Arsyet e sulmit ndaj zv/kryeministres shkodrane të Ramës dhe një profil i Senida Mesit
Ka dy ditë që Edi Rama shpalli qeverinë e tij të re dhe në disa qarqe jo pranë opozitës, por pranë grupeve të pakënaqura brenda PS-së ka nisur një sulm ndaj numrit dy të qeverisë shqiptare, zv.kryeministres Senida Mesi, e cila është edhe deputete e qarkut Shkodër.
Në disa portale është shpërndarë një video e ditës së 25 qershorit, ku zonja Mesi ka shqiptuar një lapsus-lingua, gjithsesi jo të vogël mbi terminologjinë e emërtimit të komunitetit që banon në Lagjen “Liria” në Shkodër, që quhet në letra si komuniteti egjiptian.
Po ashtu është paraqitur edhe një video ku të afërm të zv.kryeministres kanë sharë qeverinë e Edi Ramës këtu e tre vjet më parë.
Një sulm i çuditshëm kur qeveria është ende në sythin e kandidimit për të shkuar në dekretim e më pas të marrë votën në Kuvend me 9 shtator.
Zonja Mesi është e vetmja risi e kabinetit “Rama 2”, natyrisht pas ministres së Drejtësisë, e cila ka qenë zv.ministre për disa kohë.
E zgjedhur deputete në zgjedhjet e 25 qershorit, Senida Mesi, zëvendësoi në një farë mënyrë Mimoza Hafizin, e cila ishte e para në listën e grave në zgjehdjet e 2013-s.
Përveç historisë politike dhe profesionale, zonja Mesi u vendos nga Rama si përfaqësuese e një grupimi qytetar shkodran që në listat e PS-së ka qenë më pak e përfaqësuar prej disa vitesh, ku e majta kishte në krye të listave politikanë përfaqësues të komunitetit katolik si Tom Doshi, Paulin Sterkaj, Keti Bazhdari më pas në zgjedhjet lokale etj.
Në zgjedhjet e fundit, Rama dërgoi në Shkodër Ditmir Bushatin, edhe duke marrë rriskun e sulmit politik, duke shfrytëzuar qënien e babait të tij si drejtues lokal në kohën e komunizmit, por edhe vendosi të tretën pikërisht Senida Mesin, një pjesëtare e dy familjeve të njohura qytetare.
Familjen Kruja, ku është edhe origjina e saj dhe familjen Mesi, ku ajo tashmë i përket pas martesës më Artan Mesin, një mjek dhe veprimtar politik i njohur në Shkodër.
Dr.Mesi, një socialist që në vitet 90 është i njohur si aktivist i së majtës prej vitesh, por për zgjedhje të tij jo në struktura të larta.
Senida, tashmë një 40 vjeçare nënë e tre fëmijëve, ka një përvojë të gjatë si bankiere dhe financiere në qarkun Shkodër, ku ka drejtuar edhe degën më të rëndësishme të një banke të nivelit të dytë.
Në fushatën elektorale të vitit 2013, ajo u aktivizua në Shkodër, së bashku me një grup të rinjsh që tentuan që ta ç’militarizojnë PS-në e Shkodrës e kontrolluar nga Tom Doshi.
Pas fitores së PS-së, Elisa Spiropali e sapo emëruar si drejtoreshë dogane e propozon Senidën të drejtonte doganën e Shkodrës, por kjo e fundit i tha “jo faleminderit” dhe preferoi të vazhdojë si menaxhere banke, ku pas një kohe u shkëput dhe u emërua si administrator e Universitetit të Shkodrës.
Pikërisht ky refuzim i Mesit, duket i ka bërë përshtypje Edi Ramës, të cilit i vinin kërkesa për tu punësuar në dogana e tatime dhe jo refuzime.
Gjithsesi, Senida u aktivizua sërish në fushatat e PS-së, së bashku me Artanin, bashkëshortin e saj, ku rolin më aktiv e luajti edhe në zgjedhjet për bashkinë e Shkodrës, ku zonja Mesi ishte një nga drejtueset e fushatës së Keti Bazhdarit. Në atë kohë u zgjodh anëtare e këshillit bashkiak të Shkodrës, post që e ka edhe aktualisht.
Që prej dy vjetësh Edi Rama, i cili projektoi Ditmir Bushatin si shef të listës së Shkodrës duke larguar përfundimisht Tom Doshin, afron Senida Mesin me synimin për të zëvendësuar Mimoza Hafizin, e cila ishte bashkuar kauzës së Ben Blushit që më pas themeluan LIBRA-n.
Dhe pikërisht në zgjedhjet e fundit Bushati me Senida Mesin zhvillojnë një fushatë kapilare në Shkodër për të marrë vota qytetare, duke u distancuar fort nga Tom Doshi, edhe me rriskun e një shizme në zgjedhje.
Në fund PS, arriti për pak vota vendin e dytë, ndërkohë që Tom Doshi mori jo pak por 13 mijë vota duke marrë natyrisht nga PS-ja.
Dhe Edi Rama, në mitingun e fitores, e quajti rezultatin e Shkodrës si “shpresë dhënës që së shpejti do ta bëjë PS-në si parti e parë në komunitet”.
Dhe pikërisht për të dhënë një sinjal të fortë politik, dy drejtuesit e qarkut Shkodër i emëron në qeverinë e re: Ditmir Bushatin, sërish shef të diplomacisë dhe Senida Mesin as më pas e as më shumë por zv.kryeministre.
Me këtë post, Shkodra ka përfaqësimin më të lartë në 25 vitet e fundit, duke mos llogaritur natyrisht zv.kryeministren teknike të propozuar nga PD, Ledina Mandia që qëndroi 2 muaj.
Sulmi që po bëhet këto ditë Senida Mesit, duket se synon të godasë Ramën për zgjedhjen e tij, duke mos i dhënë arsye promovimit që kryeministri i bëri një figurë nga Shkodra. Natyrisht duke shprehur një frustrim që vjen nga brenda mazhorancës, kryesisht për ata që nuk u futën në qeveri.
Por lëvizja e Ramës, duket se më shumë se “kozmetike”, pra që të sjellë një teknokrate grua në qeveri, është politike dhe këtë e ka treguar demonstrativisht. Që duket se synimin e ka për zgjedhjet lokale të viti 2019…