Kronika

Arrestimi i ish-punonjësve të ALUIZNI-t në Tiranë, Prokuroria: Ja për çfarë akuzohen

Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për disa ish-zyrtarë të Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t, Tiranë, të akuzuar për “shpërdorim detyre” në procesin e dhënies së lejeve të legalizimit në Tiranë.

PROKURORIA-1Vendimi i gjykatës është ekzekutuar nga ana e forcave të Policisë së Shtetit, ndërkohë që po vijojnë veprimet për persona të tjerë, të niveleve të ndryshme, të dyshuar si të përfshirë në këtë vepër penale . Hetimi i Prokurorisë ka nisur në bazë të dy kallëzimeve penale. I pari vjen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), për disa ish- zyrtarë të ALUIZNI-t, për të cilët janë krijuar dyshime të arsyeshme se kanë dhënë leje legalizimi në kundërshtim me ligjin, ku vetëm në 16 raste është konstatuar një dëm për shtetin në total në vlerën e mbi 20 milionë lekëve.

Akuza e dytë është ngritur nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit për disa ish-zyrtarë të ALUIZNI-t, të cilët kanë legalizuar në kundështim me ligjin, disa objekte tregtare (lokale) në Korpusin e Universitetit të Tiranës dhe në sheshin rreth tij.

Nga hetimi konstatohet se, nga legalizimi në kundërshtim me ligjin i disa objekteve nga ana e këtyre shtetasve, i janë shkaktuar një dëm i konsiderueshëm interesave të ligjshme të shtetit, i cili në vitin 2014, për interesa publike, ka dëmshpërblyer personat dhe subjektet që kanë legalizuar objektet e tyre në këtë zonë.

Policia mëngjesin e sotëm njoftoi se janë arrestuar shtetasit Erald Maçi, Ermal Dino, Artur Skela, Robert Dauti dhe Erin Mlloja, ndërsa u shpallën në kërkim, Rajmond Dervishi, Florian Hajdini, Taulant Brezhda e Kreshnik Bezhdo.

Në mënyrë të përmbledhur, shkeljet sipas hetimit të Prokurorisë së Tiranës, bazuar në materialin e referuar nga KLSH janë:

Deri në këtë fazë të hetimit janë shqyrtuar 16 raste, nga të cilat rezulton se;

Janë legalizuar tre objekte me faturë financiare me vlera shumë më të vogla se sa parashikon ligji dhe aktet nënligjore. Nga veprimet e kundërligjshme të ish-zyrtarëve të ALUIZNI-t, dëmi financiar që i është shkaktuar shtetit në këto 3 raste është është rreth 8.6 milionë lekë të reja. Në njërin prej këtyre rasteve, është kryer legalizimi, pavarësisht se pagesa nuk është kryer. Po ashtu është legalizuar në një rast një objekt 4-katësh, i cili në momentin e aplikimit nga poseduesi i saj ka qenë një kat. Ndërsa, deri në shqyrtimin e dosjes nga ALUIZNI, objekti ka vijuar ndërtimin në 4 kate dhe ALUIZNI, në kundërshtim me ligjin, i ka dhënë lejen e legalizimit. Gjithashtu, nga të akuzuarit janë legalizuar 4 objekte brenda vijës së verdhë, në kundërshtim me ligjin nr.9482, datë 03.04.2006, përkatësisht me nenin 2/4, sipas të cilit: “Fusha e zbatimit të këtij ligji nuk shtrihet për ndërtime pa leje të ngritura brenda vijës së verdhë…”
Në një rast, është pezulluar shqyrtimi i legalizimit, në kundërshtim me vendimin e gjykatës. Po ashtu, hetuesia ka arrritur në konkluzioni se është legalizuar, në kundërshtim me ligjin, e njëjta parcelë, me sipërfaqe rreth 800 m2 në dy emra të ndryshëm (të cilët rezultojnë të jenë bashkëshortë), ndërkohë që aplikimi duhet të bëhej për një parcelë. Nga ky veprim i kundërligjshëm, shtetit i është shkaktuar një dëm financiar në vlerën e rreth 2 milionë lekëve të reja. (Shënim: Sipas ligjit, “për efekt legalizimi, parcela ndërtimore, nuk i kalon 500m2”).
Janë legalizuar 3 objekte, për të cilat aplikimi ka qenë për banesa, por në fakt rezulton se gjatë gjithë kohës, këto objekte kanë pasur si qëllim objektin tregtar (lokal). Duke qenë se vlera financiare e legalizimit për objekt tregtar është disa herë më e madhe për m2 se sa e objekteve të banimit, rezulton se nga legalizimi i kundërligjshëm në këto 3 objekte, shtetit i është shkaktuar një dëm financiar në vlerën e rreth 12.5 milionë lekëve të reja.
Janë legalizuar tre objekte shërbimi (lokal), në kundërshtim me ligjin, në zonën që ndodhet brenda vijës së kufirit administrativ të qytetit Tiranë, dhe brenda zonës së Parkut të Liqenit të Tiranës.

Në mënyrë të përmbledhur, shkeljet sipas hetimit të Prokurorisë së Tiranës, bazuar në materialin e referuar nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, janë:

Janë legalizuar 7 objekte tregtare, të cilat përfshihen në zonën brenda aksit kryesor dhe qendrës historike të qytetit të Tiranës, të shpallur Monument kulture me VKM 180, datë 13.04.2000. Ato ndodhen pikërisht brenda kufirit të përcaktuar nga VKM përkatëse, ku në pikën 2 të tij, përshkruhet: Përfshihet zona… “përgjatë rrugës që përfshin stadiumin “Qemal Stafa”, duke përfshirë 100 m në thellësi në jug të rrugës përpara Universitetit Politeknik, përpara Gardës së Republikës”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button