Arrestohet drejtori i lartë i SHISH
Vidhte energjinë
Kreu i antikrimit ekonomik në shërbimin sekret kishte dy linja korrenti në lokal
Nga Mariglen Mullai
Drejtori i Krimit Ekonomik në SHISH është arrestuar dje nga Policia e Tiranës, pasi iu gjet një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike në lokalin e tij. Burimet nga blutë e kryeqytetit thanë se vartësi i Visho Ajazit u prangos në orët e vona të së hënës, pas një kontrolli të imtësishëm në lokalin e tij në Laprakë, ku ishte konstatuar një lidhje e fshehtë, me të cilën furnizonte ambientet private. Kështu, Pjetër Kaçi është izoluar në qelitë e paraburgimit në Komisariatin Nr. 2 të Tiranës, për të dalë nesër para togave të zeza, me akuzën e “vjedhjes së energjisë elektrike” dhe rrezikon masën e arrestit me burg, si dhe dënimin deri në 3 vite burg, sipas ndryshimeve në Kodin Penal. Nga burime të Policisë së Tiranës mësohet se nga inspektimet e shumta në rrugën “Dritan Hoxha” ishin konstatuar disa lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, mes të cilave rezultonte edhe lokali i Kaçit. Kështu, 60-vjeçari, i cili mban një ndër postet më të larta në Shërbimin Informativ Shtetëror, ishte një ndër emrat që dyshohet se kishte konsumuar veprën penale të vjedhjes së energjisë elektrike dhe pas kontrollit të imtësishëm të lokalit, u gjet edhe lidhja e paligjshme. Një kabllo tjetër furnizonte ambientet e lokalit, përveç atij që ishte i dukshëm, por që pjesa më e madhe e korrentit merrej nga kablloja i dytë. Të ndodhur përballë kësaj situate, punonjësit e OSHEE-së lajmëruan efektivët e Komisariatit Nr. 2, të cilët në orët e vona të së hënës i vunë prangat oficerit të lartë të SHISH. Në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit, arrestimi pasqyrohet me tekstin “Më datë 22 dhjetor 2014, ora 23.00, u arrestua në flagrancë shtetasi Pjetër Kaçi, 60 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën “Dritan Hoxha”, në lokal, nga punonjësit e OSHEE-së, dyshohet të jetë konstatuar rilidhje e energjisë elektrike”. Deri dje në orët e mbrëmjes, vartësi i Visho Ajazi Likës ndodhej në ambientet e izolimit në Komisariatin Nr. 2 në Tiranë, teksa pritet që të mërkurën ai të dalë para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë ndaj tij. Kaçi rezulton që në Shërbimin Informativ Shtetëror të mbajë një nga postet kyçe duke qenë dhe i besuari i kreut aktual të SHISH, Ajazi Likës. Menjëherë pas arrestimit, policia bën me dije se ka njoftuar Shërbimin Informativ Shtetëror dhe vetë kreun e saj, Visho Ajazi Lika, teksa ka kërkuar që ndaj drejtorit të Krimit Ekonomik të merret dhe masë administrative për shkeljen e konstatuar si “vepër penale” për vjedhjen e energjisë elektrike. Nga të njëjtat burime të policisë mësohet se Kaçi mbante prej disa vitesh postin e lartë të drejtorit të Drejtorisë Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar dhe të Antikorrupsionit në Shërbimin Informativ Shtetëror, i zgjedhur nga vetë kreu i këtij shërbimi. Nga të dhënat paraprake mësohet se Kaçi e ka mohuar akuzën dhe ka pohuar se nuk kishte dijeni rreth lidhjes së paligjshme të energjisë elektrike, por punonjësit e OSHEE-së i kanë dorëzuar policisë provat që ata pretendojnë se kanë gjetur. Nga ana tjetër edhe punonjësit e tjerë të këtij lokali si banakierë apo kamerierë janë pyetur nëse kishin dijeni rreth kësaj lidhjeje të paligjshme të energjisë elektrike, por nga burimet e policisë mësohet se ata kanë deklaruar se ishin thjesht punonjës me rrogë mujore dhe nuk ishin interesuar ndonjëherë për instalimet e linjave elektrike. Në nenin 53 të ligjit për Shërbimin Informativ Shtetëror, një efektiv i këtij shërbimi pezullohet kur ndaj tij fillon ndjekja penale, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar dhe kur ndaj tij fillon shqyrtimi nga ndonjë inspektim, i brendshëm ose i jashtëm, dhe qenia e tij në detyrë cenon objektivitetin e inspektimit. Deri më tani, mësohet se veprimet e dyshuara të drejtorit Kaçi nuk përfshihen në funksionin e tij si oficer në SHISH, ndaj u mbetet organeve të tjera, që janë kompetente për ndëshkimet ndaj veprave penale apo shkeljeve administrative, që të marrin masat përkatëse. Fati i Pjetër Kaçit do të përcaktohet nesër, kur Gjykata e Tiranës do të vendosë për ligjshmërinë ose jo të arrestimit dhe do të shprehet në lidhje me ndonjë masë ndëshkimore, ku mundësitë janë “detyrim paraqitjeje”, “arrest shtëpie”, ose “arrest me burg”.