo vit me mijëra njerëz në skllevër të sistemit të kredive? Edhe autobusët urbanë ofrojnë shërbimin publik të transportit (kundrejt pagesës individuale) – mos vallë pronarët e tyre duhet të marrin para shtesë nga shteti si falënderim meqë po na bëjnë nderin e transportit me pagesë?

Ja pra pse kjo që thotë Kryeministri rreth karakterit publik të universiteteve private është një shtrembërim i qëllimshëm i realitetit i fshehur me një lojë fjalësh prej prestigjiatori. Është një gënjeshtër para së gjithash, sepse për privatin nuk ekziston shërbimi ndaj qytetarit, por vetëm preteksti për fitim prej klientit. Privati nuk “ofron” shërbim publik. Ai e shet atë. Dhe e shet sepse dëshiron të fitojë e jo sepse e djeg malli apo përgjegjësia sociale për të ofruar shërbim për publikun. Ai e shet këtë shërbim që duhej ta ofronte sektori publik, kryesisht sepse gjen terren. Sepse ia kanë krijuar atë terren në mënyrë hileqare. Sepse e mira publike – që në këtë rast është dija – është keqfinancuar qëllimisht për vite me radhë në universitetet publike. Sepse pedagogët janë lënë qëllimisht të paktë në numër, të keqpaguar, mediokër dhe të ekspozuar përballë presionit politik dhe financiar.

Nëse marrim një shembull figurativ: kur mbrojtësit e një kështjelle shikojnë se armiku ka goditur natën me top te porta e drunjtë, ata nuk e hapin portën, por përkundrazi përforcojnë drurin me çelik. Kur një qeveri e dëmton qëllimisht një pasuri shoqërore – në këtë rast universitetin – atëherë nuk duhet të “çarmatosim” pasurinë shoqërore për t’ia dorëzuar atë qëllimeve të ulëta të qeverisë. Duhet të çarmatosim qeverisjen për t’ia dorëzuar atë aspiratës sublime të shoqërisë.

Qeveritë shqiptare prej kohësh e kanë humbur funksionin e tyre publik. Ato janë tashmë agjenci shërbimesh në favor të privatit dhe janë shndërruar në armikun numër një të interesit publik. Këto qeveri prej dy dekadash e gjysmë tashmë, vijnë në pushtet jo për të përmirësuar jetën e njerëzve që ato gënjejnë se po i qeverisin. Lufta e tyre që ato e paraqesin si “politike” është thjesht konkurrencë servilësh për të marrë ekskluzivitetin kush do të jetë për katër vjet shërbyes i sektorit privat dhe përfitues i ryshfeteve të tij. Qëllimi është t’i krijojnë këtij sektori mundësi të gjithanshme gllabërimi “shërbimesh” publike të cilat ai më pas i nxjerr në shitje me fitime nga të cilat tepron ndonjë kockë edhe për qeveritarët e korruptuar. Nëse nuk besoni se është kështu, dilni një shëtitje në Shqipëri dhe shikoni çfarë u ka ndodhur dhe po u ndodh qyteteve, pyjeve, spitaleve, shkollave, jetimoreve, teatrove, bibliotekave dhe deri plazheve. Qeveritë e shitura te privati janë pra armiku që orvatet tinëz të hapë nga brenda dyert e drunjta të kështjellës ku gjendet e rrethuar publikja te ne.

Ka vetëm një mënyrë – dhe kjo është bojkoti – për t’iu përgjigjur këtij ligji arrogant për arsimin, i cili shpërfill inteligjencën dhe interesat e qytetarëve. Ky ligj që u miratua kaçakçe, natën dhe pa ndonjë rezistencë serioze, e tenderizon dijen duke e shndërruar atë në një mall që u jepet për shfrytëzim subjekteve konkurrente tregtare. Dija është një pasuri e krijuar prej brezave të njëpasnjëshëm të njerëzimit – nuk ka të drejtë që aksesit në të t’i vendosë tarifa gjenerata aktuale e qeveritarëve që rastisën në pushtet. Atë – d.m.th dijen – e kemi trashëguar falas dhe duhet ta vëmë në dispozicion po falas për ata që vijnë pas nesh.

Mënyra e vetme pra për refuzim ndaj këtij ligji është thirrja për një bojkot masiv të universiteteve nga të gjithë pedagogët dhe studentët deri në prapësimin e këtij ligji degjenerues. Le t’i kthejmë këto ambiente universitare në shkretëtira dhe le ta zbatojnë ligjin e tyre në shkretëtirë po deshën.

Ndërsa për ata “pedagogë” që deri tani kanë flirtuar me pushtetin përmes paraqitjes së debatit thjesht si një mosmarrëveshje e korrigjueshme procedurale dhe jo siç ajo është realisht – një luftë e papajtueshme mes dy botësh – miratimi i reformës me votat e miqve të tyre socialistë është e korra e asaj çka mbollën. Këto janë rezultatet e tradhtisë së tyre ndaj publikes, e arrogancës dhe dritëshkurtësisë kokëboshe të mbështjellë me citate nga parathënie librash që o s’i kanë lexuar, o i kanë lexuar thjesht qorrazi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button