Arrihet marrëveshja për prokurorin special
Katiça Janeva, prokurore aktuale nga Gjevgjelia, do të mbajë detyrën e Prokurorit të ri Special të Maqedonisë.
Kështu kanë rënë dakord përfaqësuesit e katër partive kryesore në Shkup, pas negociatave maratonë që zgjatën deri në orën pesë të mëngjesit të së martës.
Projektligji për të cilin kanë rënë dakord palët parashikon krijimin e Prokurorisë Speciale, me autonomi të plotë dhe buxhet të veçantë. Deputetët pritet që më vonë gjatë ditës ta miratojnë atë, për të mos lejuar që të shkelen afatet e marrëveshjes së 2 qershorit.
Prokurori special do të ketë për detyrë të hetojë aferat për zyrtarët qeveritarë, që u publikuan nga opozita maqedonase.
Pas marrëveshjes së arritur për prokurorin, katër partitë kryesore në Shkup, VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe PDSH do të vazhdojnë të negociojnë për zbatimin në praktikë të pikave të tjera që dalin nga ky pakt për të çuar në zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni.